Një hap i rëndësishëm për të pasur nesër të drejtën e votës nga aty ku shqiptarët jetojnë realisht. “Për t’i dhënë fund njëherë e mirë errësirës së informacionit por mbi të gjitha mungesës së shërbimit për të gjithë ata shqiptarë që kanë ndërtuar jetën e tyre, me familjet e tyre jashtë Shqipërisë” shprehet ministri i brendshëm Tahiri.
Për ministrin e Jashtëm Bushati, nisma “është tregues i qartë i vullnetit politik që ka qeveria për t’i kthyer mbrapsht borxhin që ka Shqipëria ndaj shtetaseve të vet që kanë kontribuuar për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit gjatë këtyre 25 vjetëve”
Romë, 12 janar 2016 – Pas 25 vjetëve nga largimet e para në masë të shqiptarëve nga Vendi i tyre, më në fund qeveria merr vendim për regjistrimin e tyre. Jo vetëm për të ditur sa janë, gjë që edhe sot e kësaj dite Shqipëria nuk di me saktësi, por mbështetet në statistika të vendeve pritëse – shpesh të pjesshme, të pasakta e të vjetra – por edhe për të mësuar adresat e tyre të sakta, mbi të cilat nuk ka asnjë informacion deri më sot, dhe që është një nga pikat bazë për të çuar përpara një ditë edhe projektin e dhënies të së drejtës së votës shqiptarëve atje ku jetojnë.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, ministri i Brendshëm Tahiri dhe ai i Jashtëm Bushati kanë deklaruar se dje qeveria miratoi “projektligjin për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë”.
“Ky është një proces mjaft i rëndësishëm në kuadër të një procesi tjetër për krijimin e regjistrit unik të shtetasve dhe të adresave, i quajtur “Popullimi”. I cili do të konsistojë, përveç përmirësimit të sistemit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sa i takon regjistrit të Gjendjes Civile dhe regjistrit të adresave, edhe një proces i cili do të shkojë derë më derë të çdo familje shqiptare, për të bërë popullimin e dy regjistrave dhe për të bërë në një, për t’i dhënë fund dyshimeve apo mungesës së informacionit që kemi pasur në këto 20 e kusur vite, për sa shqiptarë jemi brenda vendit dhe se ku banojmë” ka shpjeguar Tahiri.
Regjistrimi do të realizohet vetëm përmes strukturave shtetërore në Shqipëri, përfaqësive diplomatike shqiptare në botë dhe vetëdeklarimit të qytetarëve online. Tani për tani akoma nuk është e qartë si do të veprohet konkretisht por disa kanale mund edhe të kuptohen lehtë: për shembull, në çastin e kërkimit të një certifikate në konsullatë, gjë që është e mundshme nga fillimi i këtij viti, qytetarëve u kërkohet një dokument i vlefshëm italian që përmban edhe rezidencën. Gjithashtu është e natyrshme të mendohet se me ardhjen në fuqi të ligjit Qeveria do të vërë në dispozicion një portal për vetëregjistrimin e emigrantëve.
Regjistrimi i popullsisë në emigracion është parësor për një Vend si Shqipëria me rreth një të tretën e popullsisë që jeton jashtë kufijve të shtetit jo vetëm nga ana statistikore por edhe për përmbushjen e detyrimeve që politika ka ndaj tyre, siç është sigurimi i të drejtës së votës. “Është një premtim i vazhdueshëm që ka dalë në sipërfaqe sa herë politika është kujtuar për emigrantët. – u shpreh dje Tahiri – Kjo qeveri, hedh hapin e parë konkret për të garantuar të drejtën e votës për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, duke i regjistruar, duke ditur ku jetojnë, krijojmë premisën kryesore për të garantuar që shtetasit shqiptar të kontribuojnë për jetën politike në vend, të kontribuojnë për klasën politike në vend, të kontribuojnë për fatet e vendit, duke vendosur fatet e të ardhmes nëpërmjet ushtrimit të të drejtës së votës”.
Edhe ministri i jashtëm Bushati pasi theksoi që kjo nismë “është tregues i qartë i vullnetit politik që ka qeveria jonë, mazhoranca jonë, për t’i kthyer mbrapsht borxhin që ka Shqipëria ndaj shtetaseve të vet që kanë kontribuuar për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit gjatë këtyre 25 vjetëve” vuri në dukje se “nuk është thjesht një akt i veçuar i qeverisë shqiptare”. “Po kaq e rëndësishme do të jetë dhe 2016-ta për sa i përket shërbimeve konsullore, të cilat falë vullnetit të qeverisë shqiptare dhe falë një fondi mbështetës, në fund të këtij viti, të gjitha shërbimet konsullore do të jenë të dixhitalizuara, për të rritur më tej transparencën ndaj bashkëkombësve tanë, për të kufizuar dhe evituar në maksimum rastet abuzive të shpërdorimit të detyrës në ofrimin e shërbimeve, të cilat janë edhe sot e kësaj dite për fat të keq prezentë. E gjithashtu përmes dixhitalizimit të shërbimeve konsullore që do të mbyllet si proces gjatë këtij viti, ne synojmë të ndihmojmë edhe procesin e identifikimit dhe evidentimit të shtetasve shqiptar kudo ku ato jetojnë. Për të shkuar gradualisht drejt jetësimit të të drejtës së votës dhe marrjes pjesë në vendimmarrjet kryesore në Shqipëri”.
Nga qytetarët kërkohet bashkëpunim: “Thirrja ime për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, është vëmendje, iniciativë dhe ndihmë për të bërë ç’është e mundur që këtë proces ta çojmë deri në fund me sukses. – tha ministri i Brendshëm – Ajo që kërkohet sot nga shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, është të regjistrohen. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kërkohet prej tyre që të japin informacionin e tyre kur të kontaktohen nga strukturat shtetërore”.
Nuk është herë e parë që flitet për registrimin e shqiptarëve jashtë atdheut. Madje vite më parë, u duk sikur u ngarkua një shoqatë shqiptare në Itali të mblidhte (fatmirësisht pa sukses, pasi nuk do të kishte asnjë garanci për përdorimin e atyre informacioneve të ndjeshme) informacione mbi vendndodhjen e shqiptarëve drejtpërdrejt nga komunat italiane. A do të jetë e suksesshme nisma e tanishme? Mbetet për t’u parë. E fillimisht duhet pritur që projektligji të miratohet edhe në parlament para se të vijë në fuqi.
Lexo edhe deklaratat e plota për shtyp të dy ministrave: Regjistrim i emigrantëve garanton shërbimet atje ku jetojnë
K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)