in

Rezidenca. Duhet shkuar në Komunë pas çdo përtëritjeje të lejeqëndrimit

Imigrantët duhet të paraqesin periodikisht “deklaratën e vendbanimit”. Telash për ta, problem për zyrat e Gjendjes Civile

Romë, 28 gusht 2015 – “Mirëdita, unë jetoj këtu”. Regjistrimi në listat e popullsisë së komunës dhe marrja e rezidencës është një nga hapat e parë të të huajve në Itali. Madje, duke qenë se në njëfarë mënyre është nisja e një jete të re, bëhet edhe entuziazëm.

Por padyshim më pak i pëlqyeshëm është detyrimi, që vlen vetëm për imigrantët, i kthimit periodikisht në Komunë për të përsëritur “Mirëdita, unë jetoj këtu”. Nëse nuk e bëjnë, rrezikojnë fshirjen e emrit nga lista e rezidentëve, me pasoja shumë të rënda: vazhdimësia e rezidencës për dhjetë vjet, për shembull, është kriter i domosdoshëm për të kërkuar shtetësinë.

Asnjë risi nuk mbërriti me modifikimet e “Rregullores së Gjendjes Civile të popullsisë rezidente”, që erdhën në fuqi në mes të gushtit.

“Të huajt e regjistruar në Zyrat e Gjendjes Civile – konfirmon rregullorja – kanë detyrimin e përtëritjes para nëpunësit të Komunës së rezidencës të deklaratës së vendbanimit të zakonshëm, brenda gjashtëdhjetë ditëve nga përtëritja e lejes së qëndrimit, duke paraqitur dokumentin e qëndrimit, por, sidoqoftë, ara nuk humbasin regjistrimin gjatë fazës së përtëritjes së dokumentit”.

Me pak fjalë, saherë përtërihet leja e qëndrimit, duhet përtërirë edhe regjistrimi në Zyrën e Gjendjes Civile. Pas deklarimit të vendbanimit të zakonshëm, shpjegon rregullorja, “nëpunësi i Gjendjes Civile përditëson  skedën e të huajit, duke ia komunikuar edhe Kuestorit”.

Për imigrantët ëhstë një andrallë, por procedura në fjalë u komplikon jetën edhe vetë zyrave të Gjendjes Civile, që janë të detyruara të nxjerrin nga bankat e të dhënave situatën e rezidentëve të huaj dhe t’i lajmërojnë një për një, duke u kërkuar të përtërijnë regjistrimin para se t’u heqin emrin nga listat e banorëve. Nevojiten kohë, mjete, personel dhe shpenzohen para për postën rekomandè.

“Është një barrë, veçanërisht për komunat me shumë imigrantë” konfirmon për Stranieriinitalia.it Igor Zirilli i DeA-s, shoqatës së operatorëve të shërbimeve demografike. “Veç të tjerash, nga çasti që nuk dihet kurrë sa kohë nevojitet për përtëritjen e lejes së qëndrimit, është e vështirë të caktohet një afat për t’u kujtuar të huajve të përtërijnë deklarimin e vendbanimit të zakonshëm”.

Komunave nuk u mbetet tjetër veçse të vihen në lëvizje kur mendojnë se ka kaluar shumë kohë përtej skadencës së lejeqëndrimit, mëse e mjaftueshme për përtëritjen e dokumentit të qëndrimit. E imigrantët? Kujtohen vetë të kalojnë në zyrën e Gjendjes Civile?

“Disa po, të tjerë harrojnë, e të tjerë akoma as nuk e dinë që kanë edhe këtë detyrim. Për këtë arsye është e nevojshme të informohen kur bëjnë regjistrimin e parë” nënvizon eksperti i DeA-s.

Sikur të thjeshtëzohej disi kjo procedurë do të ishte e këshillueshme, veçanërisht tani që po kalohet nga zyrat e gjendjes civile komunale në një zyrë të gjendjes civile kombëtare, tejet të informatizuar.

“Kuesturat – sugjeron Zirilli – mund t’u komunikojnë, për shembull, zyrave të gjendjes civile nëse përtërijnë e kur e bëjnë një leje qëndrimi. Do të ishte një hap i mirë përpara”.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Austri. Kamion plot me refugjatë të vdekur braktiset në autostradë

Politikani zviceran bën ironi me azilkërkuesit shqiptarë: “Mbërrijnë profesionistët”