in

Remitancat bien. E domosdoshme që të përdoren për investime

Ekspertët bankarë sugjerojnë politika të reja me qëllim që dërgesat në para të emigrantëve, një ndër sektorët më të ekspozuar ndaj krizës ekonomike botërore, të transformohen në investime prodhuese. 475 milionë euro, shuma që emigrantët kanë çuar në Shqipëri gjatë 9-mujorit të parë të këtij viti, 9,3% më pak se një vit më parë

Tiranë, 14 dhjetor 2011 – Ekspertët bankarë sugjerojnë politika të reja me qëllim që dërgesat në para, si një nga sektorët më të ekspozuar ndaj “goditjeve” të ambientit ekonomik botëror, në kushtet e krizës ekonomike botërore, të transformohen në investime prodhuese. Banka e Shqipërisë njofton se dërgesat e emigrantëve kanë qenë një nga faktorët kryesorë të zbutjes së varfërisë në vend vitet e fundit. Statistikat dhe informacionet zyrtare konfirmojnë gjithashtu se në kushtet e krizës financiare të ardhurat valutore nga puna e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit po shënojnë rënie, ndërkohë që kthimi i tyre në Shqipëri dhe interesi për të investuar në biznes po shënon rritje.

Banka Qendrore në raportin e fundit të saj “Mbi treguesit financiarë”, bën të ditur se të ardhurat nga emigracioni për 9-mujorin e këtij viti arrinin vlerën e 475 milionë eurove, me një rënie prej 9,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithëse me rënie, remitancat vlerësohen nga ekspertët si shumë të qëndrueshme, për shkak se rënia ishte më e paktë nga ajo që pritet. Banka e Shqipërisë thotë se të ardhurat nga emigrantët varen veçanërisht nga situata e punësimit në Greqi, Itali dhe vende të tjera evropiane. Dhe rënia jo aq e lartë tregon se emigrantët kanë parapëlqyer të kursejnë në drejtime të tjera dhe jo në shumat e parave që u dërgojnë familjeve në atdhe.

Në këndvështrimin e ekspertit Artan Gjergji, ndikimi i pritur potencial i këtyre faktorëve sot në kushtet e krizës, ka sjellë përmirësim të treguesve dhe rritje të vlerës së tyre, çka është materializuar në një rritje ekonomike gjatë vitit 2010. Në 2010-tën remitancat përbënin 10 % të të ardhurave kombëtare dhe ishin tre herë më të larta se investimet neto të drejtpërdrejta të huaja.

Vitin e kaluar dërgesat e emigrantëve kanë qenë një nga burimet kryesore të financimit nga jashtë.

Duke iu referuar një vrojtimi të B.SH. rezulton se rreth 26% e familjeve shqiptare përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët. Shpërndarja gjeografike e familjeve tregon se 59% e tyre jetojnë në zonën rurale dhe diferenca në zonën urbane, duke përftuar respektivisht rreth 66% dhe 34% të totalit të dërgesave nga emigrantët. Ekspertët bankarë vërejnë se dërgesat nga emigrantët përbëjnë komponentin më të rëndësishëm në të ardhurat mujore të familjes në zonën rurale, pasi përfaqësojnë rreth 40% të saj.

Në pjesën më të madhe të tyre remitancat janë përdorur kryesisht për të plotësuar nevojat bazë të familjeve përfituese. Megjithatë kjo strukturë ka ndryshuar dhe ato tashmë përdoren për investime dhe kryesisht për të ndërtuar shtëpi të reja banimi, biznese, etj, të cilat janë në rritje.

Në vitin 2010 remitancat përbënin 10 % të të ardhurave kombëtare dhe ishin tre herë më të larta se investimet neto të drejtpërdrejta të huaja.

Vitin e kaluar dërgesat e emigrantëve kanë qenë një nga burimet kryesore të financimit nga jashtë.

 

Operacion kundër racistëve të “Militia”-s. Pesë arrestime

Nga relikti Katër i Radës tek vepra e artit për viktimat e detit