Vrasja e Artan Santos në mes të ditës, në qendër të Tiranës, para selisë qendrore të bankës së tij, ka tronditur thellë Shqipërinë. E ndërsa policia është vënë në kërkim të autorëve duke kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve që mund të kenë informacione mbi ngjarjen, mbërrijnë edhe reagime të shumta nga politika e bota e biznesit.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë i shpreh ngushëllimet e saj familjes dhe njerëzve të dashur të Artan Santos. Vrasja e një prej sipërmarrësve më të shquar të Shqipërisë është dhimbje e madhe për sipërmarrjen private dhe të gjithë shqiptarët, thuhet në mesazhin ngushëllues.
“Një apel për policinë për gjetjen sa më shpejt të autorëve të krimit dhe dënimin e tyre me gjithë ashpërsinë e ligjit. Apel politikës për vlerësimin e rolit të sipërmarrjes private dhe mbrojtjen e saj. Apel qytetarëve shqiptarë për qytetari dhe ndjeshmëri”, thekson DHTI në mesazhin ngushëllues.
Banka “Credins”, drejtor i së cilës ishte Artan Santo, bëri me dije se do të vijojë veprimtarinë e saj normale. “Të tronditur thellë nga ngjarja e rëndë, ku humbi jetën drejtori ekzekutiv i Bankës Credins, zoti Artan Santo, gjejmë forcën ti shprehim ngushëllimin tonë të sinqertë familjes dhe bashkëpunëtorëve tanë.
Këshilli Drejtues i Bankës Credins është mbledhur sot dhe në zbatim të Statutit dhe kuadrit rregullativ në fuqi, mori vendimet e duhura për të siguruar vazhdimësinë e veprimtarisë normale të institucionit tonë.
Informojmë publikun e gjerë dhe depozituesit se veprimtaria e Bankës Credins vazhdon normalisht aktivitetin në të gjitha degët e saj”, thuhet në një njoftim të Këshillit Drejtues.
“Mësova me tronditje të madhe, lajmin e rëndë për vrasjen e biznesmenit të njohur, Artan Santo. – shkruan presidenti i Republikës Bujar Nishani – Një humbje e pamasë për familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët, por dhe gjithë shoqërinë tonë. Ngushëlloj nga zemra dhe u qëndroj pranë bashkëshortes dhe fëmijëve të Artanit. U prehsh në paqe, miku ynë.”.
duke kërkuar angazhimin maksimal të organeve të rendit e të drejtësisë vazhdon: “Kjo dhimbje e madhe e shkaktuar nga dora e zezë e krimit, nuk duhet lënë pa u ndëshkuar. Policia e Shtetit dhe Prokuroria duhet të marrin masat për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, dhe të dërgojnë para drejtësisë autorët e saj”.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shprehu ngushëllimet për vrasjen e bankierit Artan Santo, ndërsa kërkoi ndëshkimin e autorëve të këtij krimi mizor. “Do doja t’i bashkohesha kolegut Blushi në dënimin e vrasjes së një personaliteti të shquar të sistemit tonë bankar, drejtorit të bankës Credins, Artan Santo. Kërkoj ndëshkimin e autorëve të këtij krimi mizor dhe i shpreh ngushëllimet familjes dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Shprehim mbështetjen tonë me te potë për policine e shtetit për gjetjen e autoëve të këtij akti makabër”, u shpreh kryeparlamentari Meta.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, është shprehur të enjten në faqen e tij Facebook për vrasjen e biznesmenit Artan Santo, duke e konsideruar një vrasje të tipit mafioz dhe një rrezik të madh për jetën e qytetarëve.
“Dhimbje dhe tronditje pertej fjaleve për vrasjen mizore të Tan Santos. Ky krim i pashembullt mafioz është një alarm i madh qytetar për të gjithë. Ngushëllime dhe solidarizim me familjen dhe miqtë e tij të shumtë” , është shprehur Basha.
Më herët, deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, e konsideroi një ekzekutim mafioz vrasjen e biznesmenit dhe se krimi tregon që ka arritur në ato nivele dhe atë kurajo që të marrë jetën e një biznesmeni, pa iu dridhur dora gjakatare në mes të ditës, duke bërë të pasigurtë jetën e shqiptareve.
“Qeveria të bëjë gjithçka për të kapur autorët, që i morën jetën bankierit Artan Santo”, tha sot nga foltorja e kuvendit, Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, ndërsa i shprehu dhe ngushëllimet e tij edhe familjarëve të të ndjerit.
Blushi duke folur nga foltorja e kuvndit tha se kapja e autorëve është një detyrim karshi çdo qytetari dhe në mbrojtje të sistemit bankar, pasi ky atentat është një goditje për sistemin financiar bankar.
“Jam i tronditur nga vrasja e biznesmenit Artan Santo. Sistemi jonë financiar bankar është goditur. Qeveria të bëjë gjithçka për të kapur autorët. Ngushëlloj familjarët e zotit Santo, fëmijët, bashkëshorten, miqtë dhe kolegët. Ti shkohet deri në fund ngjarjes mafioze,”- u shpreh Blushi.
Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka reaguar në rrjetin social “Facebook”: “Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar mizor, dëshmi e një rendi që nuk ekziston apo një rendi që është tërësisht i dominuar nga mafia dhe krimi i egër.”
“Artanin e kisha njohur në moshën e tij 4-5 vjeçare, fëmijë i dy prindërve të mrekullueshëm. – thotë Berisha – Ai shkëlqeu gjithë jetën e tij, tashmë të shkurtër. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Santo, bashkëpunëtorëve, miqve të Artanit dhe lutem që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar!”
Banka e Shqipërisë duke i shprehur sot ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të biznesmenit Artan Santo, i vrarë mëngjesin e sotëm me armë zjarri në zonën e ish-bllokut në Tiranë, deklaron se kjo ngjarje e paprecedent, nuk cënon në asnjë mënyrë qëndrueshmërinë e sistemit bankar në tërësi dhe atë të Bankës Credins në veçanti.
Në një njoftim për shtyp Banka e Shqipërisë, thekson se “me hidhërim të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të Artan Santo, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Credins. Duke dënuar këtë akt të shëmtuar kriminal, në këto momente të dhimbshme i shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe i jemi pranë familjes, të afërmve dhe miqve të z. Santo”.
“Në përmbushje të mandatit të saj ligjor, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e tjera që garantojnë sigurinë financiare në vend, deklaron se kjo ngjarje e paprecedentë, nuk cenon në asnjë mënyrë qëndrueshmërinë e sistemit bankar në tërësi dhe atë të Bankës Credins në veçanti. Banka e Shqipërisë i ka kërkuar Këshillit Drejtues të Bankës Credins dhe siguron se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore dhe operacionale për të garantuar vazhdimësinë normale të veprimtarisë së saj”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, reagon lidhur me ngjarjen e ndodhur mëgnjesin e sotëm, ku dy persona të maskuar ekzekutuan me armë zjarrin bankierin, Artan Santo, teksa ky i fundit po i drejtohej zyrës së tij, në zonën e ish-bllokut Tiranë.
“Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun Tirone nga ata të vërtetët, që donte jetën, e donte njerëzit”, shkruan Rama në faqen e tij zyrtare në Facebook, Kryeministr gjithashtu thekson se për cilindo person që ndihmon policinë duke dhënë informacion të vlefshëm për kapjen vrasësve të Artan Santos do të shpërblehet me 100 mijë euro nga Policia e Tiranës.
Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, ka dalë të enjten me një deklaratë për shtyp, për të shprehur tronditjen e thellë për vrasjen e biznesmenit, Artan Santo, bankierit dhe pronarit të mediave, ndër më të suksesshmit në vend.
“Partia Demokratike shpreh trondijen e thellë për vrasjen e bisnezmenit, Artan Santo. Të tronditur thellë janë dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, pasi organizatat mafioze tregojne se sa e lirë dhe e pambrojtur është jeta sot në Shqipëri. Ekzekutimi mafioz tregon se krimi ka arritur në ato nivele dhe atë kurajo që të marrë jetën e një biznesmeni më të spikaturit në fushën e tij, pa iu dridhur dora gjakatare”.
“Dhjetëra qytetarë, të pranishëm në zonën më të populluar të Tiranës, panë me sy si u ekzekutua biznesmeni”, tha Ristani duke shtuar se “krimi vret në mes të ditë në mes të Tiranë dhe jeta e çdo shqiptari nuk është më e sigurt”.
Lexo edhe:
ANSA: “Pritë në Tiranë, vritet bankieri dhe botuesi i njohur”
Atentat në Tiranë, vritet Artan Santo