Të arrestuarit, të gjithë pa dokumente identifikimi, kanë deklaruar se janë nga Vlora
Romë, 20 korrik 2013 – I vazhdueshëm trafiku i drogës nga brigjet shqiptare drejt atyre puljeze. Vetëm nga fillimi i këtij viti janë sekuestruar rreth 5 tonë lëndë narkotike dhe 5 motoskafe dhe janë arrestuar 13 persona.
Rasti i fundit të natën duke gdhirë e premte, kur Guardia di Finanza ka pikasur e ndjekur një motoskaf që kanë sjellë në arrestimin e 4 personave dhe sekuestrimin e 1,1 ton marihuanë me vlerë rreth 8 milionë euro. Të kontrolluar nga një avion i financierëve dhe të ndjekur nga njësitë lundruese, skafistët fillimisht kanë shkarkuar dhjetëra Çanta të mëdha sportive në bregdet, më pas kanë provuar të marrin detin e hapur drejt Shqipërisë, por kur e kanë kuptuar se nuk mund t’ia dilnin janë kthyer me shpejtësi drejt brigjeve të Puglias, kanë braktisur aty skafin në Pineta Sant’Andrea dhe janë larguar në këmbë.
Arratia e katër prej tyre nuk ka zgjatur shumë. Forcat e rendit kanë arrestuar personin që ishte vënë të ruante “mallin” e sapo zbarkuar në breg dhe kanë sekuestruar 37 çanta të mëdha sportive me 1.104 kg marihuanë. Nga mëngjesi i të premtes janë arrestuar edhe tre persona të tjerë dhe kërkohen akoma dy vetë.
Katër të arrestuarit, me moshë nga 23 deri në 40 vjeç, kanë qenë të gjithë pa dokumente identifikimi, dhe kanë vetëdeklaruar identitetin e tyre dhe se vinin nga Vlora. Me ndihmën e autoriteteve shqiptare po bëhet verifikimi i tyre, pasi mendohet të kenë dhënë emra të rremë.
Vetëm pak ditë më parë edhe në Vlorë u sekuestrua thuajse e njëjta sasi droge, gjithnjë e futur në çanta të mëdha sportive të ngjashme me këto të sekuestruarat në Puglia, që kishte për destinacion Italinë dhe u arrestuan dy persona.
Lexo edhe: Vlorë. Bllokohen 1,2 ton marihuanë, arrestohen 2 persona