Në tetor 2011 i hoqi gabimisht veshkën e vetme B. Metës, shqiptar 45 vjeç, me probleme në shpëretkë. Sot kirurgu Andrea Piccardo, asokohe ish shefi i repartit të spitalit Cairo Montenotte, është dënuar për “lëndime shumë të rënda fizike”
Romë, 5 qershor 2013 – Është dënuar me 10 muaj heqje lirie kirurgu Andrea Piccardo për “lëndime shumë të rënda fizike”. Piccardi kërkoi të gjykohej me gjyq të përshpejtuar duke ulur kështu me një të tretën dënimin e parashikuar nga vepra penale për të cilën u akuzua.
Piccardo, asokohe edhe shefi i repartit të kirurgjisë të spitalit Cairo Montenotte të Savonës, në tetor 2011 i hoqi gabimisht veshkën e vetme 45-vjeçarit B. Meta. 45 vjeçari kish ardhur pranë familjarëve të tij që prej vitesh jetojnë në Savona, pikërisht për t’u kuruar nga çistet në shpëretkë. Duket se gjatë operacionit, mjekët kishin parë të arsyeshme që përveç shpëretkës t’i hiqnin edhe një pjesë të pankreasit dhe pikërisht veshkën e majtë, duke e lënë kështu vetëm me veshkën e djathtë, prej vitesh e atrofizuar. Meta u detyrua kështu të mbijetojë me dializë për nëntë muaj deri sa iu transplantua një veshkë.
Për këtë rast kirurgu u hodh në gjyq për lëndime personale shumë të rënda. Për akuzën, veshka ishte lehtësisht e identifikueshme dhe mjeku nuk duhet ta hiqte pa ditur më parë gjendjen e përgjithshme shëndetësore të pacientit.
Pas operacionit të Metës, spitali mori masa të brendshme dhe e hoqi mjekun Piccardo nga puna pa të drejtë rroge (nga shkurti në qershor 2012). Për këtë fakt kirurgu paditi spitalin në gjykatën civile. Në tetorin e shkuar, gjykata i dha të drejtë spitalit sepse sipas saj Piccardo kish bërë një “gabim të pafalshëm”, madje i kishte shkaktuar ASL-it një dëm imazhi.
Edhe me mbylljen e gjyqit penal, doktori nuk do të bëjë asnjë ditë burg pasi si person që nuk ka pasur dënime të tjera më parë, gëzon pezullimin me kusht të dënimit.