in

Rreth 750 mijë fëmijë imigrantësh në bankat e shkollave italiane

Nuk janë të gjithë “të huaj”, gjysma e tyre kanë lindur në Itali por për shkak të ligjit italian kanë vetëm pasaportën e një vendi që ndoshta nuk kanë parë kurrë. Ministrja e Arsimit: “Të jetosh me bashkëmoshatarë të kulturave, besimeve fetare dhe traditave të tjera është pasurim për shkollën. Të mëson të orientohesh në botë”

Romë, 24 shtator 2013 – Shkolla italiane është gjithnjë e më multietnike. Plot 736.654 persona, apo 10% e të gjithë nxënësve (7.878.661 vetë) që sapo kanë nisur vitin shkollor janë të huaj. Të paktën për pasaportën që kanë në xhep, sepse 44,2% e tyre kanë lindur në Itali e shumë prej tyre as nuk kanë vënë këmbë ndonjëherë në atdheun e të parëve. Madje, përqindja e të lindurve në Itali shkon deri në 80 për të regjistruarit në kopshtet e fëmijëve.

Pjesa më e madhe e nxënësve të huaj (271.857) janë në shkollë fillore, 180.515 ndjekin shkollën e mesme, 169.963 ndjekin ciklin e dytë të tetëvjeçares dhe 114.319 janë në kopsht.

Gjithsesi vërehet një rënie e ndjeshme krahasuar me vitin e shkuar (2012/2013) kur bijtë e imigrantëve në bankat e shkollave ishin rreth 800 mijë, madje edhe krahasuar me vitin shkollor 2011/2012 kur ishin 755.939.

“Janë gjithnjë e më të forta nevojat e integrimit përballë një shoqërie globale në të cilën flukset migratore drejt Italisë, veçanërisht nga vendet më të varfra, shpesh të përfshira në luftë janë përditë e më të shumta”. E ka theksuar ministrja e Arsimit Maria Carrozza duke folur për prioritetet e qeverisë në ceremoninë e inaugurimit të vitit të ri akademik që këtë vit ka pasur si teme “Bota në shkollë, shkolla në botë”. “Integrimi – ka shtuar ajo – është faktor pasurimi për djemtë e vajzat tona. Të mëson si të orientohesh në botë, si të zhvillosh ndjenjën e solidaritetit dhe të kuptosh problemet nga perspektiva të ndryshme”. “Shkolla është institucioni kryesor i integrimit, është vendi në të cilin të rinjtë përjetojnë eksperiencat e tyre të para në marrëdhëniet shoqërore, të pavarur nga familjet. Është vendi ku bashkëjetojnë kultura besime fetare dhe tradita të ndryshme” ka përfunduar fjalën e saj ministrja.

Redaksia Shqiptari i Italisë

Rotacioni politik në Shqipëri. Vazhdimësi apo Ndryshim?

Shkolla shqipe Scanderbeg e Parmës nis regjistrimet për vitin 2013/2014