Policia arreston punëtorët që vendosnin flamuj. Ndërkohë, qyteti është mbushur me pankarta që i urojnë mirëseardhjen kryeministrit shqiptar
Preshevë, 10 nëntor 2014 – Pak orë para vizitës së Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Luginën e Preshevës, është rritur tensioni, pas veprimit të policisë serbe, e cila ka arrestuar disa shqiptarë të Preshevës që po vendosnin flamuj dhe pankarta në muret e qytetit.
Dy persona, përkatësisht drejtuesi i ndërmarrjes së shërbimeve “Rrufeja” dhe një bashkëpunëtor i tij janë arrestuar nga autoritetet serbe. Siç bën të ditur agjencia “Presheva Jonë”, “Rrufeja” ishte kontraktuar nga komuna e Preshevës për vendosjen e flamujve kombëtarë në rrugën “15 Nëntori” në Preshevë, nga gjimnazi “Skënderbeu” e deri në qendër, para godinës së Komunës në sheshin e dëshmorëve të UÇPM-së.
Dy personat e arrestuar po mbahen në stacionin policor të Preshevës.
Sipas Lapsi.al autoritetet serbe kanë shprehur shqetësim për situatën në Preshevë menjëherë pas konferencës së shtypit të dy kryeministrave. Deklarata e Ramës është ndjekur live në Preshevë nga qindra shqiptarë atje, që janë ndier të entuziasmuar kur Rama ka thënë që Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm.
Një ministër serb është nisur për në Preshevë për të parë nga afër situatën një ditë para vajtjes së kryeministrit Rama atje.
Ndërkohë Presheva është mbushur me postera që i urojnë mirëseardhjen kryeministrit shqiptar, të cilin kryetari i kësaj komune e ka cilësuar “kryeministri ynë”, duke sfiduar kështu autoritetin e Beogradit.