in

Referendumi{br}Populli vendos

Është zhvilluar në Itali më 12 – 13 qershor,  një nga referendumet shfuqizuese më të rëndësishme të këtyre dy dekadave të fundit, me një pjesëmarrje aktive prej 57,04% të popullsisë. Qytetarët italianë janë shprehur me anë të votës së tyre mbi çështje themelore dhe jetike që kanë të bëjnë me Ujin, Centralet Bërthamore dhe me ligjin mbi Pengesën Legjitime. Ky referendum shfuqizues do të hyjë në historinë italiane, si i pari rast në të cilin interneti dhe social network-et kanëvepruar si një bord i mirëfilltë informacioni duke anashkaluar masmediat tradicionale zyrtare, të cilat nuk shkëlqejnë as në cilësi dhe as në saktësinë e informacionit të ofruar. Pjesëmarrja e popullsisë dhe fitorja e sovranitetit popullor, kadëshmuar se impenjimi qytetar ndaj problemeve dhe argumenteve të rëndësishme që prekin direkt interesat dhe të ardhmen e tyre, është i mundshëm dhe i realizueshëm.

Kundër privatizimit të ujit

Pyetja e parë referendare kishte të bënte me kujdestarinë dhe menaxhimin publik të shpërndarjes së ujit duke shfuqizuar nenin 23 bis të ligjit 133/2008 dhe nenin 15 të dekretit 135/2009 (i ashtuquajturi dekreti Ronchi), te cilët parashikonin në mënyrë skandaloze privatizimin e shërbimeve publike: shërbimet hidrike, transportin publik dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.

Sërish argumenti i ujit kishte të bënte edhe me pyetjen e dytë referendare, e konkretisht me shfuqizimin e nenit 154 të dekretit legjislativ nr. 152/2006. Ky nen favorizonte operatorët privat të shërbimeve hidrike si dhe përfitimet e tyre nga rritja e çmimeve dhe tarifave të ujit, jo vetëm për të mbuluar shpenzimet operative dhe mirëmbajtjen e sistemeve por edhe për të përfituar nga biznesi i furnizimit me ujë të pijshëm në kurriz të qytetarëve.

Shfuqizimi i këtyredispozitave është një reagim i fuqishëm popullor kundër procedurave të vendosura nga klasa politike aktuale (si e majtë ashtu edhe e djathtë) mbi privatizimin eujit – i cili duke qenë një e mirë e përbashkët publike dhe një e drejtë universale njerëzore për të jetuar, nuk mundet në asnjë mënyrë as të privatizohet e as të jetë subjekt spekulimesh. Propaganda e paskrupullt, që kryhet nga lobe të caktuara ekonomike dhe nga një grusht politikanësh të shitur, për të privatizuar gjithshka publike është një fyerje e inteligjencës dhe logjikës njerëzore. Nuk është e vërtetë që privatizimet garantojnë cilësi të shërbimit të ofruar, përkundrazi, privatët nga njëra anë do të rrisin tarifat duke kursyer në mirëmbajtjen e infrastrukturave dhe nga ana tjetër do të rrisin çmimin dhe kërkesën për ujë të pijshëm në shishe – biznes ky i administruar nga multinacionale të tjera private. Në një situatë të tillë dramatike – ku uji konceptohet dhe trajtohet si mall dhe jo si një e drejtë njerzore – rrezikohet seriozisht sovraniteti i  Shtetit dhe i qytetarëve (mjafton këtu të përmendim luftën civile të zhvilluar në Bolivi dhe në Indi falë kontrollit të arit blu nga multinacionalet Suez Environnement dhe Véolia Environnement). Jo rastësisht, më 28 korrik 2010, Asambleja e Përgjithshme e O.K.B.-së shpalli nëpërmjet Rezolutës A/64/L.63/Rev.1, që e drejta për të patur ujë të pijshëm dhe shërbime higjeniko-sanitare është ndër të drejtat themelore të njeriut. Kjo rezolutë është një hap vendimtar për të trajtuar konkretisht problemin e mungesës së ujit dhe çlirimin e këtij burimi natyror jetik nga logjika spekuluese e tregut privat. E drejta për ujë është tashme zyrtarisht pjesë e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut.

Kundër Centraleve Bërthamore

Pas katastrofës së Çernobilit, një referendum i 8 nëntorit 1987, ndaloi ndërtimin e centraleve bërthamore dhe përdorimin e kësaj teknologjie obsolete në territorin Italian. Katastrofa e Fukushimës ka rritur sot ndjeshëm e më shumë se kurrë debatin mbi energjinë bërthamore si në Itali ashtu edhe në vende të tjera të botës, duke i kushtuar sidomos një vëmendje të veçantë sigurisë së centraleve tashmë të ndërtuara.

Pyetja e tretë referendare i referohej pikërisht energjisë bërthamore, duke kërkuar shfuqizimin e dekret-ligjit nr. 112 të 25 qershorit 2008 ratifikuar nga ligji nr. 133 i 6 gushtit 2008, që krijonte mundësinë e realizimit në territorin kombëtar të centraleve bërthamore. Me të drejtë shumica e italianëve u shprehën për shfuqizimin e këtyre ligjeve, të bindur se energjia bërthamore është sa e rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut, po aq e vjetruar teknologjikisht dhe aspak ekonomike sepse përdor burime energjetike jo të ripërtërishme. Uraniumi, lënda djegëse që përdoret në centralet bërthamore, nuk është i ripërtërishëm dhe gjendet me pakicë në natyrë, aspekt ky që e rrit shumë lart çmimin e tij në tregjet e shit-blerjes. Ekziston gjithashtu problemi i mbeturinave bërthamore që mbetet akoma i pazgjidhur nga shkenca moderne, edhe sepse teknologjia që disponohet aktualisht nuk është akoma në gjendje të kryejë trajtimin e këtyre mbetjeve radioaktive, të cilat thjesht groposen nën tokë duke ndotur ujërat, florën dhe faunën. Kostoja e përgjithshme e ndërtimit, e funksionimit, e trajtimit të mbeturinave radioaktive dhe e depozitimit të tyre, kapërcen shumën e 10 miliard euro për central, duke e tejkaluar së tepërmi koston e përgjithshme që nevojitet për impiantet e energjive të ripërtërishme (si dielli, uji, era, biomasa, gjeotermale etj). Rrezikshmëria e centraleve rritet akoma më shumë për faktin se territori gjeografik italian – së bashku me Japoninë dhe territorin e Kalifornisë – ka një nivel të veprimtarisë sizmike ndër më të lartët në botë. Një aspekt ky i rëndësishëm që nuk mund të nënvlerësohet as nga ne shqiptarët (aktiviteti sizmik në Shqipëri është ndër më të lartët në Europë), nëse në të ardhmen multinacionalet e huaja do kenë dritë jeshile nga pushtetarët e korruptuar shqiptar për të ndërtuar centralet e tyre ose për të na mbushur me mbeturinat e tyre radioaktive.   

Sfida e civilizimit të sotëm modern është konvertimi i sistemit energjetik, nga ai i burimeve të shterueshme (nafta dhe bërthamorja), në atë të një sistemi të qëndrueshëm e të bazuar në burimet energjetike të ripërtërishme, të pastra dhe të sigurta për njeriun.

Kundër ligjit mbi Pengesën Legjitime

Për të qartësuar se çfarë është ky ligj, është e rëndësishme të thuhet se kodi italian i procedurës penale u lejonte të pandehurve të drejtën e zhvendosjes së seancave të procesit gjyqësor, në rast se nuk ishin në gjendje të paraqiteshin në gjyq për arsye të një force madhore ose të një pengese legjitime. Një pjesë e ligjit italian nr. 51, aprovuar më 7 prill 2010 e i njohur ndryshe si Ligji mbi Pengesën Legjitime, i mundësonte Kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe ministrave të qeverisë, mos paraqitjen e tyre në seancat gjyqësore. Në ato procedura penale në të cilat rezultonte i akuzuar kryeministri italian, ky i fundit falë ligjit në fjalë, ishte i legjitimuar të mos paraqitej në seance, duke detyruar gjykatësit e çështjes të shtynin proceset e tij gjyqësore në një moment të dytë në kohë, e jo më vonë se gjashtë muaj. Pyetja e katërt referendare kishte të bënte pikërisht me shfuqizimin e këtij ligji abuzues Ad Personam e të krijuar ad hoc vetëm për kryeministrin italian i cili, në harkun kohor të këtyre 18 viteve në pushtet, ka koleksionuar në mënyrë abuzive të paktën 37 ligje të këtij lloji. Një ligj i tille e i pashoq –  që nuk ka homolog në asnjë vend të botës së qytetëruar – ka favorizuar në mënyrë të rrezikshme aktivitetin e organizatave kriminale dhe miliona keqbërës të cilët kanë mbetur të pandëshkuar, duke ua hequr viktimave të drejtën legjitime për të gjetur drejtësi në organet shtetërore. Sipas Shoqatës Kombëtare të Magjistraturës janë 15 mijë proceset gjyqësore që kanë nglelur të pashqyrtuara nga ky ish-ligj abuzues që u shfuqizua falë referendumit.

Në vend të epilogut

A mundet një referendum popullor të delegjitimojë qeveritë dhe të rikonfiguroje kufijtë dhe  bilancin politiko-ekonomik të një shteti? A është referendumi popullor me të vërtet bartës i kësaj ‘fuqie’, pavarësisht nga konteksti i demokracisë përfaqësuese, ku organet qeverisëse aplikojnë ndërmjetësimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve?

Nëdoktrinën e përfaqësimit politik, referendumi, nënkupton idealin absolut, pasi është manifestimi i drejtpërdrejtë i vullnetit popullor, që sipas filozofit zviceran dhe teoricienit të demokracisë, Rousseau, nuk mund ti delegohet organeve përfaqësuese të tilla si parlamenti, këshilli i ministrave etj. Referendumi është një formë institucionale që ka një karakter të drejtpërdrejtë demokratik dhe origjina e tij historike, na rikthen mbrapa në kohë tek strukturat e lashta politiko-juridike të kantoneve të Zvicrës. Në kantonin e Bernës, sidomos që prej shekullit XVI, vendimet më të rëndësishme (rekrutimi i mercenarëve, aleancat me shtetet e huaja, etj) iu nënshtroheshin votimit popullor, dhe pikërisht në këtë model institucional është identifikuar forma e parë e konceptit bashkëkohor që kemi sot mbi Referendumin. Këto forma pjesëmarrjeje të drejtpërdrejta e që datojnë që nga 1294, quhen në gjermanisht Landsgemeinde (Kuvende Kantonale) dhe ende ekzistojnë në disa kantone zvicerane si Obwald, Midwald, Glaris, Appenzell Rhodes Interieures, Appenzel Rhodes Exterieures etj, ku qytetarët takohen rregullisht për të diskutuar, për të vendosur mbi punët e qeverisjes dhe kryerjen e zgjedhjeve. Duke nisur nga fillimi i shekullit XIX koncepti i referendumit do të jetë një praktikë tipike e kantoneve zvicerane e më pas do të jetë pjesë themelore e Kushtetutës Federale të viti 1848, e cila, pikërisht për tu miratuar si ligj iu nënshtrua referendumeve popullore kantonale. Kushtetuta Federale, e miratuar në vitin 1874, është ende sot e kësaj dite në fuqi e në sajë të referendumeve dhe mbledhjes së firmave qytetare, çdo ligj pa përjashtim është subjekt i votimit popullor, duke përfaqësuar në këtë mënyrë një nga elementet më të rëndësishëm të historisë së demokracisë zvicerane. Ndryshe nga Zvicra, demokracia e drejtpërdrejtë e të cilës është vërtet për tu admiruar e për tu marrë si shembull sidomos nga ne shqiptarët, Kushtetuta italiane nuk parashikon në brendësi të saj një referendum deliberativ (vendimor)por vetëm referendumin shfuqizues. Në Itali referendumi i parë i këtij lloji trajtonte argumentin e divorcit dhe i përket vitit 1974, ndërsa referendumi i parë popullor i kryer në gjithë historinë e Republikës italiane është ai i 2 qershorit 1946 ku qytetarët zgjodhën sistemin e Republikës si formë qeverisje në vend të Monarkisë. Nga ky moment e më pas, rritja e numrit të referendumeve të zhvilluara në Itali ka qenë i pandërprerë dhe i vazhdueshëm. Si i vetmi instrument ligjor në duart e njerëzve i aftë të copëtoj sundimin e politikës përfaqësuese të korruptuar, demokracia e drejtpërdrejtë pjesëmarrëse që e shprehu vetveten nëpërmjet referendumit të fundit në Itali, dëshmon edhe një herë se Referendumi është një ndër mjetet më të përshtatshme e të mundshme të demokracisë se vërtet sot për sot.

Në fund të fundit e jo rastësisht, sociologu dhe ekonomisti politik gjerman Max Weber është shprehur se “në politikë arrihet e mundshmja vetëm kur synohet sistematikisht e pamundura”.

Brunilda Ternova

Arjola Dedaj – Shqiptarja e pamposhtur

Kledi Kadiu pritet nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë Edmond Haxhinasto