Kriteret
Kush mund të paraqesë kërkesën
Punëdhënësi duhet të jetë qytetar italian ose komunitar. Punëdhënësi jokomunitar mund të paraqesë kërkesë për sanatore vetëm nëse është titullar (apo edhe në pritje të lëshimit apo të përtëritjes) i një lejeqëndrimi BE për qëndrues afatgjatë apo i një karte qëndrimi të marrë si familjar i një qytetari të BE-së. Mund të paraqesë kërkesë edhe një qytetar jokomunitar që ka marrë leje qëndrimi për strehim politik (sipas sqarimeve të 12 shtatorit të ministrisë së Brendshme).
Kufijtë minimalë të të ardhurave për punëdhënësin që paraqet kërkesë
Punëdhënësi duhet të ketë edhe të ardhura mbi një kufi caktuar që ndryshon sipas tipit të marrëdhënies së punës që duhet të legalizojë: punë të varur, në bujqësi apo familjare (colf, badanti, babysitter).
Për legalizimin e punonjësve të varur, ndërmarrjet individuale, kooperativat dhe shoqëritë duhet të kenë jo më pak se 30 mijë euro fitime apo xhiro vjetore që rezulton nga deklarata e fundit e të ardhurave apo nga bilanci.
Kush punëson pranë familjes (colf, badanti, babysitter), duhet të ketë të ardhura vjetore jo më të ulëta se 20 mijë euro nëse është i vetmi që ka të ardhura në familjen e tij dhe jo më pak se 27 mijë nëse në familje ka të paktën dy persona që kanë të ardhura. Në përllogaritjen e të ardhurave mund të merren parasysh edhe të ardhurat e bashkëshortit dhe të të afërmve deri në shkallën e dytë (prindër, vëllezër e bij, nipër e gjyshër), edhe në rast se nuk bashkëjetojnë me punëdhënësin.
Kujdes! Nuk parashikohet asnjë kriter të ardhurash në rast se punëdhënësi është person i sëmurë nga patologji apo gjymtim që i kufizojnë vetëmjaftueshmërinë dhe kërkojnë legalizimin e një punonjësi që kujdeset për të (badante). E njëjta gjë vlen edhe në rast se kërkesën e paraqet tutori legali i personit që ka nevojë për kujdesin e të punësuarit apo ai që ushtron të drejtën prindërore (italisht ‘patria podestà’) mbi të miturin e pavetëmjaftueshëm (zakonisht është njëri nga prindërit). Por nëse kërkesën për legalizimin e një kujdestareje (badante) e bën një familjar i personit qe ka nevojë për kujdesin e bashkëpunëtores, atëherë duhet të tregojë se ka të ardhura (20 mijë nëse është i vetmi që ka fitime në familje, apo 27 mijë nëse familjarët me të ardhura janë më shumë se një).
Prania në territorin italian
Punonjësit e huaj që mund të legalizohen duhet të jenë të pranishëm në territorin italian në mënyrë të vazhdueshme, prej të paktën 31 dhjetorit 2011.
Sipas sqarimeve më të fundit të ministrisë së Brendshme mund të kërkohet legalizimi i të gjithë të huajve jokomunitarë pa leje qëndrimi (apo që e kanë të skaduar dhe nuk e kanë përtërirë) apo të gjithë ata që kanë leje qëndrimi që nuk u lejon të punojnë (për shembull ata që janë në Itali me lejeqëndrim në pritje të njohjes së statusit të refugjatit politik, për motive drejtësie, për kura mjekësore) apo që u lejon të punojnë më kohë të pjesshme (për shembull ata që kanë leje qëndrimi për studime). Mund të përfitojnë nga legalizimi edhe të gjithë ata që kanë kuponin e kërkesës së lëshimit, konvertimit apo të përtëritjes së një lejeje qëndrimi.
Prania në Itali duhet të tregohet me dokumentacion të lëshuar nga “organizëm publik” si për shembull, një certifikatë mjekësore e një Reparti të Ndihmës së Shpejtë, tererë shëndetësore STP, akt notaril, leje qëndrimi e skaduar, një urdhër dëbimi, pasaporta e përtërirë (apo e bërë e re) në konsullatë të vendlindjes në Itali. Kjo dëshmi duhet treguar në çastin e takimit pranë sportelit unik për nënshkrimin e kontratës së Qëndrimit.
Edhe pse dekreti ndërministror i botuar më 7 shtator nuk parashikon asgjë lidhur me provën e pranisë, është e arsyeshme të përjashtohen kuponet e dërgimit të parave me agjencitë e Money Transfer, faturat tregtare, kuponet fiskale, e dokumente të tjera të këtij lloji.
Fillimi i marrëdhënies së punës
Marrëdhënia e punës duhet të ketë nisur të paktën 3 muaj para datës së ardhjes në fuqi të ligjit, që do të thotë, të paktën nga data 9 maj 2012 (dhe të vazhdojë në momentin e paraqitjes së kërkesës).
Mund të legalizohen marrëdhëniet e punës, me kohëzgjatje të kufizuar ose të pakufizuar, dhe me orar të plotë. Bëhet përjashtim vetëm për punën pranë familjeve, për të cilat pranohet edhe legalizimi i marrëdhënieve part time, sidoqoftë për një orar jo më të ulët se 20 orë në javë.
Duhet mbajtur parasysh që në të gjitha rastet rroga e garantuar duhet të respektojë minimumet e parashikuara nga kontratat kolektive të referimit.
Derdhja e kontributit prej 1.000 euro
Ligji ka parashikuar që punëdhënësi, para se të nisë kërkesën e legalizimit, të paguajë me “F24 Versamenti con elementi identificativi” një kontribut forfetar prej 1.000 eurosh. Ky kontribut mund të bëhet deri ditën e fundit të vlefshme për paraqitjen e kërkesës së legalizimit (15 tetor).
Të përjashtuarit e sanatores
Ligji ka parashikuar që, në prani të disa dënimeve në ngarkim të punëdhënësit apo punonjësit, të mos bëhet legalizimi.
Kështu, sanatoria nuk do të jetë e mundur të kërkohet nga punëdhënës të dënuar në pesë vjetët e fundit, edhe me sentencë jopërfundimtare:
për favorizim të imigracionit klandestin,
për shfrytëzim të prostitucionit dhe të të miturve,
për kapolarat apo për punësim të klandestinëve.
Përjashtohen nga sanatoria edhe ata punëdhënës që në të kaluarën kanë bërë kërkesa për flukset apo për legalizimin e vitit 2009 e më pas nuk kanë nënshkruar kontratën e qëndrimit apo nuk kanë bërë komunikimet e detyrueshme pranë Qendrës së punësimit apo pranë INPS-it, përjashtuar rastet kur kjo ka ndodhur për shkaqe që nuk vareshin prej tyre.
Përjashtohen gjithashtu të huajt që janë dëbuar për arsye të rendit publik apo të sigurisë së shtetit, dhe ata që janë dënuar, edhe me vendim jopërfundimtar, për një nga krimet e parashikuara nga neni 380 i kodit të procedurës penale (për shembull plaçkitje, dhunë).
Nuk do të mund të pajisen me dokumente as ata që janë sinjalizuar si “të papranueshëm” në Itali, as ata që konsiderohen, në bazë dënimesh të marra (edhe nëse akoma jopërfundimtare), kërcënim i rendit publik apo i sigurisë së Italisë ose i vendeve të tjera të zonës Schengen (sinjalizim i sistemit informativ Schengen, SIS).