in

Romë, 5mijë euro për legalizime të rreme emigrantësh

Zbulohet një tjetër bandë kriminale me në krye një ish avokat

Romë, 13 prill 2011 – Hiqej si avokat, pasi ishte përjashtuar nga urdhri i avokatëve, një nga krerët e organizatës kriminale që pajiste në mënyrë të paligjshme me leje qëndrimi të huajt, duke përfituar nga sanatoria e shtatorit 2009 për bashkëpunëtorët familjarë, që është arrestuar nga agjentët e komisariatit Viminale të kuesturës së Romës.

Është fjala për A.R., 61 vjeçar nga Roma, që shpesh figuronte si punëdhënës emigrantësh, duke nënshkruar edhe dokumente si avokat, që përfundoi në hekura, bashkë me një tjetër roman O.S., 57 vjeç.

Gjatë të njëjtit operacion përfunduan në arrest shtëpiak edhe katër bengalezë, që kishin për detyre të ndërmjetësonin, pra të lidhnin të huajt me dy krerët e bandës. A.R. dhe O.S., që siguronin dokumentacionin e nevojshëm për legalizimin si një adresë strehimi, përshtatshmëri strehimi dhe emrin e një punëdhënësi, u kërkonin të huajve deri 5 mijë euro për “shërbimin”.

Imigrantët, që shpesh nuk arrinin të merrnin lejen e qëndrimit, por as nuk denonconin për frikën e dëbimit, duhej të jepnin paratë me dy tri këste. Hetimet nisën në janar të vitit 2010 kur agjentët gjetën një modul të parregullt që ish paraqitur në një komisariat të Romës. Gjatë kontrollimeve, të kryera nga agjentët e komisariatit të zonës Viminale, u sekuestruan edhe dhjetëra dokumente të përdorura në zyrat e policisë për lëshimin e një vendbanimi (cessione di fabbricati) e për nisjen e procedurave të legalizimit të jokomunitarëve.
Organizata kishte pajisur me dokumente qëndrimi rreth 200 të huaj, kryesisht bengalezë, por edhe egjiptianë, pakistanë dhe indianë. Në disa raste punëdhënësit që figuronin në kërkesat e legalizimit ishin persona të vdekur.

Janë rreth 70 vetë të hetuarit mes punëdhënësve të rremë, ndërmjetësuesve dhe profesionistëve të tjerë.

Ndërpritet sërish linja Vlorë-Brindisi

Firence: Palestra nuk pranon shqiptarët