in

Bie nga kati i tretë e thyen kockat. Nga spitali në burg sepse i gjejnë 3 kg kokainë në shtëpi

Bolonjë. Një shqiptar 38 vjeç bie nga kati i tretë teksa rregullonte parabolën dhe shpëton vetëm me kocka të thyera. Nuk i shpëton policisë që, e lajmëruar nga ndihma e shpejtë që nuk beson rrëfimin e diskutueshëm të ndodhisë nga 38-vjeçari, i  kontrollon shtëpinë dhe i gjen 3 kg kokainë dhe 9.000 euro

Romë 6 shkurt 2012 – Për shkak të motit të keq, një 38-vjeçar shqiptar në San Lazzaro të Bolonjës nuk sheh mirë programet e DigitAlb-it dhe del në ballkon të rregullojë antenën. Pak lëvizje, humb ekuilibrin dhe bie nga kati i tretë.

Fati e do që të shpëtojë paq, vetëm me disa thyerje të kockave të legenit, në njërën shputë këmbe dhe me një traumë në kokë. Ndihma e shpejtë e Bolonjës që arrin në vendngjarje, i jep ndihmën e parë ndërsa 38-vjeçari u tregon infermierëve se ç’i ngjau.

Duke mos i besuar rrëfimit të tij, mjekët lajmërojnë policinë që vjen në vendbanimin e shqiptarit teksa ky ishte tashmë në barelë. Vërtetojnë fjalët e tij: gjejnë derën e shtëpisë të mbyllur nga brenda, derën e ballkonit të hapur dhe gjurmët e rënies së tij nga antena në borë. Por veç këtyre zbulojnë edhe 3 kg kokainë, peshore e të gjitha materialet e nevojshme për konfeksionimin e dozave, disa celularë dhe 9 mijë euro para të thata.  Për këtë arsye kanë arrestuar menjëherë 38 vjeçarin (pasi e kanë çuar edhe në spital).  

38-vjeçari nuk ka pranuar të ketë lidhje me drogën. Rezident në provincën e Bergamos, ka shpjeguar se këtë apartament e ndan me një çift të rinjsh shqiptarë. Në fakt apartamenti është i një italiani që ia ka dhënë me qira një vajze shqiptare dhe të fejuarit të saj, që nuk është i plagosuri. Policia ka nisur  hetimet për gjetjen e çiftit, për të cilët i plagosuri thotë se nuk i njeh mirë dhe se u di vetëm emrin.

Fjalorë të rinj mbi historinë e Shqipërisë dhe të Kosovës nga Robert Elsie

Katër persona në gjyq për aksidentin në punë që la të paralizuar Shaban Hasajn