Si çdo vit, në fund të janarit janë përditësuar rrogat minimale të bashkëpunëtorëve familjarë dhe shumat për ngrënie e fjetje për ata që bashkëjetojnë me punëdhënësit. Të gjitha vlerat kanë pësuar një rritje të lehtë që varet nga rritja e kostos së jetesës.
Vlerat ndryshojnë sipas niveleve të parashikuara nga kontrata kombëtare të punonjësve shtëpiakë. Ato shkojnë nga 580,50 euro në muaj për bashkëpunëtore pa përvojë (niveli A) deri në 1.108,23 euro të parashikuara për dikë që kujdeset për një person të pavetëmjaftueshëm e që ka një formim të përshtatshëm profesional (niveli DS). Sipas ligjit, punëdhënësit nuk mund të ofrojnë paga më të ulëta. Për të mësuar më shumë, të gjithë mund t’u drejtohen patronateve falas.
Ndërkaq arrin edhe një risi për punëdhënësit me kujtesë të dobët: celulari do t’u kujtojë kur duhet të paguajnë kontributet.
Për punësimin për kohë të plotë (40 orë në javë), këtej e tutje rroga minimale është ajo që tregohet në tabelën e mëposhtme sipas niveleve të ndryshme të inkuadrimit të punonjësve dhe në bazë të faktit nëse punonjësi bashkëjeton apo jo me punëdhënësin.
Nivelet e inkuadrimit të bashkëpunëtorëve familjarë
Për të parë nivelin e inkuadrimit të punonjësit shtëpiak i referohemi Kontratës kolektive kombëtare të Punës shtëpiake të 13 shkurtit 2007 që skadon më 28 shkurt 2011. Kjo kontratë aplikohet edhe për punonjësit që kujdesen për persona jo të vetëmjaftueshëm apo invalidë.
Niveli A: punonjës që nuk janë punësuar për t’u përkujdesur për ndonjë person, pa përvojë profesionale apo me përvojë maksimumi njëvjeçare, që kryejnë punë krahu nën kontrollin e drejtpërdrejtë të punëdhënësit. Ndërsa janë të nivelit A super, personat që shoqërojnë persona të vetëmjaftueshëm, gratë që mbajnë fëmijët me raste e për pak kohë.
Niveli B: punonjësi me përvojë mbi njëvjeçare me aftësi specifike profesionale. Inkuadrohen në nivelin B bashkëpunëtorët që mbulojnë detyra të ndryshme, rojet, kamerierët, shoferët. Shumica e bashkëpunëtoreve familjare që pastrojnë shtëpitë ( të ashtuquajturat colf) inkuadrohen në nivelin B.
Në nivelin B Super inkuadrohen personat që përkujdesen për të moshuar e fëmijë të vetëmjaftueshëm, që merren edhe me gatimin dhe pastrimin e shtëpisë.
Niveli C: punonjës me aftësi profesionale të tilla që u lejojnë të mbajnë shtëpinë në mënyrë krejtësisht të pavarur, pa pasur nevojë për mbikëqyrjen e punëdhënësit. Të këtij niveli janë kuzhinierët.
Në nivelin C Super janë bashkëpunëtorët familjarë (pa diplomë profesionale) që përkujdesen për persona jo të vetëmjaftueshëm, që merren edhe me gatimin dhe pastrimin e shtëpisë. Shumica e kujdestareve për të moshuar, të sëmurë e fëmijë të vegjël (të ashtuquajturat badante) inkuadrohen në nivelin C Super.
Niveli D: punonjës të diplomuar për punët me të cilat merren, të cilët në autonomi të plotë administrojnë e koordinojnë punët e shtëpisë. Të nivelit D të thjeshtë administratorët e të mirave të familjes, maxhordomët; kryekuzhinierët.
Në nivelin D Super inkuadrohen kujdestarët e personave jo të vetëmjaftueshëm, të diplomuar për këtë profesion (infermierë të diplomuar të përgjithshëm, kujdestarë të diplomuar të moshuarish), që merren edhe me gatimin dhe pastrimin e shtëpisë.