in

Referendumi kundër importit të plehrave do të mbahet më 22 dhjetor

Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekretoi datën 22 dhjetor 2013 për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm të kërkuar nga Aleanca kundër importit të plehrave për shfuqizimin e ligjit të miratuar në nëntor 2011 që lejon importimin e mbetjeve në Shqipëri

Tiranë, 9 prill 2013 – Presidenti i Republikës Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 152, pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dekretoi datën 22 dhjetor 2013 për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Në relacionin bashkëshoqërues të dekretit presidencial thuhet se më 30 nëntor në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është paraqitur një kërkesë për fillimin e procedurave për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Më 22 dhjetor 2011, KQZ vendosi të miratojë modelin e fletës tip për mbledhjen e nënshkrimeve të 50 mijë zgjedhësve, siç sanksionohet në nenin 150 të Kushtetutës dhe në nenin 127 të kodi zgjedhor. 

Më 13 mars 2012, Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 60 mijë firmat e mbledhura për mbajtjen e referendumit popullor kundër importit të mbetjeve në Shqipëri. Në përfundim të procesit të verifikimit të nënshkrimeve dhe saktësisë së dokumenteve të identifikimit të zgjedhësve, KQZ më 28 qershor2012 vendosi pranimin e kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, si dhe dërgimin e kërkesës Presidentit të Republikës dhe Gjykatës Kushtetuese më datë 3 janar 2013. 

Më 8 mars 2013 Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë kërkesën, si dhe deklarimin si të pajtueshme me Kushtetutën të kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Bazuar në nenin 152, pika 3 të Kushtetutës, Presidenti cakton datën e referendumit brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë, neni 119, pika 2 e kodit zgjedhor të vitit 2003 nuk lejon mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm brenda periudhës 6 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit deri 3 muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri (sipas një përllogaritje kjo periudhë korrespondon me datat 7 mars 2013 -17 dhjetor 2013).

Për sa më sipër, Presidentit të Republikës i mundësohet caktimi i datës 22 ose 29 dhjetor 2013 si datë për zhvillim referendumi. Në këto kushte, Kreu i shtetit vendosi të caktojë 22 dhjetorin si datën për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Lexo edhe:

Qershor 2012 – KQZ i hap rrugën referendumit kundër importimit të plehrave, por pas dy vjetësh
Mars 2012 – Referendum kundër importit të plehrave. 60 mijë firma në KQZ
Tetor 2011 – Presidenti nuk firmos ligjin për menaxhimin e plehrave
Tetor 2011 – Kuvendi Civil: “Shqiptarë, mos pranoni plehrat e Italisë”

Emigrantët në Europë i shqetëson më shumë shëndeti dhe puna se ksenofobia

Sorial (M5S): “Noi accanto agli immigrati e alle seconde generazioni. Non siamo leghisti!”