in

Sekuestrohet një ton marijuanë. Arrestohen 10 persona në Itali e Shqipëri

Operacioni ndërkombëtar i policisë i mëngjesit të sotëm, në Itali e Shqipëri, ka sjellë sekuestrimin e një sasie të madhe droge që sillej deri në Venecia me furgonë të nisur nga Vlora e që zbarkonin në Brindisi

Romë, 21 mars 2013 – Një ton marijuanë e sekuestruar (me vlerë tregu prej 7 milionë eurosh) dhe 10 urdhër-arreste. Ky është bilanci i një operacioni të gjerë policie në dy vende, Shqipëri e Itali, të quajtur “Underground” që sot në mëngjes ka shpartalluar një organizatë kriminale që merrej me trafik ndërkombëtar droge.

Sipas policisë së Venecias, trafikantët transportonin drogën të fshehur në panele alumini të transportuara me furgonë që zbarkonin në Brindisi e mbërrinin në provincën e Venecias ku magazinoheshin.

Operacioni është bërë i mundur falë bashkëpunimit mes policive të të dy vendeve në bashkëpunim me Interpolin. Hetimet kanë nisur që në tetor 2011 kur u sekuestruan 150 gr kokainë në disa kavanozë të fshehur nën tokë. Gjatë hetimeve policia arriti të zbulonte rrugëtimin e drogës nga Shqipëria në Itali e të gjente krerët e bandës. Në Mestre e Martellago të Venecias, më 4 maj 2012, u arrestuan 5 shqiptarë e u sekuestruan 250 kg drogë, më 31 korrik 2012 në portin e Brindisit u bllokua një autotransportator shqiptar me 308 kg marijuanë (edhe kjo sasi e fshehur në panele alumini me destinacion veriun e Italisë, San Donà di Piave, ku të njëjtën ditë u arrestua një tjetër shqiptar me 250 kg marijuanë.

Nga kjo veprimtari investigative është mbërritur në arrestimet e sotme ndaj 10 shqiptarëve: në Veneto janë arrestuar Luigj Makaj, 30 vjeç, Jeton Makaj, 24 vjeç, Klaudio Paluka, 31 vjeç, Ilir Ago, 30 vjeç, Lulëzim Haruni, 31 vjeç, Leonard Arapi, 31 vjeç dhe Dritan Rrotani, 37 vjeç, ndërsa në Vlorë u arrestuan sot Robert Haruni, 35 vjeç, i dyshuar si kreu i kësaj organizate, Marinel Haruni, vëllai i tij, 31 vjeç, të dy banorë të Vlorës, si dhe Alfor Kurupi, 25 vjeç nga Saranda.

Lexo edhe:
Raporti italian. Në vitin 2011 janë paditur rreth 1.700 shqiptarë për trafik droge
OKB: “Shqipëria një nga portat kryesore të trafikut të drogës drejt Europës”

 

Migjen Basha vesh fanellën kuqezi

Aksident në punë. Bie nga shtatë metra lartësi, në gjendje të rëndë 35-vjeçari