in

Sequi dorëzon Raportin e KE-së. Rama: Të inkurajuar nga rekomandimi i KE-së

Për Ramën risia e madhe këtë radhë është fakti se “për herë të parë raporti i progresit flet për mundësinë reale të hapjes së bisedimeve për anëtarësim vitin e ardhshëm, nëse përmbushen disa kushte themelore, me të cilat jemi 100% dakord”

Tiranë, 16 tetor 2013 – “Ne jemi të inkurajuar sot nga propozimi i Komisionit Europian dhe çdo shqiptar pa dallim duhet të ndjehet i inkurajuar nga propozimi i statusit”, u shpreh kryeministri Edi Rama, gjatë marrjes në dorëzim të Raport-Progresit të KE-së për Shqipërinë, nga ana e ambasadorit Ettore Sequi.

Për kryeministrin Rama, ky rekomandim, madje as statusi vetë apo hapja e bisedimeve për anëtarësim, “nuk janë arsye për të treguar asnjë lloj superioriteti moral apo patriotik ndaj opozitës apo për të mos njohur arritjet e qeverive të mëparshme në legjislacionin e integrimit”.

“Ky proces shumëvjeçar drejt anëtarësimit, ka qënë për çdo vend më i gjatë se jetëgjatësia e një qeverie të vetme dhe në çdo vend, kush më shumë e kush më pak, ka pasur meritat e veta dhe Shqipëria nuk ka si të jetë ndryshe. Por, sot, ka vetëm një ndryshim, që ndryshe nga qeveria e mëparshme, ne as gjejmë sot rastin për t’u vetëlëvduar dhe as nuk do të na dëgjoni sot apo mot të shajmë opozitën, për ta ndarë popullin në të mirë dhe në të këqij”, u shpreh kryeministri.

“Tanimë është e qartë, – theksoi ai, – se zgjedhjet e 23 qershorit ishin ‘de facto’ kushti i papërmbushur i dhjetorit të shkuar, sikundër ne e lexojmë qartë, atë që nuk donin ta lexonin parardhësit tanë vjet, kur bëhej fjalë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Risi e madhe e kësaj radhe është se për herë të parë raporti i progresit flet për mundësinë  reale të hapjes së bisedimeve për anëtarësim vitin e ardhshëm nëse përmbushen disa kushte themelore, me të cilat ne jemi qind për qind dakord, si lufta kundër krimit dhe korrupsionit, forcimi i sistemit gjyqësor, reforma në administratë, liritë dhe të drejtat themelore.

“Më vjen sinqerisht mirë që raport i progresit e nënvizon frymën gjithëpërfshirëse në vijën e sjelljes së shumicës sonë qeverisëse, me bindjen se kjo është e vetmja vijë europiane sjellje me opozitën dhe me publikun në tërësi. Ne do të vazhdojmë të jemi tërësisht të angazhuar, qoftë në Kuvend, edhe si qeveri, që ta forcojmë këtë vijë të re në politikën shqiptare”, theksoi Rama

Kryeministri shqiptar i drejtoi një falënderim të posaçëm ambasadorit Sequi për punën dhe përkushtimin e tij në këtë proces, por po ashtu falënderoi dhe Komisionerin e Zgjerimit, Stefan Fyle dhe skuadrën e zgjerimit, që është marrë me hartimin e këtij raporti.

“Në këtë raport, ku krahas prezantimit për statusin dhe përmendjes së mundësisë për anëtarësim, ne mund të shohim si në një pasqyrë besnike mangësitë, dobësitë e problemet tona për t’i zgjidhur, që sot e gjithë ditën e mbajnë Shqipërinë larg BE-së. Pikërisht, për këto na duhet raporti dhe jo për të ushqyer propagandën e sukseseve imagjinare”, theksoi kryeministri Rama.

Ambasadori i BE-së Sequi theksoi në fjalën e tij para medias se procesi i integrimit është gjithëpërfshirje, është përpjekje kombëtare. “Siç e theksoi edhe z.Kryeministër, – u shpreh ai në konferencën e shtypit – në mënyrë që Shqipëria të kalojë në çeljen e negociatave, është e nevojshme të përmbushë reformat. Ky proces ka fuqi transformuese për vendet që e kalojnë atë, ashtu edhe për Shqipërinë. Raport-Progresi është një skanim i situatës dhe në të njëjtën kohë edhe një program për të ardhmen, pasi tregon rrugën se si do të ecet përpara”.

“Isha veçanërisht i kënaqur kur dëgjova nga kryeministri fjalën “gjithpërfshirje” dhe dëshiroj që me këtë rast të shpreh disa ndjenja që ne i kemi përjetuar në Bruksel – shtoi Sequi – Është e drejtë që sot të njihen edhe ato suksese, që janë arritur nga pala politike që sot është në opozitë. Është thelbësore dhe duhet theksuar se procesi duhet të mbetet një projekt gjithpërfshirës. BE-ja  është plotësisht e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e reformave dhe integrimin në BE”.

Rezultatet kryesore të Raportit të Progresit 2013 për Shqipërinë – Teksti në anglisht

 

Rezultatet kryesore të Raportit të Progresit 2013 për Shqipërinë – Teksti në anglisht

Tregtarët me Qeleshe / 4