in

“Se non ora, Quando”

 

Manifestimi i grave të indinjuara për imazhin e reklamuar mbrapsht nga mediat dhe personazhet e politikës sjell një milion vetë në sheshet e 230 qyteteve italiane.

Ka nisur si  një njoftim i zakonshëm ai i protestës së grave në mbrojtje të identitetit dhe figurës së cenuar nga mediat. Dhe kjo është bërë duke përdorur si faqe informative Facebook-un. Kjo mënyrë  e re proteste në formë por jo në kontekst, është shtrire në të gjitha qytetet italiane. Dinjiteti i gruas po nëpërkëmbet nga historitë dhe personazhet femërore që shtrembërohen nga mediat e vendit.

Në media në këtë periudhë vihet theksi tek gruaja që del në pah vetëm duke kryer “zanatin me te vjetër në botë”, prostitucionin. Është e patolerueshme dhe e pajustifikueshme që gruaja në vendin tonë të ketë këtë model identifikimi. Këto dhe shumë komente të tjera janë bërë slogane të protestës së grave nga e gjithë Italia, protestë që më datë 13 shkurt solli në 230 sheshe të Italisë mbi një milion persona, burra e gra, fëmijë, të rinj e të moshuar.

Zemërimi kryesor që çoi në protestë masive ka nisur nga publikimet e shumta të gazetave dhe televizioneve  mbi historitë e dënuara apo jo të kryeministrit Berluskoni me gra të ndryshme. Histori dhe procese gjyqësore të cilat janë bërë prej ditësh refreni i gazetave italiane.

Edhe pse rezultatet gjyqësore nuk janë akoma përfundimtare, zemërimi i grave dhe vajzave deri në këtë moment është dënimi i vetëm i shfaqur publikisht. Ndërkohë organizatoret e protestave në deklarimet e tyre theksojnë se ky organizim nuk ka asnjë tendencë politike, nuk është në mbrojtje të njërit apo të tjetrit grupim politik. Ky manifestim i ideuar dhe organizuar nga femrat solli në shesh edhe “meshkujt miq” siç janë cilësuar nga ato vetë, që shprehnin indinjimin e tyre e mbështesnin atë të grave. Meshkuj që reflektojnë, apo ftesë për aleancë? Kjo pyetje të lind vetvetiu duke parë dhe statistikat më të fundit mbi gjendjen e grave në shoqëri, ku Italia shënon shifrat më të ulëta  në Europë përsa i përket punësimit dhe pozicionimit në karrierë.

Dita për t’i thënë jo nënvlerësimit të dinjitetit të gruas është karakterizuar nga simbole të shumta. Në qytetin e Cuneos u mbajtën çadra të hapura, në simbol të mbrojtjes së trupit nga papastërtitë.   Britma  masive gjest i lirshëm ky për të treguar dhimbjen  dhe endja e fijeve në mes të protestës si një mënyrë e ndërtimit të një linje me shumë ngjyra mes grave janë skenat që shoqëruan manifestimin në këtë qytet. 13 Shkurti u shoqërua edhe me një sërë aktivitetesh të tjera. Në Dronero (Cn) ishte një ditë me muzike dhe letërsi në kujtim të Fatimës, vajza që u gjet e vrarë në shtëpinë e saj.

Ndërkohe  pjesëmarrja e grave  të huaja në këtë manifestim ishte e ndjeshme. Edhe dinjiteti i tyre është vene jo pak herë në pikëpyetje nga personazhet politike. Rasti më i fundit i cili solli jo pak diskutime ishte komenti i kryeministrit Italian mbi femrat shqiptare. Ajo ngjarje u pasua me një seri reagimesh jo vetëm në Itali por edhe Shqipëri. Revolta iu shtri në network-un FaceBook ku u krijua një grup i quajtur “Berluskoni kërkoi falje grave shqiptare” e cila u pasua dhe me një letër drejtuar kryeministrit Italian.

Leonora Memia, Cuneo

Flukset: Përparimi i praktikës kontrollohet on-line

Lega: “20.000 euro garanci bankare për sipërmarrësit emigrantë”