in

Rama: Shqipëria mbështet Serbinë në integrimin euro-atlantik

Kryeministri Edi Rama merr pjesë në Forumin për marrëdhëniet Shqipëri – Serbi

Gjatë vizitës në Serbi, pasditen e të hënës Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, ku deklaroi se “për Ballkanin ka nisur një epokë e re”.

Në fjalën e tij në këtë forum, Kryeministri Rama u shpreh se, “jetojmë në një rajon që për dekada ka humbur vetveten në përkthim. Në Ballkan të gjithë ne kemi nevojë për Europën, por edhe Europa ka nevojë për ne. Pa Ballkanin Europa nuk është e plotë. Ritheksoj faktin se ne dëshirojmë që të hapim një faqe të re, dhe një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë. Duhet të diskutojmë se si mund t’i gjallërojmë marrëdhëniet mes dy vendeve. Është me rëndësi për paqen në rajon, dhe për të ardhmen e rajonit. Besoj se fatet tona janë të ndërlidhur me njëra-tjetrin. Dhe sfida jonë për integrimin drejt BE është e lidhur me ecurinë e vendeve të tjera në rajon. Duhet të ecim përpara si grupe popujsh që janë gati të ecin drejt BE dhe të lënë pas ngjarjet e historinë që na kanë ndarë për dekada”.

Rama kujtoi që viti 2014, 100-vjetori i fillimit të Luftës së Parë Botërore, është edhe viti i parë ku nuk ka pasur konflikte në asnjë prej kufijve në rajon.

“Viti 2014 është edhe 100-vjetori i Luftës së Parë e cila filloi në Ballkan, por ky është viti i parë ku nuk ka pasur konflikte në asnjë prej kufijve në rajon. Ne kemi hyrë në një epokë të re në të cilën cilësia e jetës sonë të përbashkët mund të ndryshojë në mënyrë dramatike në varësi të bashkëpunimit tonë. Edhe ne për shumë vite kemi ushqyer ide të caktuara në Ballkan. Për shumë vite Ballkani ka qenë metafore për të dalluar zonat konfliktuale dhe ato të pacivilizuara nga pjesa tjetër”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit, për të mundësuar më shumë investime nga të gjitha vendet, në mënyrë që edhe përfitimet të jenë më të mëdha.

Kryeministri Rama tha se ndërtimi i një infrastrukture të përbashkët, do të ndihmojë në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm. Duke u ndalur tek rëndësia e bashkëpunimit, Rama tha se, rruga e Shqipërisë dhe Serbisë është drejt bashkimit europian, ndaj përpjekjet e përbashkëta mund ta përshpejtonin këtë proces.

“Grupet ekstremiste po përfitojnë gjithë e më tepër nga vështirësitë. Serbia sot po merret me konsolidimin fiskal, me një politikë të vështirë, me reforma që janë vërtet të nevojshme. E njëjta gjë vlen edhe për ne, edhe pse mund të thuhet në një këndvështrim tjetër. ekonomitë tona janë të vogla, po kështu edhe buxhetet tona. Kështu ne nuk mund të ecim shumë përpara, nëse do tentojmë që gjërat t’i bëjmë më vete. Por si mund të arrijmë që vendet e Ballkanit të lidhen me të gjithë rrjetin mesdhetar të jugut, dhe në aspektin praktik do të thoja se është një pjesë infrastrukturore që mungon, dhe i ndan vendet tona nga një zhvillim turistik i qëndrueshëm. Por si mund të bashkëpunojmë që ta realizojmë këtë me buxhetet tona. Këto mund të bëhen të mundura nëse lëvizim me shpejtësi nga një epokë e mungesës së përkthimit, në një epokë bashkëpunimi e bisedimi me njëri-tjetrin, për projekte të mëdha. Mendoj se bashkëpunimi ekzistues mund të zhvillohet duke filluar me ekonominë. Kemi shkëmbim trenash, ndërmarrje me kapital serb në vend, edhe pse në shifra jo shumë të larta. Krijimi i një tregu të përbashkët rajonal, duhet të jetë synimi i përbashkët. Vendi ynë është në Europë, dhe ne duhet të japim të gjitha argumentet për këtë proces. Duhet që ne të hedhim këtë hap, dhe të ecim së bashku, sepse ne jo vetëm që do të na shikojnë si më të fortë, por do të jemi të tilla”, u shpreh kryeministri Rama.

Gjatë forumit të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, kryeministri Rama është ndalur edhe tek takimi i zhvilluar me kryeministrin serb Vuçiç, duke e cilësuar një takim “të vështirë, por edhe të dobishëm e të drejtpërdrejtë”.

“Takimi me Vuçiç ishte i vështirë, por i dobishëm pasi ishte i drejtpërdrejtë. Pavarësisht se patëm një takim të vështirë, dhe një konferencë shtypi të gjallë, ne ramë dakord për marrëveshjen për bashkëpunimin rinor. Vuçiç vjen vitin tjetër në Shqipëri, ndërsa ju mund të vini edhe më herët. Ju ftoj të vazhdojmë këtë vizitë edhe në Tiranë”, tha Rama.

Duke folur për integrimin e Serbisë në NATO, Kryeminsitri Rama deklaroi se, “Do të jemi të lumtur ta shohim Serbinë pjesë të bashkëpunimit euro-atlantik. Do të mbështesim çdo hap që do të ndjekë Serbia për t’u bërë pjesë e integrimit euro-atlantik”.

Rama: “Kosova e pavarur është realitet”. Vuçiç: “Nuk e prisja këtë provokim”

Rama në Serbi. Rritet tensioni në Preshevë