in

Rama mbyll takimin në Vlorë. Berisha: “Akt antikushtetues”

Për Ramën “përshtypje pozitive nga puna përgatitore, paraqitja e planeve të ministrave dhe diskutimi i ideve në grup”. Berisha: “Piktori, me një akt antikushtetues, mbledh në Vlorë qeverinë “pa letra”! Me këtë akt nëpërkëmbet publikisht Parlamenti dhe Presidenti i vendit”

Tiranë, 22 gusht 2013 – Mbledhja e parë informale e qeverisë së ardhshme që u mbajt gjatë dy ditëve në mjediset e Hotel Restorant “Neë York”, në Ujin e Ftohtë përfundoi në mesditë. Lajmin e dha Edi Rama, përmes Facebook-t, ku dje shkruante “një ditë e gjatë pune që iku si një minutë përmes diskutimesh plot ide të reja dhe shumë energji pozitive” dhe se i ka bërë përshtypje pozitive “puna përgatitore, paraqitja e planeve të ministrave dhe diskutimi i ideve në grup”. Në mesazhin e sotëm në rrjetin Facebook, Rama i mëshon një mesazhi të dhënë që ditën kur mbajti fjalimin e fitores: “Detyrat janë tonat, pushteti i popullit”.

Kjo ishte hera e parë që kryeministri i ardhshëm Rama pati përballë të gjithë ministrat e emëruar prej tij më 31 korrik, por që formalisht marrin mandatin në shtator.

Pas mbledhjes informale të qeverisë së ardhshme, Rama u takua me kryetarë të njësive të qeverisjes vendore, bashkish e komunash, si dhe deputetë të Vlorës. Në këtë takim, mësohet se është diskutuar mes të tjerash, për premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale dhe mbajtjen e tyre, për procedurat e pranimeve dhe të rekrutimeve në administratë, të cilat, sipas zotit Rama, duhet të jenë tërësisht transparente dhe të bazohen tek konkurrimet.

Reagimet nga PD

Për kryeministrin Sali Berisha mbledhja e organizuar nga pasuesi i tij është “parodi” dhe një “akt antikushtetues”. Reagimet e tij ia beson Facebook-ut, sheshi virtual ku politikanët tanë, janë përditë e më aktivë.

“Një parodi tek ujët e ftohtë! Piktori, në një akt antikushtetues, mbledh në Vlorë qeverinë “pa letra”! Me këtë akt nëpërkëmbet publikisht Parlamenti dhe Presidenti i vendit, të cilët, me Kushtetutë, ngarkohen për emërimin, votbesimin dhe betimin e qeverisë së vendit pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe në çdo rast tjetër. Piktori rezultatin e zgjedhjeve me 63 deputetë e ka lexuar si një licencë për revansh të papërmbajtur antishtet” shkruan Berisha.

Sa për “parodi” është e drejtë e tij të gjykojë si t’i dojë qejfi takimet e të tjerëve, ndërsa përsa i përket “aktit kushtetues”, “nëpërkëmbjes së Kuvendit e të Presidentit”, Berisha flet si ishte në fushatë zgjedhore pasi asnjë ligj dhe autoritet nuk mund të ndalojë qytetarin Edi Rama të mbledhë bashkëpunëtorët e tij, qoftë edhe për të folur për programin e qeverisë së ardhshme.

Por në mesazhin e tij në Facebook, Berisha shkon më tej e shkruan: “Prej mëse dy muajsh përpjekjet tona më serioze për një situatë stabël, për funksionimin normal të institucioneve të vendit dhe kalim të civilizuar të pushtetit te maxhoranca e re përballen me revanshin e papërmbajtur antishtet të z. Rama. Me këtë rast i them se gabon rëndë. Vendi ka vetëm një qeveri përgjegjëse para ligjit dhe Kushtetutës”.

Edhe kryetari i ri i PD-së, Basha, komentoi në Facebook mbledhjen e qeverisë së re duke e etiketuar si “organizim okult për të detajuar planet e z. Rama dhe maxhorancës se re në copëtimin dhe pushtimin e administratës publike”.

“Edi Rama bëri sot një takim privat, me qeverinë e tij private, në një ndërtesë private, dhe gjithçka që u bisedua atje mbeti private. … E para, sepse ky është stili i tij i qeverisjes. E ka treguar për vite të tëra në Bashkinë e Tiranës. E dyta, sepse këto nuk janë mbledhje kabineti, por janë organizime okulte për të detajuar planet e z.Rama dhe maxhorancës se re në copëtimin dhe pushtimin e administratës publike. Dhe e treta, ku më mirë se buzë detit, në një hotel luksoz, larg syve të botës, mund të vendoset për ndarjen e tortës së pushtetit, për caktimin e linjave të përfitimit për z.Rama dhe aleatët e tij”, shkruan Basha.

 

 

Karaburun. Sekuestrohet rreth një tonelatë drogë që do të sillej në Itali

Konflikti Shqipëri-Greqi në mediat italiane