in

Saimir Pirgu, nga Tirana në tempujt botërorë të lirikës

E përditshmja italiane Repubblica, interviston tenorin Saimir Pirgu, “ndër artistët e sotëm më premtues”, që më 1 mars prezanton në Firence albumin e tij të ri “Il mio canto”

Romë, 29 shkurt 2016 – Ka fate që shkojnë kundër çdo pesimizmi: ndonjëherë mjaftojnë talent i pastër e disiplinë e hekurt për të ngjitur shkallët e suksesit. Ndodhi me tenorin shqiptar Saimir Pirgu, i riu plot hijeshi romantike që i përshtatet në mënyrë të përkryer personazhit të të dashurit operistik, “qoftë atij të zhanrit të gëzueshëm, qoftë atij fatkeqit” siç deklaron vetë. Saimir Pirgu ka triunfuar në të gjithë teatrot më të mëdhenj të botës: në Londër me Dukën e Mantovës të Rigoletto-s, në New York me Alfredon e shqetësuar të Traviata-s, me Taminon më Flauto Magico në Scala të Milanos etj. Në Amerikë e konsiderojnë “një nga tenorët më të rëndësishëm të momentit”, ndërsa për Placido Domingon “Zëri i tij është i shkëlqyer, teknika e përkryer”.

Me këto fjalë të bukura, Repubblica flet për tenorin Saimir Pirgu këto ditë kur ai po bën një turne botëror për prezantimin e albumit të tij të ri, “Il mio canto”. E ka regjistruar me Orkestrën e Maggio Fiorentino të drejtuar nga Speranza Scappucci. E vetmja datë italiane e turneut, nesër më 1 mars, pikërisht në Operën e Firences.

Ja një pjesë e intervistës që Saimiri jep për të përditshmen italiane në të cilën përshkon shkurtimisht karrierën e tij e lidhjen me disa nga emrat më të mëdhenj të operistikës.

Foto Alessandro Moggi
Si nisi marrëdhënia juaj me muzikën?

“Që i vogël merrja pjesë në manifestime muzikore në Elbasan ku kam lindur në vitin 1981. Atje u diplomova për violinë. Por frymësimi im më i madh qene Tre Tenorët: Pavarotti, Domingo e Carreras. Pas rënies së komunizmit, kur munda të shoh televizionin italian, mbeta i mahnitur nga koncerti i tyre legjendar”.

I ri fare zgjodhët të studiosh kanto në Bolzano.

“Qe i vetmi konservator ku arrita të regjistrohem. Atje për të mbajtur veten gjatë studimeve mu desh të punoja në një restorant, herë si kamarier, herë laja pjatat. Pata një docent të shkëlqyer, Brunetti, që është akoma maestroja im e që më ka këshilluar gjithnjë me pjekuri duke më mësuar të qëndroj me këmbët në tokë. Fitova menjëherë konkurse të rëndësishme e Abbado më dha mundësinë të debutoja në Ferrara me Così fan tutte. Një tjetër takim vendimtar për mua ishte ai me Pavarottin”.

Si u njohët me të?

“Ishte në Merano kur isha edhe unë ato. Donte të dëgjonte studentët më të mirë të Konservatorit e u kujdes për mua. Ishte njeri i jashtëzakonshëm dhe bujar. Me nxënësit nuk kursehej”.

Më pas u njohët edhe me një tjetër prej Tre Tenorëve “tuaj”, Domingon.

“Si mbikëqyrës në Los Angeles dhe Washington, Domingo ka ndërtuar karrierën time në ShBA. Mes të tjerash më ftoi të këndoja në Gianni Schicchi me regji të Woody Allen-it, përvojë e ndërlikuar dhe e paharrueshme”.

Në rrugën tuaj është gjendur edhe Riccardo Muti.

“Për herë të parë më drejtoi në Requiem të Verdit në Salisburg, dhe isha me të edhe në Redipuglia në vitin 2014, në një concert të transmetuar në Eurovizion, ku ishte i pranishëm edhe President ii Republikës që pata mundësinë të falënderoj personalisht për shtetësinë italiane që mu njoh ato ditë”.

Si e gjykoni emergjencën tragjike të migrantëve që zbarkojnë në brigjet italiane?

“Çuditem që Italia tregon shpesh se harron vuajtjet e atij që detyrohet të lërë vendin e vet. Mirëqenia e Perëndimit është rritur falë burimeve të territoreve, banorët e të cilëve sot luftojnë për të drejtën e tyre për mbijetesë. Problem nuk janë ata mëse 100 mijë shqiptarë të gomoneve, por flukset e stërmëdha të popujve që vijnë nga kontinentet me më shumë nevojë për ndihmë. E kjo duhet parë në nivel globale”.

Lexo edhe artikuj e intervista me Saimir Pirgun botuar në vite në Shqiptari i Italisë:
Saimir Pirgu: “Shqipëria është zemra, Italia është arti”
Gli albanesi d’Italia cantano Verdi
Tenori Saimir Pirgu, fitues i çmimit “Pavarotti d’Oro”
Saimir Pirgu: “Nuk kam asnjë problem në Itali”
Saimir Pirgu, tenori të cilit i buron drita nga buzët kur këndon
Saimir Pirgu. Eliksiri i suksesit
Saimir Pirgu ndez Teatrin e Operës së Romës
Saimir Pirgu, veç krah emrash të mëdhenj

 

Babai i Arsinës: “Nuk provoj mllef për asnjë, mendoj vetëm për vajzën që asgjë nuk ma kthen më”

Gjuha dhe pakicat gjuhësore