in

Rrugëtimi shqiptar: nga emigrimi në Itali në integrimin evropian

Më 29 janar 2018 në Spazio Europa në qendër të Romës do të mbahet konferenca e organizuar nga shoqata italo-shqiptare Occhio Blu – Anna Cenerini Bova dhe agjencia  EPOS që synon të sjellë, krahas bilancit dhe reflektimit mbi njëçerekshekull emigracion shqiptar në Itali, edhe mbi ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian

 

Rrugëtimi shqiptar: nga emigrimi në Itali në integrimin evropian” është titulli i  konferencës që do të mbahet më 29 janar (ora 14:00-18:30) në Romë, në Spazio Europa (Via IV Novembre, 149), e organizuar nga shoqata kulturore Occhio Blu-Anna Cenerini Bova dhe nga Agjencia Ndërkombëtare e Negocimit dhe Ndërmjetësimit, EPOS, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Itali dhe Qendrën e Studimeve dhe Kërkimeve IDOS, me mbështetjen e Fondacionit MIGRA. Synon të sjellë një bilanc e të kthehet në një çast reflektimi rreth integrimit të komunitetit shqiptar në Itali, rreth prurjeve të tij në shoqërinë italiane, rreth kontributit që ky komunitet i ofron Shqipërisë, si në aspektin e zhvillimit ashtu edhe në atë të integrimit në gjirin e BE-së, rreth rrugës së deritanishme e sfidave të reja të vendlindjes drejt Evropës, por edhe ndaj një pjese të madhe të popullsisë që jeton jashtë.

“Padyshim pritja e hapjes në vitin 2018 të negociatave për hyrjen e Shqipërisë në Evropë frymëzoi idenë e një prezantimi, pikërisht në fillim të këtij viti, të rezultateve veçanërisht pozitive të arritura nga emigracioni shqiptar në Itali – deklaron ambasadori Mario Bova, president i shoqatës Occhio Blu-Anna Cenerini Bova – Ky sukses, i cili shpaloset në shumë sektorë të ekonomisë dhe kulturës, mund të konsiderohet edhe si një nga shenjat e prekshme të evropianizimit që Shqipëria ka bërë gjatë periudhës së tranzicionit, duke dëshmuar se e meriton statusin e vendit anëtar të BE-së. Reflektimi, për më tepër, do të nxjerrë në pah vlerën e shtuar që emigracioni shqiptar ka sjellë në shoqërinë italiane në sektorë të ndryshëm dhe do të hapë një debat mbi efektet që me të drejtë priten në Shqipëri nga perspektiva evropiane”.

Janë thirrur të debatojnë në tre seksione të ndryshme të konferencës studiues e ekspertë në fushën e migracionit, të marrëdhënieve ndërkombëtare e të të drejtë evropiane, personalitete të kulturës dhe të politikës shqiptare e italiane.

Në të parin, “Kontributi i emigracionit shqiptar në shoqërinë italiane”, të moderuar nga ambasadori Mario Bova, objektivi kryesor është vënia në pah e faktit që integrimi i shqiptarëve është vlerë e shtuar për Italinë. Në të gjitha aspektet: ekonomi, shoqëri, kulturë. Krahas arritjeve do të vihet theksi edhe në problemet që emigracioni shqiptar akoma has, në të drejtat civile të parealizuara nga politika italiane e ajo shqiptare, në vështirësitë për ruajtjen e identitetit. Do të jetë rasti të flitet për të analizuar problemet e brezit të dytë, shpesh i huaj në Shqipëri e jo plotësisht i pranuar në Itali (për shembull, mungesa e politikave shqiptare për mbajtjen pranë të shqiptarëve jashtë atdheut e fundosja e reformës së shtetësisë italiane në Senat); për të analizuar mungesën e shumëvjeçare të vëmendjes së shtetit shqiptar ndaj diasporës dhe premtimet e fundit e qeverisë; për t’u fokusuar në çështje si pjesëmarrja aktive në vendimmarrje si në Itali ashtu edhe në Shqipëri, pa harruar çështje të prekshme nga të gjithë e ende të parealizura si marrëveshja mbi për mbrojtjen sociale, e drejta e votës, mësimi i gjuhës shqipe etj.
Këtë do të ofrojnë analizat e dëshmitë e oratorëve si Tatiana Esposito, drejtuese e Drejtorisë së përgjithshme për Imigracionin e Politikat e integrimit në ministrinë e Punës, Rando Devole, sociolog e studiues i emigracionit shqiptar, Ugo Melchionda, president i Qendrës së Studimeve dhe kërkimeve IDOS (botues i dosierit të përvtshëm mbi imigracionin në Itali), Roland Sejko, regjisor e gazetar (autor i filmit Anija, fitues i çmimit David di Donaello 2013 si dokumentari më i mirë, themelues e drejtues për shumë vjet i “Botës shqiptare”, gazeta e parë të shqiptarëve në Itali), Francesco Altimari, profesor në universitetin e Cosenza-s, studiues i historisë, gjuhës dhe letërsisë shqipe,  Anila Husha, eksperte imigracioni në ministrinë e Punës, Gentian Alimadhi, avokat e ish kandidat në primariet për kryebashkiakun e Parmës. Në këtë panel, i shumëpritur është Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, që do të ketë rastin të tregojë rreth asaj çka është bërë në 100 ditët e para të qeverisë lidhur me diasporën e rreth objektivave konkretë që synon të realizojë në këto vite të mandatit.  

Seksioni i dytë, “Kthimet”, do të ketë në qendër kontributin që migrantët e kthyer i ofrojnë Shqipërisë. Në shumë aspekte, jo thjesht ai ekonomik e demografik, por çka është më e rëndësishme, ata ofrojnë në mënyrë të natyrshme një frymë evropiane formimi e pune, që kanë fituar në vendet perëndimore ku kanë jetuar për vite me radhë, si dhe kthehen në ura të forta njohjeje reciproke dhe bashkëpunimi mes dy ekonomive e kulturave. Nën moderimin e Rando Devoles në këtë debat do të sjellin kontributin e tyre Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, Milva Ekonomi, parlamentare dhe ish ministre e Punës dhe e Turizmit, Donika Hoxha, drejtoreshë e Diplomacisë Ekonomike dhe Publike në ministrinë e Evropës dhe të punëve të Jashtme, Endri Xhaferaj, ekspert në fushën e kooperimit italo-shqiptar, dhe Sonila Alushi presidente e Fondacionit Migra.

Seksioni i tretë me temë “Shqipëria dhe Evropa” synon të hedhë dritë në rrugën e sfidat e vendit drejt të shumëdëshiruarit integrim në BE, në një çast tejet të rëndësishëm, kur Brukseli do të diskutojë për zgjerimin e mëtejshëm dhe rreth hapjes së negociatave me Tiranën. Oratorët e këtij debati do të përpiqen të japin përgjigje për pyetje si: Ç’përfaqëson BE për shqiptarët? Si ka evoluar opinioni publik në Shqipëri rreth integrimit evropian? Ç’përgjegjësi e të mira sjell për shqiptarët hyrja në Bashkimin Evropian? Si e sheh Parlamenti Evropian rrugën e deritanishme të Shqipërisë?
Edhe në këtë seksion do të debatojnë ekspertë e politikanë të nivelit të lartë si Elly Schlein, europarlamentare italiane, nënkryetare e Komisionit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eksperte në të drejtën evropiane, Esmeralda Hasani, këshilltare e Ministrit të Shtetit për diasporën, Germano Dottori, docent i Studimeve Strategjike në Universitetin Luiss-Guido Carli dhe këshilltar shkencor i revistës gjeopolitike Limes, Nicola Pedrazzi, historian, gazetar, ekspert i marrëdhënieve italo-shqiptare. Ky debat do të moderohet nga Emanuela C. Del Re, Presidente e agjencisë EPOS, docente e sociologjisë në universitetin Nicolò Cusano të Romës.

Konferenca do të përshëndetet nga Ambasadorja e Shqipërisë në Romë, Anila Bitri, dhe nga prefekti Mario Morcone, Shef kabineti i ministrit të Brendshëm. Do të hapë e mbyllë punimet, Presidenti i shoqatës Occhio Blu-Anna Cenerini Bova, ambasadori Mario Bova.

In italiano
Itinerario albanese: dall’emigrazione in Italia all’integrazione europea

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

“Quando si spegne una storia”: la poetica di Irma Kurti

Dekreti i flukseve 2018, teksti në Gazetën Zyrtare