Qytetarët jo komunitarë që jetojnë në Itali kanë të drejta të barabarta me italianët në lidhje me regjistrimin në listat e zyrave të Gjendjes Civile për marrjen e rezidencës legale.
Nuk është e pranueshme në fakt që Komuna të kërkojë për regjistrimin e të huajit, përmbushjen e disa kushteve si për shembull përshtatshmëria e strehimit e ndërtesës, të mospasurit në ngarkim i dënimeve penale apo zotërimi i të ardhurave të mjaftueshme. Çdo urdhëresë komunale që parashikon kriteret e mësipërme, sipas ligjeve në fuqi duhet të konsiderohen të paligjshme. Regjistrimi në zyrat e Gjendjes Civile edhe pse nuk është i detyrueshëm për lëshimin apo përtëritjen e lejes së qëndrimit është i rëndësishëm për të huajt kur kërkojnë shtetësinë italiane, qoftë për martesë poftë për natyralizim. Në këto raste një nga kriteret e nevojshme për të kërkuar shtetësinë është qëndrimi dhe rezidenca e rregullt në Itali për një periudhë të caktuar kohe. Nga ana tjetër edhe për të pasur kartëne identitetit nevojitet regjistrimi në zyrën e Gjendjes Civile.
Kush mund të regjistrohet
Të gjithë shtetasit jokomunitarë që jetojnë në Itali më gjatë se tre muaj e kanë lejen e qëndrimit. Pra përjashtohen nga regjistrimi të gjithë ata që gjenden në Itali për periudha të shkurtra për turizëm apo për biznes. Edhe ata që kanë kërkuar njohjen e strehimit politik dhe janë në pritje të përgjigjes së Komisionit Territorial kompetent kanë të drejtën e regjistrimit në listat e popullsisë rezidente.
Për regjistrimin nevojitet leja e qëndrimit dhe pasaporta (për kërkuesit e strehimit apo për refugjatët politikë në vend të pasaportës mjafton një dokument udhëtimi).
Rastet e veçanta të regjistrimit në zyrat e Gjendjes Civile
Normat e përgjithshme kërkojnë për regjistrimin lejen e qëndrimit të vlefshme. Nga viti 2006 është e mundur të kërkohet regjistrimi në zyrat e Gjendjes Civile edhe me lejen e skaduar apo edhe në pritje të lejeqëndrimit të parë nëse i huaji ka ardhur në Itali me vizë për bashkim familjar apo për punë. Në këto raste regjistrimi bëhet me kusht që të paraqiten dokumente të veçanta.
Në pritje të përtëritjes së lejes së qëndrimit
Në rastin kur është përkuar përtëritja e lejes së qëndrimit dhe pritet vendimi i kuesturës, mund të kërkohet regjistrimi në zyrën e Gjendjes Civile me kusht që kërkesa e përtëritjes të jetë paraqitur përpara përfundimit të afatit të lejes ose brenda gjashtëdhjetë ditëve nga data e skadimit, dhe të jetë lëshuar kuponi që dëshmon paraqitjen e kërkesës së përtëritjes. (qarkore nr. 42 e datës 17.11.2006)
Regjistrimi i të huajve të ardhur në Itali me vizë pune
Në këto raste është e nevojshme t’u tregohet punonjësve të Zyrës së Gjendjes Civile një kopje e kontratës së qëndrimit, e nënshkruar në Sportelin Unik, kopje e vizës dhe kopje e kuponit që dëshmon paraqitjen e kërkesës për lëshimin e lejes së qëndrimit për punë të varur. (qarkore nr. 16 e datës 2.4.2007)
Regjistrim i të huajve të ardhur për bashkim familjar
Në këto raste është e nevojshme t’u paraqitet punonjësve të zyrës së Gjendjes Civile kopje të vizës së hyrjes, të kuponit të paraqitjes së kërkesës për leje qëndrimi dhe e autorizimit për bashkimin familjar e lëshuar nga Sporteli Unik. (qarkore nr. 43 e datës 2.8.2007).
Si paraqitet kërkesa
Regjistrimi bëhet në zyrën e Gjendjes Civile të Komunës ku i huaji banon, duke paraqitur lejen e qëndrimit të vlefshme, pasaportën, kodin fiskal dhe patentën (nëse i huaji e zotëron), aktet e përkthyera dhe të legalizuara (apo me vulën apostille) të lindjes, martesës, divorcit dhe /ose lidhjes familjare.
Nga 9 maji kërkesa mund të paraqitet edhe me faks, postë apo me internet.
Problemet më të shpeshta që lindin kur kërkohet regjistrimi në Gjendjen Civile nga të huaj kanë të bëjnë me emrin e mbiemrin. Regjistrimi bëhet në bazë të të dhënave që gjenden në pasaportën e të huajit, por nëse vërehen dallime mes këtyre me ato të shënuara në lejen e qëndrimit, operatori i komunës ia përcjell çështjen Kuesturës, e cila me kërkesë të të interesuarit, korrigjon lejen e qëndrimit.
Avv. Mascia Salvatore, stranieriinitalia.it