in

Sanatore e re për të huajt, tre miliardë euro në vit për Italinë

Kaq vlejnë 500 mijë taksapagues më shumë. Për të luftuar krizën, do të mjaftonte një normë e re prej pak rreshtash në kuadrin e manovrës ekonomike. Propozimi i stranieriinitalia.it

Romë, 23 gusht 2011 – Duket se ministrit Tremonti deri tani i ka shpëtuar një thesar i konsiderueshëm: janë miliardë në vit që mund të ndihmojnë Italinë të dalë nga kriza. Do të mjaftonin dy rreshta në brendësi të manovrës ekonomike që të parashikonin legalizimin e punonjësve imigrantë pa leje qëndrimi.

Ideja është e Stranieriinitalia.it, portalit të të huajve në Itali. Dhe duket frytdhënëse qoftë për ekonominë italiane, qoftë për qindra mijëra të huajt “e padukshëm” për sistemin Itali.

“Një zgjedhje e këtij tipi do të ishte edhe një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e integrimit. Do t’u jepte mundësinë qindra mijëra imigrantëve që jetojnë e punojnë në Itali të kontribuojnë në mirëqenien e atdheut të tyre të ri” komenton Gianluca Luciano, administratori i shtëpisë botuese Stranieri in Italia.

“Shpresojmë – përfundon – që klasa politike të ketë fantazinë dhe inteligjencën e duhur për të mos lënë t-i shpëtojë ky rast”.

Sa janë në të vërtetë të huajt klandestinë? Është vështirë të thuhet me saktësi, por studimi i fundit i ISMU-t, (duke i konsideruar me të metë, për të qenë sa më i kujdesshëm) thotë se janë të paktën 500 mijë, një ushtri e tërë personash të padukshëm. Të papërfillur nga sanatoria e shtatorit të 2009-tës dhe të mbetur jashtë nga dekreti i fundit i flukseve, ëndërrojnë që të gjithë një leje qëndrimi.

Nga ana tjetër Italia, duke u dhënë atyre shansin e dokumentit të qëndrimit, ka veç përfitim: do të mblidhte për arkat e shtetit edhe më shumë nga ç-parashikojnë shumë nga shkurtimet e kontestuara që po shqyrtohen në Parlament.  

Llogaria është e thjeshtë. Të supozojmë që janë 500 mijë vetë. Për legalizimin e çdo personi mund të kërkohet – ashtu si dy vjet më parë – një kontribut forfetar prej 500 eurosh, që do t’u sillte arkave të shtetit menjëherë 250 milionë euro.

Por fitimi i vërtetë ekonomik i vendit do të ishte – padyshim më i bëshëm dhe i qëndrueshëm në kohë – ai i vjeljes së taksave nga 500 mijë taksapagues të rinj. Gjithnjë sipas ISMU-t, çdo i huaj me qëndrim të rregullt në Itali derdh mesatarisht – me taksa dhe kontribute – rreth 6 mijë euro në vit. Kështu që, një sanatore e re për të huajt do të sillte në arkat e shtetit tre miliardë euro çdo vit.

 

Rritet me 23% numri i udhëtarëve në Rinas

Ekstradohet nga Italia i dënuari me 16 vjet burg për vrasje