Dukej se dje reforma në drejtësi mori Po-në e pozitës dhe opozitës në Shqipëri. Por dy çështje të tjera lidhur me Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë sollën kthesën negative
Nga Ani Ruci
Debati në Shqipëri për reformën në drejtësi vazhdon. Pas arritjes së marrëveshjes të ndërmjetësuar nga komisioneri Hahn, dukej se palët ranë dakord, siç e konfirmuan edhe liderët e partive kryesore politike. Por në natën e së mërkurës sërish ka pasur mosmarrëveshje. PD-ja ka kërkuar të ketë pjesëmarrjen e saj edhe në komisionet e përzgjedhjes së kandidatëve për Këshillin e Lartë të Gjyësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. PS-ja këmbëngul që formula e zgjedhjes së organeve të reja të jetë e njëjtë me atë të vetingut. Janë këto pikat që sollën përçarjen mes palëve dhe prishin konsesusin duke rrezikuar reformën në drejtësi.
Filllimisht u duk se negociatat e vështira të kësaj fillim jave mes palëve u mbyllën me sukses. Mediat e Tiranës iu referuan një bisede telefonike që kryetari i opozitës Lulzim Basha zhvilloi me kancelaren gjermane Angela Merkel, menjëheherë pas arritjes së marrveshjes. Merkel citohet të ketë thënë që “zbatimi me sukses i reformës në drejtësi është ogur i mbarë për integrimin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”.
Por mandati i ekspertëve ndërkombëtarë në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, që ishte arsyeja kryesore e kundërshtimit të opozitës për të votuar propozimin amerikan të draftit kushtetues të reformës në drejtësi u paraqit në dy mënyra të ndryshme nga palët. Kryetari i opozitës, Basha tha se marrëveshja u arrit pasi mandati i tyre ndryshoi nga ekzekutiv dhe vendimarrës në rekomandues. Kurse kryeministri Edi Rama dhe kryetar i PS-së deklaroi se nuk ka ndryshuar asgjë nga projekti hibrid që Ndihmës Sekretarja e Shtetit, për Çështjet Europiane dhe Euro-Aziatike në SHBA, Victoria Neuland, solli 10 ditë më parë kur ajo vizitoi Tiranën lidhur me këtë çështje.
Presion për të arritur marrëveshje
Marrëveshja për një votë konsensuale pro projektit amerikan të draftit kushtetues të reformës në drejtësi u arrit pas një presioni të gjithanshëm ndaj politikanëve drejtues që e kundërshtonin këtë projekt për shkak të dispozitës së rolit të ekspertëve ndërkombëtarë. Apele nga Uashingtoni dhe Brukseli, që u investuan fuqishëm për rreth 2 vjet në gjithë procesin e kësaj reforme, iu drejtuan në ditët e para të kësaj jave klasës politike: apel nga shoqëria civile, që zhvilloi tubime mbështetëse para Parlamentit për votën konsensuale, apel nga komunitetet fetare, apel nga intelektualë të mirënjohur, artistë dhe shkrimtarë, mes tyre edhe Ismail Kadare. Por apelet deri në pasditen e së mërkurës binin në vesh të shurdhër.
Disa orë para marrveshjes PD deklaroi se do ta jepte konsensusin e vet nëse nga drafti amerikan do të hiqej dispozita lidhur me aplikimin e qytetarëve të Shqipërisë për të qenë pjesë e procesit të “Vetting” ose ndryshe të “Rivlerësimit” të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një deklaratë të fundit e quajti këtë dispozitë “poshtëruese që cënon normat dhe të drejtat e njeriut”. Ai këmbënguli që të huajt duhet të kishin në procesin e Vetting-ut vetëm rol monitorimi dhe jo vendimmarrës, pasi sipas tij kjo do të cënonte “sovranitetin kombëtar të Shqipërisë.”. Me fjalë të tjera PD-ja nuk pranonte që ekspertët e huaj të bënin vlerësime për kualifikimin e komisionerëve që do të realizojnë “Vetting-un”.
SHBA: pasoja të rënda afatgjata individuale për politikanët kundër reformës
Në marrëveshjen e sapo arritur duket se rol vendimtar do të ketë luajtur gjuha tejet e ashpër e Uashingtonit. 24 orë para votimit, (21.07) Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çëhtjet e Europës dhe të Euro-Azisë, Victoria Nuland i adresoi përsëri klasës politike të Tiranës apelin që të gjejë sa më shpejt zgjidhjen për të votuar propozimin hibrid amerikan. “Shtetet e Bashkuara dhe unë personalisht kemi qenë për një kohë të gjatë mbështetës të demokracisë shqiptare. Shqipërisë i duhet kjo reformë. U bëj thirrje patriotëve shqiptarë të mbështesin propozimin hybrid, që unë përkraha gjatë vizitës sime në Tiranë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të shpresojnë se udhëheqësit politikë do t’i zgjidhin dallimet që kanë dhe të bashkohen përreth propozimit hibrid. Nëse nuk munden, përgjegjësia do të jetë e deputetëve individualisht që të votojnë në favor të reformave që po kërkojnë 91% e shqiptarëve”, apeloi Nuland.
Se çfarë do të ishte përgjegjësia individuale e detajoi ambasadori I SHBA-së në Tiranë, Donald Lu. Ai tha një ditë më parë, se udhëheqësit politikë që do të votonin kundër reformës do të kishin “pasoja specifike negative, të rënda dhe afatgjata nga Shtetet e Bashkuara”. Ai bëri me dije se po u dorëzonte partive politike hollësitë mbi këto pasoja “sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni”
Kryeministri Rama tha (20.07) se PD-ja iu nënshtruavullnetit të të gjithë shqiptarëve për reformën në drejtësi. Ai tha se marrëveshja nuk ndryshon aspak draftin dhe se roli indërkombëtarëve do të jetë po ai. Rama vuri në dukje që në Shqipëri nuk mundi të formohej” asnjë grupim që do ta damkoste vendin me një njollë të pashlyeshme, si një vend ku betejat politike zhvillohen mes një pale që është me SHBA-në dhe BE-në dhe palës tjetër që vë bë dyshim themelet e tyre.”
Seanca plenare e votimit të draftit kushtetues të reformës në drejtësi do të nisë me miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë për të ngritur strukturat e reja me mandatet përkatëse në sistemin e reformuar të drejtësisë.
Botuar në Deutsche Welle