Legistët e Bolonjës: “Nevojitet ministri për rindërtimin jo për integrimin”
Romë, 8 maj 2013 – Lega e Bolonjës nis një peticion kundër ‘ius soli’, shtetësisë së fëmijëve të emigrantëve të lindur në Itali, dhe kundër hipotezës së shfuqizimit të veprës penale të klandestinitetit.
Ditë e parë e mbledhjes së firmave është caktuar e shtuna në një kioskë të ngritur apostafat në sheshin Negrisoli nga ora 9 deri në orën 12. Lega do t’i bashkojë kërkesës për “largimin e romëve që pushtojnë në mënyrë abuzive spitalin” edhe mbledhjen e firmave “për të ndaluar projektin e zi të ministres Cecile Kyenge për të futur shtetësinë sipas parimit të ius soli-t, gjë që do të çonte vendin në kaos”. Shpjegon kryetari i grupit legist në komunë dhe përgjegjësi i departamentit të sigurisë, drejtësisë dhe imigracionit të Legës, Manes Bernardini.
Sipas këshilltarit emilian “po aq e zezë është edhe hipoteza e heqjes së veprës penale të imigracionit klandestin, shenjë qytetërimi, që për më tepër, parashikohet edhe nga sistemi ligjor francez, gjerman dhe anglez”.
“Në vend të një ministrie që në kohë krize nuk mendon tjetër veçse të heqë rregullat për hyrjen në vendin tonë, do të kishim parapëlqyer një ministri për rindërtimin, kushtuar territoreve të shkatërruara nga tërmeti dhe fatkeqësitë natyrore që – përfundon Bernardini – të lënduar edhe nga ‘kura e Montit’, kanë nevojë për kura speciale për plagët që rrezikojnë të mbeten të pashlyeshme”.