in

Sanatoria. Celulari do të nxjerrë të huajt nga balta

Një Sim telefonike në emrin tënd vlen si provë për të treguar praninë në Itali, e me thënë të vërtetën janë të paktë ata që nuk e kanë një celular në xhep. Të gjithë në kërkim të kontratës së aktivizimit të skedës

Romë, 6 tetor 2012 – Sa emigrantë të parregullt mund ta kishin marrë me mend që celulari që prej vitesh kanë në xhep mund t’u japë një ndihmë të vyer sot për të marrë lejen e qëndrimit. Kushedi sa herë kanë folur pa e ditur se është prova e vyer e pranisë së tyre në Itali, falë të cilës mund të legalizojnë sot.

Ua ka hapur sytë interpretimi i 4 tetorit i Avokaturës së Përgjithshme të shtetit, që mes provave të vlefshme të pranisë ka futur edhe dokumente të lëshuara nga privatë që kryejnë shërbime publike. Dhe ka përpiluar një listë shembujsh, mes të cilëve shfaqet edhe “dokumenti i pronësisë së skedave telefonike të operatorëve italianë (si Tim, Vodafone, Wind, Tre etj.)”.

Ata dy rreshta mund t’u kenë kthyer buzëqeshjen shumë të huajve që deri  tani, pikërisht për mungesën e “provës” së qëndrimit në Itali, ishin të përjashtuar apriori nga sanatoria. e për fat celularin e kanë të gjithë, të rregullt e të parregullt, siç tregojnë 3 milionë skeda SIM të aktivizuara çdo vit nga të huajt në Itali.

“Telefonia e lëvizshme është një nga tregjet me zgjerim të vazhdueshëm mes emigrantëve. Të huajt përdorin celularin dhe shpenzojnë mesatarisht më shumë se italianët, për të telefonuar si në Itali, si në Atdhe. Tash për telefonatat me jashtë Italisë është më me leverdi të përdoret drejtpërdrejt skeda e celularit sesa skedat telefonike ndërkombëtare” shpjegon Gianluca Bellei, administrator i deleguar i ndërmarrjes ISI 2002, shitësi më i madh i Vodafonit në tregun etnik.

Po pse dokumenti i pronësisë së skedave telefonike të operatorëve italianë duhet të vlejë si provë? “Kush hyn në një pikë shitjeje për të aktivizuar një skedë SIM duhet të tregojë një dokument identifikimi të vlefshëm, si për shembull pasaportën, që i fotokopjohet dhe ruhet nga shitësi. Prova që i mbetet në dorë klientit është kontrata e aktivizimit” sqaron Bellei.

Natyrisht, ekziston rreziku që dikush ta ketë humbur atë kontratë. Mund të provojë të shkojë në dyqanin ku ka bërë aktivizimin e skedës, që duhet ta ketë patjetër një kopje por – duhet thënë- nuk ka asnjë detyrim t’ia japë sërish klientit. Por meqë bëhet fjalë për një dokument falë të cilit mund të futet në xhep lejeqëndrimi, ia vlen të bëhet një provë.

Elvio Pasca  

 

Facebook, “kombi” i tretë në Botë për numër banorësh

Parma. Shkolla shqipe Scanderbeg rihap dyert për të katërtin vit