in

Tregtarët me Qeleshe / 4

Kjo është historia e një çifti italo-shqiptar që nis nga vitet 20 të shekullit të shkuar. Djali, nga Berati, student në Itali. Vajza, nga Napoli. Dy të rinjtë njihen në Itali, dashurohen e pasi djali përfundon studimet e tij, kthehen që të dy në Shqipëri. Vajza italiane 18-vjeçare, ndjek në vendin e tij, të dashurin e saj, të lumtur martohen, lindin 3 fëmijë. Ajo vajzë mendon se, sa herë të dëshirojë, mund të kthehet në Itali, tek prindërit e të afërmit e saj, mendon se jeta në Shqipëri, për ta do të jetë e lehtë. Kjo është e vërtetë deri në çastin e ardhjes në fuqi të regjimit komunist. Pas çlirimit të Shqipërisë, jeta i rezervoi atij çifti befasi rrëqethëse…
Nga Adela Kolea

(Pjesa e katërt)

Nëntoka, mes ‘floririt të zi dhe urithëve
Tiranë, 1945 – 1946

“E pra, të kemi një nëntokë kaq të pasur e ta shohësh të katandisur në kushte të tillë, kjo gjë më shqetëson, madje, më shkakton edhe shume dhimbje” – bisedonte Xhulio me një mik të besuar.

“Epo, të themi që, sapo të dale prej Luftës, nga një anë, nuk mund të prisnim që gjërat të shkonin ndryshe.

Por, nga ana tjetër, nëse pika themeltare si Kuçova, që paraqesin një fare krenarie kombëtare, duke qenë burim i konsiderueshëm pasurish nëntokësore, nëse do ti kishim ruajtur pak më mirë, do të na e kishin lehtësuar punën tonë të tanishme dhe do të kishin përshpejtuar procesin e rindërtimit e të rimëkëmbjes.

Madje, doja të shtoja edhe se, në qofte se AIPA (Shoqëria Italiane e Naftës për Shqipërinë), nuk do të ishte mjaftuar vetëm me transportimin e naftës drejt Italisë, nuk do të ishte ndalur vetëm në pagëzimin e Kuçovës me emrin “Petrolia”, por të kishte realizuar edhe rafinerinë, ndoshta, me gjithë shkatërrimet e Luftës, diçka do të na kishte mbetur, prej nga ku të merrnim shkas për të rifilluar” vazhdonin nën zë bashkëbisedimin e tyre dy kolegët në ambientet e brendshme të Ministrisë së Industrisë e Minierave, Tiranë.

Ishte pikërisht në këtë institucion, ku Xhulio ishte transferuar si funksionar i sektorit, të vendosur në qendër të vëmendjes se eksponentëve drejtues të vendit: industria minerare.

Ndërkohë që vazhdonte procesi i rindërtimit të vendit pas Luftës, industrializimi i tij, me synimin për ta çuar nga një vend i prapambetur bujqësor, i cili ndër të tjera, lëngonte nga plagët e freskëta për tentimin e përmbysjes se pronës private, në një të industrializuar ose më mirë, në një bujqësor – industrial, ndërkohe që vazhdonte elektrifikimi, lufta kundër analfabetizmit dhe përkushtimi në sektorët e ekonomisë përgjithësisht, ishte ndërgjegjësimi se për këto arritje, duhej pasur mbështetje në atë pak industri ekzistuese dhe duheshin bere të gjitha përpjekjet për ta përforcuar e zgjeruar, duke krijuar industri të reja. Por, për të arritur ketë, në kohë rekord e jo vetëm – duke u mbështetur mbi të gjitha – vetëm në forcat tona, mbështetja e të gjithë eksperteve më të mirë të vendit, të çdo fushe, u kthye në një faktor themeltar.

Për këtë arsye, Komisariati i Jashtëzakonshëm për Naftën, krijuar posaçërisht për zgjidhjen e problemeve të lidhura me shfrytëzimin e pasurive tona nëntokësore dhe me pozicionin që mbante përkundrejt tyre në Kuçovë, pronari i tyre i vetëm,  Shteti shqiptar, thërriste përkujdesjen e potencialiteteve intelektuale më të mira të vendit si: inxhiniere, teknike, gjeologe, ekonomiste etj, pra ekspertesh të ardhur nga çdo cep i vendit.

Dhe, një ekonomist aq i afte si Xhulio, në mënyrë të pashmangshme, nuk kishte sesi të mos ‘dëgjonte’ këtë thirrje që mbërrinte prej Kuçovës.

U transferuan në këtë qytet të vogël në qendër të Shqipërisë. Anna, e ndiqte krenare të shoqin në këto përvoja të reja profesionale. Ky, ishte ndër të tjera, edhe një sinjal i vlerësimit të aftësive të tij profesionale dhe për Annën, pse jo, edhe një mundësi më shumë për të njohur zona të reja të Shqipërisë, ndonëse në një Shqipëri që rënkonte akoma nga plagët e Luftës.

Vetëm se, Xhulio, kishte një karakter aq të forte e origjinal, dhe përballë sfidave dhe objektivave që Shteti përcaktonte për t’u arritur e tejkaluar me çdo kusht, ai nuk hezitonte të thoshte mendimin e tij, ose më mirë: të vinte në dukje raportin absurd që shpesh imponohej, ndërmjet kushteve të punës, mjeteve në zotërim dhe afateve të kohës e ritmeve të tmerrshme.

Dikush, i pati bërë të ditur në konfidencë: “Shiko, ndërkohë që të gjithë pa përjashtim, duhet të jemi të kujdesshëm në komente e reagime, ti ke një arsye më shumë, që të detyron të jesh i kujdesshëm dyfish. Këtë ta them me gjithë respektin që kam për ty si nga ana personale e ajo profesionale”.

“Ah, është vërtet kështu? – qe përgjigjur Xhulio. – Nga buron gjithë ky insistim nga ana jote për të më paralajmëruar që të bej kujdes?” i drejtohej me mirëbesim mikut të tij, qëndrimin dhe shqetësimin miqësor të cilit, e kuptonte mjaft mirë.

“Po, thjesht për biografinë tende, apo jo? Jot shoqe është italiane e po qarkullojnë zëra”.

Nuk kishin vlejtur aspak të paret në biografinë e Xhulios, si elemente me rëndësi në historinë dhe kulturën e vendit, sepse koha do të tregonte se, se shpejti edhe ata vete, do të ishin lënë krejtësisht në harrese.

Gjithsesi, në Kuçovë ekspertët punuan në mënyrë të shkëlqyer – ndonëse në kushte tejet të vështira – por, me një shpirt bashkëpunimi të forte, duke kontribuar secili në fushën e tij në maksimum, për të mundësuar arritjen e rezultateve të para pozitive të asaj pike të vogël në hartën e Shqipërisë, që mbante shenjen konvencionale të pasurive nëntokësore. Dhe Shqipëria, për këtë pikë, mund të mburrej vërtet.

Pasi gjendja në Kuçovë u sistemua disi e u qetësua. Detyra e tij si ekonomist përfundoi me sukses, kjo gjë, Xhulios i shërbeu si shtyse për ta transferuar vazhdimisht në zona problematike të vendit, në shërbim të ekonomisë se vendit, të asaj ekonomie që po sforcohej ndërkohë edhe për zhvillimin e shpejte të fshatit gjithashtu.

Fabrika e Përpunimit të Gomës në Durrës (NISH Goma) ishte një fabrike tjetër mjaft e rëndësishme, e cila kishte nevojë të ndiqej me kujdes dhe Xhulio dha kontributin e tij, me të gjitha forcat e veta e përkushtimin profesional, deri në arritjen e suksesshme të objektivave të përcaktuar nga qeveria.

Fabrika e Përpunim të Lëkurës (NISH Lëkura), gjithnjë në Durrës, ishte në vështirësi edhe ajo, për sa i përket bilancit. Xhulios i mbërrin thirrja për t’u transferuar kësaj radhe, në këtë fabrikë.

Xhulio i pranonte me entuziazëm të gjitha këto detyra profesionale – sepse, jo vetëm ishte një profesionist serioz e tejet i afte – jo vetëm përfitonte kënaqësi të jashtëzakonshme në arritjen e rezultateve të shkëlqyera atje ku i caktohej një detyre, jo vetëm sepse, qëndrimi ndaj sfidave, tek ai ishte shume i forte e dinjitoz, por edhe sepse kuptonte që Shqipëria, në ato momente, kishte nevoje për përkushtimin profesional total të gjithë bijve të saj, për detyrim e respekt edhe ndaj atyre që kishin dhënë jetën në Luftë. Ndjenja e përgjegjësisë dhe e detyrimit ndaj atdheut, tek ai, ishin shumë të theksuar.

Në të gjithë këtë mbarëvajtje të punëve të tyre, edhe Anna kishte meritën e saj, sepse po ndiqte të shoqin dhe e mbështeste devotshmerisht, duke e përkrahur në momente të vështira, për të përballuar çdo vështirësi të re që u dilte përpara.

Personeli punëtor dhe zyrtaret e Fabrikës se Përpunimit të Lëkurës, atë ditë, u njohën edhe me një koleg ekonomist të Xhulios, i cili vinte nga Tirana e që me Xhulion do të ndante të njëjtën zyre.

Të dy kolegët iu përveshën punës. Kishte diçka që nuk shkonte në bilancin e asaj fabrike. Duheshin studiuar të gjitha shkaqet e problemeve dhe përcaktuar strategjitë e nevojshme për t’u ndjekur, për një arritje pozitive. Xhulio ndërkohë, i palodhur, vinte edhe nga një tjetër përvojë profesionale e frytshme për te, si ajo e mëparshmja e Kuçovës.

Në Kuçove – mes një nxjerrjeje nafte nga terreni e një tjetre – atje pranë burimeve i kishte ndodhur të hasnin edhe ndonjë “urith.

Urithët, dihet, jetojnë e ushqehen me errësirë, dhe në shtresat e sipërme të sipërfaqes se tokës, e kanë vështirë të arrijnë – duke ardhur prej puseve më të ndyra e më të thella – nëse nuk gjejnë strategjinë e duhur.

E pra, ndjesia që po haste në një “urith” tjetër, Xhulios ju krijua edhe në këtë fabrike, ku ishte transferuar prej pak kohesh. Kolegu i tij, me të cilin bashkëndante të njëjtën zyre, kishte qenë – ndër të tjera – edhe shok armesh në Luftë, me njërin nga eksponentët më të egër të qeverise në fuqi.

E pra, kësaj radhe, nuk po kërkonin “ floririn e zi”.

Kësaj radhe, i zi, po behej fati i të gjithë atyre qe, në Shqipërinë e asaj kohe, kishin bere gabimin më të madh të jetës se tyre: atë, të qenit intelektualë, për më tepër me projektime disidente.

Jo vetëm: nëse ndonjëri, si Xhulio, ishte edhe i martuar me italiane, ndonëse ai për këtë gjë ishte deri diku i ndërgjegjshëm mbi pasojat, jeta do t’i kishte rezervuar surpriza aspak të këndshme. 

Vijon me: Tregtarët me qeleshe / 5

Lexo edhe:
Tregtarët me Qeleshe
Tregtarët me Qeleshe / 2
Tregtarët me Qeleshe / 3

 

Sequi dorëzon Raportin e KE-së. Rama: Të inkurajuar nga rekomandimi i KE-së

L’Aquila. Vret me pistoletë të bijën e të shoqen në supermerkatë