Futen në fuqi rregullat e reja për dëbimet; dekret ligji i qeverisë që duhet të përshtatë ligjin italian me normativat evropiane. Të shumta risitë, ja më kryesoret
Romë, 1 korrik 2011 – Riatdhesim vullnetar apo shoqërim në kufi? Hyjnë në fuqi dy rrugët e mundshme të largimit nga Italia për shtetasit jo komunitarë pa dokumente qëndrimi që zbulohen nga forcat e rendit, ndërsa zgjatet deri në 18 muaj qëndrimi maksimal në Cie.
Këto janë disa nga të rejat e parashikuara nga një dekret ligj i qeverisë, në fuqi nga 24 qershori. Ai u aprovua nga Këshilli i Ministrave për të përshtatur legjislacionin italian me atë evropian. Të shohim të rejat më të rëndësishme.
Shoqërimi i menjëhershëm në kufi tani e tutje parashikohet vetëm atëherë kur emigranti pa dokumente përbën një rrezik për rendin publik, për sigurinë publike ose sigurinë kombëtare; kur ka paraqitur një kërkesë të pabazuar ose me elementë të rremë për lejeqëndrim, kur dëbimi përbën një alternativë për burgimin. Përveç kësaj, dhe ndoshta do të jetë rasti më i përdorur, shoqërimi i menjëhershëm në kufi bëhet kur ka rrezik që në vend që të kthehet vetë në atdhe, emigranti “zhduket”.
Por kur ka rrezik e arratisjeje? Duke lënë pak hapësirë për interpretim, dekreti përcakton situatat e ndryshme që justifikojnë riatdhesimin me forcë të emigrantit të dokumente qëndrimi : kur nuk ka pasaportë, kur nuk mund të dëshmojë se ka një banesë të qëndrueshme, në rast se në të kaluarën ka dhënë gjeneralitete të rreme, nëse nuk i është bindur një urdhër dëbimi, kur ka shkelur një nga masat e garancisë të parashikuara për riatdhesimet vullnetare, për të cilat flasim më poshtë.
Dekreti gjithashtu parashikon zgjatjen deri në tetëmbëdhjetë muaj (deri tani ishin gjashtë) të kohës maksimale të mbajtjes në Qendrat e Identifikimit dhe Dëbimit, në rastet kur emigranti nuk bashkëpunon për identifikimin ose në rast se nga vendi i tij nuk mbërrijnë dokumentet e nevojshme. Zgjatjet e afatit, çdo dy muaj, duhet të jepen nga Gjykatësit e Paqes. Në rastet kur nuk ka nevojë për shoqërimin në kuqi, parashikohet riatdhesimi vullnetar. Me kërkesë të emigrantit të parregullt, prefekti mund t’i japë atij nga 7 deri në 30 ditë për t’u larguar vetë nga Italia, me kusht që të dëshmojë se ka një shumë të hollash.
Gjithashtu ai i nënshtrohet masave të garancisë si për shembull dorëzimi i pasaportës, detyrimin për të qëndruar në një banesë të caktuar ose paraqitja në orë e ditë të caktuara në një stacion policie. Dekreti vendos gjithashtu që ndalimin e ri-hyrjes në Itali për ata që janë dëbuar nuk mund t’i kapërcejë të pesë vjetët. Për më tepër, ky ndalim mund të hiqet për emigrantët pa dokumente qëndrimi që kthehen vullnetarisht, edhe përmes “programeve për kthimin e asistuar”, të hartuar e realizuar nga organizata ndërkombëtare, autoritete lokale dhe shoqata që merren me asistencën për emigrantët.
Së fundi, për emigrantët e paligjshëm të zbuluar nga policia në kufi, ndërsa ata janë duke u larguar nga Italia, tani e tutje nuk do të jepet dëbimi, pra në këtë mënyrë nuk do të ketë ndalim ri-hyrjeje. Një ndryshim i rëndësishëm ky për punëtorët e huaj, që jetojnë në Itali pa dokumente qëndrimi dhe që duan të marrin dokumentet nëpërmjet dekretit të flukseve. Tani e tutje, mund të kthehet pa frikë në atdhe për të marrë vizën e hyrjes.
Elvio Pasca