Më datë 7 nëntor 2010, nga ora 21:00 e deri në të gdhirë, Firenze do të shndërrohet në kryeqytetin e muzikës shqiptare. Në skenën e FLOG-ut, sallë e njohur në kryeqytetin toskan, do të këndojnë këngëtarët e mirënjohur Alban Skënderaj, Miriam Cani, Pirro Çako dhe MR Tuka Pox Band.
Rete Albanesi in Toscana (RAT ONLUS) është një rrjet shoqatash dhe individësh që ka si objektiv kryesor përfaqësimin e shqiptarëve në rajonin e Toskanës. RAT vepron në gjithë territorin e Toskanës dhe më gjerë, duke u munduar ti japë përgjigje të kualifikuara nevojave të shqiptarëve. Njëkohësisht është shndërruar dhe në një pikë referimi për institucionet e rajonit. Për tu prezantuar me komunitetin shqiptar, por edhe me atë italian, Rrjeti ka zgjedhur gjuhën e muzikës.
Organizimi i këtij evenimenti është bërë i mundur nga përkushtimi dhe puna e një grupi të rinjsh që bëjnë pjesë në shoqatën GAT, pjesë edhe kjo e Rrjetit të shqiptarëve në Toskanë.
Për informacione të mëtejshme mbi aktivitetet e RAT dhe detaje rreth koncertit të sipërpërmendur, mund të kontaktoni me mail në: retealbanesitoscana@gmail.com, ose telefonikisht në numrin 0575 1948039.