in

Sanatoria. Pranohet si provë e pranisë në Itali edhe një dokument i lëshuar nga konsullata

Veç dokumenteve të prodhuara nga Ambasada e konsullatat në Itali, të vlefshme edhe dokumentet përkatëse të shërbimeve të ofruara nga Postat italiane, kuponi i dërgesave të parave me institute bankare/agjenci Money Transfer, biletat e linjave ajrore etj. Natyrisht nëse janë lëshuar para datës 1 janar 2012. Këto pohon ministria e Brendshme në faqet e saj zyrtare në pyetje-përgjigjet e përditësuara

Romë, 8 tetor 2012 – Ndërsa ka mbetur vetëm një javë nga mbyllja e muajit gjatë të cilit mund të kërkohet legalizimi i punonjësve të huaj të parregullt, ministria e Brendshme përditëson faqet e saj on-line duke shtuar mes të tjerash edhe opinionin e dhënë nga Avokatura e Përgjithshme e Shtetit, duke sqaruar kështu disa mëdyshje që kanë të bëjnë me dëshminë që provon praninë e të huajit në territorin italian nga 31 dhjetori 2011, kriter parësor për të përfituar një leje qëndrimi me këtë sanatore.

Tani, duke u bazuar në ato çka thotë Avokatura e Shtetit, edhe ministria sqaron se certifikata mjekësore dhe gjoba, por edhe skeda telefonike, tesera të abonimeve të transportit urban apo dëshmi të lëshuara nga qendra pritjesh apo spitalore, dokumente të marra nga konsullatat do të jenë të vlefshme si prova që pranisë në Itali. Kështu në pjesën e sitit të quajtur FAQ të dedikuar pyetjeve më të shpeshta të qytetarëve  dhe përgjigjeve përkatëse të ekspertëve të ministrisë së Brendshme gjejmë mes të tjerash edhe sqarime të sakta për pyetje konkrete.

Ja disa prej tyre, që shpesh i drejtohen edhe redaksisë së shqiptariiitalise.com:

A mund të konsiderohet i vlefshëm për të dëshmuar praninë e punonjësit në Itali në datën 31.12.2011, dokumentacioni i lëshuar nga përfaqësitë diplomatike apo konsullore të huaja me seli në Itali?

Ministria e Brendshme: Mund të hyjë mes provave të vlefshme dokumentacioni i prodhuar nga Ambasadat e Konsullatat e vendlindjeve të punonjësve të huaj të lëshuara në Itali brenda datës 31.12.2011 (për shembull kuponi i kërkimit, i tërheqjes së pasaportës, certifikata të ndryshme me datën e lëshimit para fundit të vitit të shkuar).

A mund të konsiderohet prove e pranisë dokumentet përkatëse të shërbimeve të ofruara nga Postat Italiane?

Mund të konsiderohen të vlefshme dokumentet përkatëse të shërbimeve të ofruara nga Postat Italiane me kusht që nëpunësi i sportelit postar të ketë kontrolluar identitetin e subjektit të interesuar (për shembull hapja e librezës së kursimit, lëshimi i një karte të parapaguar postepay etj.) e dokumentet të jenë lëshuar gjithnjë brenda datës 31.12.2011.

A mund të konsiderohet provë një biletë avioni për në një aeroport të Italisë, me emër e mbiemër të udhëtarit, e një shoqërie fluturimesh italiane apo e huaj?

Po, por vetëm nëse në pasaportën e të huajit të jetë vënë një vulë hyrjeje të policisë së kufirit të një prej vendeve të tjera të zonës Shengen (për shembull nëse një shqiptar ka një biletë Athinë-Romë të para 31 dhjetorit të shkuar, qytetari duhet të ketë në pasaportë vulën e hyrjes në Greqi.

A mund të konsiderohet dokument i vlefshëm për të dëshmuar praninë në Itali një vulë hyrjeje në pasaportën e të huajit në një vend Shengen?

Vula e hyrjes e vënë para fundit të vitit të shkuar nga policia e kufirit e një shteti tjetër të Shengenit nuk mund të konsiderohet provë e vlefshme pranie në Itali. Mjafton për të treguar që i huaji ishte në atë vend Shengen ku i kanë vënë vulën në pasaportë. Për të treguar praninë e tij në Itali duhet të tregojë një dokument tjetër të lëshuar nga “subjekteve publike, private, apo komunale që institucionalisht apo për delegim kryejnë funksion publik apo ofrojnë shërbim publik”.

A mund të konsiderohet dokument i përshtatshëm për të dëshmuar praninë në Itali nga 31 dhjetori 2011 një kupon emërore dërgese apo marrjeje parash të kryer përmes instituteve bankare dhe/ose agjencive Money Transfer?

Po, një dokument i tillë duhet konsideruar i vlefshëm pasi është fjala për operacione të regjistruara dhe që i nënshtrohen kontrollit publik, me kusht që operacioni të jetë kryer në bankë, Postat Italiane, operatorë të akredituar e të regjistruar në urdhra dhe lista zyrtare të mbajtura nga Banka e Italisë apo nga bankat qendrore evropiane apo që i nënshtrohen kontrollit të tyre.

Keti Biçoku

Formia. Shpërthen bombola e gazit në një familje shqiptarësh, dhjetë të plagosur në pallat

Shtatzënë në muaj të nëntë, pëson aksident me makinë. Shpëton për mrekulli