Nuk arrinte të paguante qiranë e shtëpisë, ndaj Rasim Dema me gruan e fëmijët, sot kur temperatura natën shkon deri në -7 nuk kanë një strehë mbi kokë e detyrohen të flenë në makinë. “Si është e mundur që në një qytet me plot shtëpi të mbetura bosh, jemi të detyruar të kalojmë netët rrugëve?” pyet i dëshpëruar Rasimi
Romë 12 shkurt 2012 – Prej njëzet vjetësh në Itali, Rasim Dema, murator 47 vjeç mbetet pa punë e familja e tij nuk arrin të paguajë qiranë e shtëpisë. Për këtë arsye e nxjerrin jashtë, dhe pasi dikush i lejon të përdorë për ca kohë garazhin e vet në Borgo Ticinos (Pavia), sot gjendet në mes të rrugës. Kur temperaturat e ulëta po u krijojnë probleme edhe atyre që e kanë një strehë mbi kokë, familja e Rasimit, burrë e grua e dy fëmijët, vajzën 14 dhe djalin 17 vjeç, janë të detyruar të jetojnë në një makinë.
“Kam dy vjet pa punë – tregon ai për ‘La provincia Pavese’ – Arrij të gjej ndonjë punë të vogël, për një javë a për një muaj, por jo më shumë. Ndërkaq situata është rënduar gjithnjë e më shumë. Më 31 janar na nxorrën nga shtëpia dhe nga ajo ditë kam mbetur në mes të katër rrugëve me gruan e fëmijët. Varemi çdo ditë nga mëshira e njerëzve”.
Kur nëpunës të përmbarimit kanë ardhur për ta nxjerrë nga shtëpia, ai ishte në Milano për të kërkuar punë, e shoqja, Flamurja, tek një grua ku pastron me orë dhe fëmijët në shkollë. Këta të fundit kur janë kthyer në shtëpi e kanë gjetur të kyçur nga gjykata e nga ajo ditë nuk kanë mundur të hyjnë më. Për disa ditë kanë gjetur strehim në garazhin e vënë në dispozicion nga një zonjë, që i jep punë të shoqes për tri orë në javë. Por tani nga data 10 kanë mbetur jashtë, nuk mund të përdorin më as atë vend si strehim.
Mbajnë gjithçka në makinë, pa një kuzhinë ku të gatuajnë hanë gjëra të gatshme të blera në supermerkatë dhe në makinë kalojnë edhe natën, me gjithë të ftohtin e acartë që ka mbuluar vendin. E megjithatë Rasimi as që do të dëgjojë të shkojnë në një komunitet për të varfërit apo të flenë nëpër konviktet e karitasit. “Duam të rrimë të gjithë bashkë, – thotë – për vite me radhë kam ndenjur larg familjes”. Në fakt Rasimi prej 20 vjetësh në Itali, ka bërë bashkim familjar me të shoqen e fëmijët vetëm tre vjet më parë. Rasimi me të shoqen kanë menduar edhe që të kthehen në Shqipëri por fëmijët nuk duan. “Janë në shkollë të mesme e duan të vazhdojnë studimet këtu, gjë që unë e ime shoqe nuk kemi bërë. E për hir të tyre qëndrojmë në Itali, edhe pse jemi të detyruar të flemë në makinë. E të mendosh që Pavia është plot me shtëpi që rrinë bosh” – thotë me hidhërim Rasimi.
Tregon se kanë kërkuar edhe ndihmë në komunë dhe asistentët socialë fillimisht u kanë dhënë si zgjidhje ndarjen: nëna me dy fëmijët në një shtëpi pritjeje në Belgioioso ndërsa babai në një fjetore. “Menduam se mund t’ia dilnim, të paktën deri sa të na jepnin një strehim nga komuna – thotë Rasimi – por me të dëgjuar fjalën ndarje, fëmijët nuk pranuan”.
Pas dy javësh komuna duhet të ndajë shtëpitë popullore. Për gjithë vitin 2011 ka vënë në dispozicion 57 vendbanime, këtë vit kërkojnë ndihmë mbi 100 dhe familja Dema renditet e 63-ta. Ndaj rreziku që të mos përfitojnë dot nga shtëpitë e komunës ekziston.