in

Rikthimi i qytetarit Leka Zogu apo i aspirantit për mbret të shqiptarëve?

Në qershor 2002, familja e ish-mbretit Ahmet Zogu u kthye përfundimisht në atdhe. Leka Zogu në Rinas: “Dua të falënderoj popullin shqiptar, shtetin shqiptar që na dha këtë rast me u kthy në atdheun tonë”. Kthimi i Leka Zogut u mundësua pas një amnistie të shpallur këtë muaj për rolin e tij në trazirat gjatë referendumit për të ardhmen e monarkisë të mbajtur pesë vjet më parë. (Bota shqiptare 65, korrik 2002)

Monarkistët në Shqipëri kanë përshëndetur kthimin e familjes së mërguar mbretërore shqiptare. Mesazhi që përcolli ai me këtë rast ishte parulla e njohur e monarkistëve “Paqe-bashkim-vëllazërim”.

“Dua të falënderoj popullin shqiptar, shtetin shqiptar që na dha këtë rast me u kthy në atdheun tonë”, tha Leka Zogu në fjalët e para për shtypin.

Në ceremoninë e pritjes, e cila ishte mjaft festive, të organizuar nga përkrahësit e mbretit, merrnin pjesë dhe autoritete shtetërore dhe përfaqësues të partive politike shqiptare.

Nga avioni që pruri familjen mbretërore në Tiranë doli mbretëresha Geraldinë e shoqëruar nga deputetja socialiste Monika Kryemadhi. Në avion atyre u kanë uruar mirëseardhjen ministri i shtetit Ndre Legisi dhe përfaqësues të partive shqiptare.

Më pas nga avioni ka dalë pretendenti për fron Leka Zogu, i biri i tij dhe bashkëshortja.

Pritje e ngrohtë

Me flamuj dhe parrulla në duar disa qindra vetë kishin dalë që në orët e para të mëngjesit në aeroportin e vetëm ndërkombëtar Nënë Tereza.

“Sot të gëzojë Shqipëria, sepse vjen figura e Shqipërisë, ai që ngriti Shqipërinë dhe e ndriçoi,” tha një i moshuar me flamurin e mbretërisë në dorë mjaft i emocionuar.

Por ndër ata që kishin dalë për të pritur kthimin e familjes mbretërore kishte dhe mjaft të rinj. Një prej tyre kishte ardhur nga Lura.

“E presim me kaq entuziazëm, sepse baballarët tanë na kanë thënë se ka pasur vërtet shtet dhe se ka qenë i pari person që themeloi shtetin e ri shqiptar,” tha ai për mbretin Zog.

Familja Zogu po qëndron tani në një vilë në afërsi të selisë së qeverisë shqiptare në masa të larta sigurie.

Zyrtarë të partisë së legalitetit, partia mbretërore shqiptare nuk i ka fshehur synimet për mbajtjen e një referendumi të ri për formën e regjimit, por një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë.

Disa analistë politikë mendojnë se kthimi i familjes mbretërore është më shumë një respektim i vlerave historike të deformuara nga diktatura komuniste gjatë 50 vjetëve.

Kthim pas amnistisë

Kthimi i Leka Zogut, të birit të ish-mbretit Zog, u mundësua pas një amnistie të shpallur këtë muaj për rolin e tij në trazirat gjatë referendumit për të ardhmen e monarkisë të mbajtur pesë vjet më parë.

Mbi dy të tretat e shqiptarëve e kundërshtuan vendosjen e monarkisë gjatë referendumit të vitit 1997.

Leka Zogu, i cili ishte vetëm disa ditë kur familja e tij u largua nga Shqipëria gjatë pushtimit italian të vitit 1939, ka jetuar në Afrikën e jugut për shumicën e kohës këto 20 vitet e fundit.

Ish-mbreti Zog u rrëzua nga regjimi komunist në vitin 1946 duke ndaluar kthimin e tij.

Tetor 2002. Shqiptarët i japin lamtumirën ish-mbretëreshës Geraldine

Flukset. Ministri i Brendshëm: “Po shqyrtojmë mundësitë”