“Elisir d’Amore”, opera sa e gëzueshme aq edhe prekëse e Donizetti-t, u vu së fundi në skenë në teatrin e Operës së Romës. Kur tenori i ri shqiptar Saimir Pirgu, në rolin e të dashuruarit Nemorino, nis të këndojë atë faqe të shkëlqyer të muzikës botërore, “Una furtiva lagrima”, një heshtje e thellë bie në plate, që më pas shndërrohet në një lumë duartrokitjesh të zjarrta
Saimir Pirgu është një tenor i ri, sot ndër më të njohurit dhe më të kërkuarit në arenën ndërkombëtare. I lindur në Elbasan më 1981-shin, i diplomuar për violinë në liceun artistik Jordan Misja në Tiranë, vjen në Itali, i bindur të mos kthehet mbrapsht sido që t’i shkojnë punët.
Si shumë emigrantë shqiptarë fillimisht bën punë nga më të ndryshmet, por për pak kohë fatmirësisht. Sepse pasi ndjek një koncert të Tre Tenorëve – Pavarotti, Domingo e Carreras – vendos të ndërmarrë rrugën e Këngëtarit lirik. Nis studimet për kanto, dhe diplomohet në Konservatorin e Claudio Monteverdi në Bolzano.
Saimiri i prezantohet Pavarotti-t si tenor i ri premtues dhe nga ai çast, falë zërit të tij dhe asaj që arrin t’i “vjedhë” në profesion mjeshtrit të madh, edhe pse në moshë mjaft të re, bëhet ndër emrat e famshëm të lirikës.
Sot, repertori i tij është pasuruar me shumë ndër personazhet më të bukura të operave. Nga Duka e Mantovës së Rigoletto-s te Alfredo i La Traviata-s së Verdit, nga Rodolfo i La Boheme-s te Rinuccio i Gianni Schicchi-t të Puccinit, nga Ferrando i Così fan tutte te Don Ottavio i Don Giovanni-t të Moxartit, nga Edgardo i Lucia di Lammermoor të Nemorino i Elisir d’Amore të Donizetti-t; sa për të përmendur disa ndër rolet e luajtura prej tij.
Brenda pak viteve, Saimiri është ngjitur në skenat e teatrove të Operës më të mëdha të botës: nga La Scala e Milanos në Berlin Staatsoper dhe Wiener Staatsoper e Vienës, nga Royal Oper Hause Covent Garden e Londrës në Metropolitan të Nju Jorkut.
Në karrierën e tij është drejtuar nga dirigjentë prestigjiozë si Claudio Abbado, Lorin Maazel, Daniele Gatti, Seiji Ozawa, Franz Welser Möst, Gustav Kuhn, James Colon, Antonio Pappano dhe Nikolaus Harnoncourt. Madje ka pasur edhe një periudhë “hollivudiane”: ka debutuar në rolin e Rinuccio-s në operën Gianni Schicchi në Los Angeles Opera nën regjinë e Woody Allen-it. “Një përvojë interesante dhe me vizibilitetit mediatik” siç e quan ai vetë bashkëpunimin me regjisorin e madh të kinematografisë.
Me Saimirin takohemi në Teatrin e Operës së Romës, ku për pesë net kënaq publikun dhe kritikën në rolin e Nemorinos, fshatarit të ri të dashuruar pas Adinës së bukur, në operën Elisir d’Amore. Saimiri flet për karrierën, pasionin e tij për kanton, për personazhet që ka më shumë për zemër, për rolet, shpesh të marra falë zotësisë, e ndonjëherë falë fatit, për miqësinë me maestron Pavarotti dhe si ka njohur Woody Allen-in. Tregon për jetën e tij prej migranti “luksoz”, që shkon të këndojë nga një teatër në tjetrin në mbarë botën. Dhe për ëndrrat për të ardhmen.
Menjëherë pas intervistës, vesh rrobat e Nemorinos dhe del në skenë. Dhe nga fundi i aktit të dytë mrekullon sallën me arien “Una furtiva lagrima”, ndër më të pëlqyerat e Pavarotti-t. Duartrokitjet e zjarrta të publikut e detyrojnë ta këndojë dy herë. Që nuk ndodh shpesh në një operë.
Bota Shqiptare: Saimir, edhe “Elisir d’amore” në Romë, si kudo, sukses me ty. Tashmë je mësuar…
Saimir Pirgu: Këto dy javë salla ka qenë gjithnjë plot. Publikut i pëlqen, kritikat janë shumë të mira, ndaj nuk mund të jemi ndryshe veçse të kënaqur. Është vërtet një eveniment i madh.
“Elisir d’Amore” e Donizetti-t është një nga më të bukurat, më romantiket. Thuajse një komedi e përkryer që trajton një histori shumë të thjeshtë dashurie e dy të rinjve që përfundon mirë.
Jo siç ndodh shpesh në opera të tjera që trajtojnë dashurinë por përfundojnë tragjikisht, kam parasysh Boheme, Rigoletto, Tosca…
Nuk ke mbushur as 30 vjeç, dhe shpesh krahasohesh me mjeshtrit e mëdhenj të lirikës, me tenorë të famshëm.
Unë jam ende në fillimet e karrierës sime. Duhet të them që, për fat të mirë, kam nisur shumë i ri: që 21 vjeç ngjita skenat e teatrove të mëdhenj dhe ky fakt ka përshpejtuar pak ecjen time përpara. Por sidoqoftë, një tenor nis në moshën 30-vjeçare, ndaj them që jam ende në fillimet e mia.
Nëse ky qenka vetëm fillimi, duke parë duartrokitjet e shumta që shoqërojnë ariet e kënduara prej teje, kushedi ku do të arrish…
Me gjithë shpejtësinë e karrierës, duhet të them se kam arritur deri këtu me shumë përpjekje. Unë kam arritur deri këtu, si të them, nga “fundi i botës” dhe jam përpjekur shumë. Kam ardhur në Itali si shumë e shumë jokomunitarë, për të studiuar. Krah studimeve më është dashur edhe të punoja për të mbajtur veten. Kam larë edhe pjata restoranteve, por për fat, jo për shumë kohë.
E mbaj mend që kam mbërritur në Itali me një milion lireta të asaj kohe. Ishin kursimet e gjithë jetës së prindërve të mi. Nuk e harroj, ishte shtatori i vitit 2000. Për pak ditë ato para më mbaruan dhe arrita të rregullohem për të banuar pranë salezianëve në Bolzano. Mbaj mend Don Samuelin, që administronte institutin salezian. Kur hyra në zyrën e tij për t’i kërkuar mundësinë e qëndrimit tek ata, mu përgjigj menjëherë që nuk ishte e mundur sepse për fat të keq në të shkuarën kishin pasur probleme me jo komunitarë të tjerë. Kur më tha kështu i nxorra pasaportën, regjistrimin në konservator dhe 300 mijë liretat e fundit që më kishin mbetur e i thashë se nuk kisha asnjë mundësi tjetër mbijetese. Që në atë çast salezianët e Rainerum më pritën me krahë hapur.
Menjëherë nisa të merrja pjesë e të fitoja konkurse, të dilja në skenë.
Duhet të them që, për mua, ardhja në Itali ka qenë një fat i madh. Fat sepse njoha artin italian. Të jetosh në Itali do të thotë të kuptosh gjuhën, të mund të thithësh operën, gjë që për një këngëtar lirik është shumë e rëndësishme.
(…)
Ishte zgjedhja jote ardhja në Itali?
Po. Unë e kam filluar ecjen time në art si violinist, jam diplomuar në Shqipëri për violinë. Rreth vitit 1995 iu afrova lirikës, më saktë gjatë një koncerti të Tre Tenorëve në Caracalla. Mund të them se jam një produkt i evenimentit të Tre Tenorëve, nëse mund të thuhet kështu. Nëse ata nuk do të kishin qenë kaq të njohur, nuk e di nëse unë do të isha bërë tenor. Më vonë kur njoha, si maestro Domingon ashtu dhe Pavarottin, më të cilët më pas u bëmë miq, e ua thosha këtë gjë, më përgjigjeshin duke qeshur: “paskemi shërbyer për diçka të paktën.
Meqenëse përmende Pavarottin. A mund të na tregosh diçka mbi miqësinë me të?
Nëse e ndiej veten njeri me fat është pikërisht për këtë. Tamam vitin e parë që unë kisha arritur në Bolzano, maestro ndodhej për mjekim në Merano e pati pyetur se cilët ishin të rinjtë e qytetit që merreshin me muzike lirike në mënyrë që të dëgjonte e të mund të ndihmonte ndonjërin. Herën e parë që shkova për audicion, pa arritur t’i them as mirëdita as mirëmbrëma, ai më pyeti: “Çfarë këndon?”. I thashë “Una furtiva lagrima”, mendo këtë që këndoj tani këtu. E kështu u afruam. Që kur jemi njohur, s’jemi shkëputur më, u mundua gjithnjë të më ndihmojë në perfeksionimin vokal. (të zërit). Pastaj unë nisa rrugën time. Kur debutova me maestro Abbado, më telefonoi e më tha: “Dëgjo buçko, se kështu më thërriste “Ciccio albanese”, ke hyrë nga dera kryesore, vazhdimin e ke ti në dorë. Po gabove, fajin e ke vetë”. Kjo miqësi zgjati derisa maestro u shua….
Si ishte Pavarotti?
Ishte një njeri që edhe nëse i telefononte në mes të natës mbretëreshës së Anglisë, ajo i përgjigjej. Linte mënjanë protokollin dhe i përgjigjej. Muzika lirike në këto nivele, është kështu. Para pak ditësh Gianni Letta erdhi tek unë, pra s’hyn në punë protokolli.
Cili është roli yt më e arrirë? Apo ai që të pëlqen më shumë
Ky që po bëj tani është i tillë. Roli i Nemorinos është nga ata që të japin kënaqësi si nga ana vokale e teknike, ashtu dhe nga ana e interpretimit. Një tjetër është Duka i Mantovës, Rodolfo i Bohemës. Por një këngëtar lirik e ka të vështirë t’i ndajë sepse ti atje le një pjesë të shpirtit tënd, e kjo ndihet, gjatë atyre tre orëve ne rrëfejmë një histori, një histori që ndonjëherë të rrëmben. Pastaj kur luan një rol, në atë kohë pikërisht ai duhet të jetë më i arriri për ty, përndryshe humbet forcën e dinamizmin, nuk bind spektatorin që ka ardhur për të të dëgjuar.
Në operën “Così fan tutte” ke luajtur rolin e një shqiptari.
Po. Edhe ky ka qenë një tjetër fat. Kur maestro Abbado do bënte audicionet, ishte kureshtar të shihte një shqiptar që luante rolin e një shqiptari në një opera të Moxartit. Një jetë me fat, me raste të bukura që më kanë ndihmuar në ecjen time.
Përveç se lirikës, më duket se po i afrohesh dhe Hollivudit, ke njohur dhe Woody Allen.
Po falë lirikës, mund të them së jam ndër ata të pakët me fat që kanë punuar me regjisorin e madh Woody Allen. Ai deshi të bënte një eksperimentim me një opera të Puccini-t, organizuan një audicion dhe ndër të rinjtë tenorë ë zgjodhën mua. E kështu në vitin 2008 isha dy tre muaj pranë tij në Los Angeles ku pashë një botë krejtësisht të ndryshme. Një botë që të merr mendjen, por arti im është aq i bukur sa vështirë se e ndërroj. Megjithëse është shumë më i vështirë se të qenit aktor. Ne duhet të këndojmë, të studiojmë, të ndjekim muzikën dhe të interpretojmë. Janë tre katër elementë bashkë, ndërsa aktori pak a shumë më të lehtë.
(…)
Pra si shqiptar që çon artin italian në botë është vërtet diçka e bukur. Madje të ka qëlluar që përkrah të kesh një tjetër artist shqiptar.
Vitin e kaluar kemi arritur diçka që mund të quaj historike. Opera më e famshme në botë, Traviata, hapi sezonin në Royal Opera House në London’s Covent Garden. Ishte Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu. E para ishte një kënaqësi e madhe profesionale, edhe të kishim paguar, s’do të kishim mundur të bindnim drejtuesit e një teatri kaq të rëndësishëm që të na merrnin. Pastaj qe një çast vërtet madhështor nga ana personale, suksesi që patëm. Kjo mbase dhe nga dëshira e madhe që kishim për të dhënë një pamje tjetër, është sikur arritëm të themi: Shqipëria ekziston, ekziston edhe në një art të nivelit kaq të lartë.
Ti the që ndihesh shqiptar. Përshëndetja kaq e veçantë që ti i bën publikut besoj se ka lidhje pikërisht me këtë. A mund të na e shpjegosh?
Përpara se të përshëndes në fund të shfaqjes, unë pres reagimin e ndonjë shqiptari që ndodhet në sallë, por jo gjithnjë ata kanë mundësinë të më përshëndesin. Prandaj i përshëndes unë, shumë thjesht, duke vënë duart në formë shqiponje mbi zemër. Natyrisht shumica e shqiptarëve këtë shenjë e kupton, por të tjerët nuk e kuptojnë gjithnjë, ndokush kujton se është ndonjë gjest ezoterik. Le të mbetet një sekret mes meje dhe shqiptarëve.
Keti Biçoku
Intervista e plotë është botuar në Bota Shqiptare 255, 15-27 mars 2011