Punonjësit të huaj i mjafton të paraqitet në një Asl me dokument identifikimi, kuponët e pagesës së 1.000 eurove dhe të kërkesës së legalizimit. U lëshohet një librezë në karton (jo elektronike), e ripërtërishme çdo gjashtë muaj
Romë, 30 tetor 2012 – Siç ka deklaruar tashmë ministria e Brendshme, punonjësit e huaj për të cilët familjet e ndërmarrjet kanë paraqitur kërkesë legalizimi mund të regjistrohen në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar, SSN, dhe kanë të drejtën e të njëjtave shërbime të parashikuara për punonjësit që e kanë në xhep dokumentin e qëndrimit.
Por shërbimi shëndetësor në Itali është kompetencë e Krahinave ndaj secila prej tyre po përcakton më vete procedurën për regjistrimin. Lombardia, ku është paraqitur numri më i lartë i kërkesave të legalizimit, rreth 35 mijë, është ndër të parat që është vënë në lëvizje dhe u ka dhënë dispozita të detajuara ndërmarrjeve shëndetësore lokale (ASL).
Punonjësit duhet t’u drejtohen ASL-ve të zonës ku jetojnë. Është e domosdoshme të paraqesin në sportel një dokument identiteti, një kopje të kuponit të derdhjes së kontributit forfetar prej 1.000 eurosh të kryer nga punëdhënësi dhe një kopje të kuponit të kërkesës së legalizimit.
Regjistrohen në SSN përkohësisht, për një periudhë maksimale prej gjashtë muajsh, regjistrim që përtërihet deri në përfundim të procedurës së sanatores. Për të përtërirë librezën gjatë kësaj periudhe do t’i duhet të tregojë që është akoma i punësuar, duke paraqitur një deklaratë të punëdhënësit.
ASL-et do t’u japin një kod fiskal të përkohshëm të huajve që nuk e kanë, dhe do t’u lëshojnë të gjithëve një librezë në karton (jo teserë elektronike). Nëse legalizimi do të përfundojë me lëshimin e lejes së qëndrimit, do të mund të procedohet me regjistrimin përfundimtar, nëse kërkesa do të hidhet poshtë i huaji duhet të kthejë mbrapsht librezën dhe nuk do të rezultojë më i regjistruar në SSN.
Elvio Pasca