Nëpunësi i Sportelit Unik për Imigracionin u filmua ndërsa merrte paratë për të lehtësuar lëshimin e një autorizimi. Në burg edhe një qytetar egjiptian që kishte rolin e ndërmjetësuesit
Milano, 11 qershor 2014 – E kanë kapur në flagrancë, ndërsa merrte rryshfet për të ndihmuar për një praktikë bashkimi familjar. Për këtë arsye dje i kanë vënë hekurat një nëpunësi të Sportelit Unik për Imigracionin të Milanos.
Hetimet nisën me një denoncim të vetë Prefekturës, që kishte zbuluar disa parregullsi mbi lëshimet e autorizimeve për bashkimet familjare. Policia ka nisur menjëherë të kontrollojë punonjësin dhe zbuloi se ky bënte favore për para, duke u mbështetur në ndërmjetësimin e një qytetari egjiptian.
Më në fund, dje, në zyrën e tij në rrugën Monforte, nën syrin e një telekamere të vënë aty nga hetuesit, sapo futi në xhep paratë (disa qindra euro), kanë ndërhyrë agjentët që e arrestuan në flagrancë.
Tani nëpunësi i Sportelit Unik për Imigracionin duhet të përgjigjet para drejtësisë për korrupsion. Në burg ka përfunduar edhe egjiptiani, duhet të ketë “lehtësuar” dhjetëra bashkime familjare, kryesisht nga Egjipti dhe vende të tjera të Afrikës së Veriut.