in

Refugjatët në kufi me Shqipërinë. Tirana i kërkon ndihmë policisë italiane

Nga 15 marsi rreth njëzet policë italianë të kufirit në ndihmë të policisë shqiptare në rast se konstatohet vërtet itinerari i ri drejt Shqipërisë

Romë, 11 mars 2016 – Edhe pse ministri i Brendshëm italian deklaroi dje se “tani për tani Italia nuk duhet t’i trembet një itinerari të mundshëm adriatik” që mund të sjellë flukse të mëdha migrantësh nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane, lajmi i sotëm është që në të vërtetë Italia i druhet shumë këtij skenari, aq sa nga 15 marsi do të çojë fillimisht rreth 20 agjentë të policisë së kufirit në Shqipëri që do të rreshtohen krah forcave shqiptare në kufirin me Greqinë.

Duket se janë kërkuar nga autoritetet shqiptare për të përforcuar mbrojtjen e linjës kufitare greko-shqiptare, në kuadrin e bashkëpunimit mes Italisë e Shqipërisë për parandalimin e administrimin e flukseve të migrantëve, për të cilin u diskutua gjatë takimit të fundit të Tahirit me Alfanon.

Tani për tani, nga Brukseli mësohet vetëm që do të jenë autoritetet shqiptare që do të vendosin ku dhe si do të përdorin forcat italiane. Nuk dihet akoma nëse numri i forcave italiane që do të angazhohen në Shqipëri parashikohet të rritet nëse ai që sot konsiderohet rrezik – dyndje në Shqipëri e migrantëve – kthehet në realitet.

Do të jetë hera e parë që nga lufta e dytë botërore që në kufirin greko-shqiptar do të rreshtohen edhe forca italiane. Por, gjendja e jashtëzakonshme kërkon edhe zgjidhje të jashtëzakonshme.

 

 

 

Shërbimi Civil. Reforma e shtrin edhe për të rinjtë e huaj

Dita e Verës, festa jonë pagane