in

Sabina, Armela dhe Dijamanti, tre të rinjtë shqiptarë që u vranë në Mynih

Me kalimin e orëve ajo çka po mësohet rreth ngjarjes së djeshme në Mynih e bën atë akoma më të dhimbshme e më të papranueshme.

Sabina, Dijamanti dhe ArmelaMes 9 të vrarëve, pesë ishin akoma në moshë të mitur, por edhe të tjerët gjithnjë të rinj ishin. Mes 16 të plagosurve – tre në gjendje shumë të rëndë – ka edhe fëmijë. Mes viktimave ka edhe tre të rinj shqiptarë nga Kosova. Quhen Sabina Sulaj, Armela Segashi, dhe Dijamant Zabërgja.

Armela Segashi ishte 14 vjeç. Lajmin për vdekjen e saj e dha i vëllai, Arbnori në Facebook. Më parë, mbrëmjen e djeshme kur akoma kishte të shtëna në qendrën tregtare u bënte thirrje të njohurve përmes rrjetit social për të pasur lajme nga motra e tij e vogël.

Bashkë me Armelën, në qendrën tregtare vdiq edhe shoqja e saj bashkëmoshatare Sabina Sulaj, me babanë nga Kosova e  e nënën nga Shqipëria.

Viktima e tretë shqiptare e vrasësit të Mynihut është Dijamant Zabërgja që në gusht do të mbushte 21 vjeç. Lajmin e dha i ati, Naimi në Facebook ku mëngjesin e sotëm shkroi: “Me pikllim te thell njoftoj farefisin, miqet dhe shoket se djali im Dijamant Zabergja 21 vjeqar u vra dje ne Minhen nga dora terroriste”. Naimi është fotografuar sot në qytetin bavarez me foton e të birit në dorë e një tufë lule që po i vinte aty ku djalin ia mori çmenduria e një vrasësi akoma më i ri se i biri.

Vrasësi, Ali David Sonboly, më pas i vetëvrarë, ishte vetëm 18 vjeç. Kishte probleme depresive por ishte “djalë i mirë”, thonë nga të afërmit e fqinjët; ishte i fiksuar pas masakrave masive, admironte vrasësit e u frymëzua nga Breivik në atë që bëri mbrëmë, zbulon tani policia.

Sabina, Dijamanti dhe Armela

Sulmi në Mynih, 3 shqiptarë mes viktimave

Luiza Gega dhe pjesëmarrja e saj mes 100 pengesave në Lojërat Olimpike