in

Sergio Staino: “Kur vizitonim Shqipërinë socialiste” /2

Komunizmi shqiptar, kam zbuluar më vonë, ka bërë një përzierje të çuditshme ndërmjet aspekteve më dogmatike të filozofisë komuniste, pra të “Manifestit të Partisë komuniste” të Marksit, dhe të mendimeve të Leninit, dhe pastaj atyre të Stalinit, por duke i shkrirë me atë ligj të njohur mesjetar të Lek Dukagjinit që ishte në fuqi në Shqipërinë malësore, fshatare e baritore, që bazohej kryesisht mbi trashëgiminë dhe gjakun.

Intervistoi Roland Sejko

Po juve, delegacioneve perëndimore që vinit asokohe në Shqipëri, ju të “privilegjuarve” të themi, që mund të hynit në një vend që ishte plotësisht i mbyllur, a s’ju kish shkuar ndonjëherë në mendje se ajo që ishte ndërtuar në Shqipëri ishte një diktaturë?

Ishte diktaturë, e dinim. E teorizonim edhe ne sepse pranonim diktaturën e proletariatit. Por me kohë kuptova, vendosa të dal nga vorbulla dhe të denoncoj se ajo nuk ishte një diktaturë proletariatit, – nëse një e tillë mund të ekzistonte, personalisht nuk besoj më se një gjë e tillë është e mundur. Shpresoj që askush tjetër të mos provojë ta ndërtojë përsëri, sepse kjo diktaturë e proletariatit përputhej plotësisht me çfarëdolloj shteti policor, pra një shteti policor në shërbim të një grupi të vogël drejtuesish, i cili mbante pushtetin politik e ekonomik, dhe e përdorte në mënyrë kërcënuese, me të gjitha mjetet tipike të shtypjes policore.

Kjo shtypje policore shihej, veçanërisht, në praninë e Sigurimit që praktikisht ishte gjithandej. Ju a keni pasur mundësi të ndienit praninë e Sigurimit, rreth jush apo tek njerëzit e tjerë?

Është gjëja më e trishtë e vendeve socialiste. Ndihej në Shqipëri, siç ndihet prej vitesh dhe sot e kësaj dite në Kubë, në gjithë vendet komuniste ndodhte kjo. Mund të arrije të flisje me njerëzit nëse i gjeje të izoluar në një moment të qetë e të sigurt, përndryshe nuk kishte mundësi dialogu sepse gjithçka ishte e kontrolluar. Por gjëja më e tmerrshme ishte zhdukja e njerëzve. Njihje dikë që ndoshta ishte një shkrimtar apo një poet, apo kushdo, … bëje miqësi me të, flisje me të, e takojë prapë vitin tjetër, vije re që nuk ishte si gjithë të tjerët, vije re që kishte idetë e veta, që kishte një tru që funksiononte, kishte njëfarë shpirti të pavarur… Ktheheshe vitin e tretë dhe ky ishte zhdukur. Pyesje: Po filani ku shkoi? Të përgjigjeshin: Kush? Për kë e ke fjalën? Asnjë nuk e njihte më, ndodhte një fshirje e plotë e ekzistencës së tij. Po Filani, Fisteku… Të përgjigjeshin: ah po… ndoshta ishte këtu, por ndoshta ka ikur me punë… Po Ku? Nuk e dimë.. Me siguri përfundonin në kampe përqendrimi, apo i eliminonin, i pushkatonin, dhe kjo ishte e zakonshme, ndodhte në të gjitha vendet komuniste.

Ndaj kur edhe sot dikush mbron atë çka ka mbetur nga vendet komuniste, duke filluar nga Kuba, më ngrihen qimet përpjetë. Gjëja më e shëmtuar e negative e komunizmit është fakti që ka shkaktuar padrejtësi dhe gjëra të tmerrshme ndaj popullsisë po aq sa ka bërë edhe kapitalizmi në fazën e tij fillestare. Shfrytëzimi i njeriut që ka ushtruar komunizmi është i ngjashëm me atë që në shekullin XIX bëri kapitalizmi, kur futi minierave edhe fëmijët, kur shfrytëzoi njerëzit duke i vënë të punojnë nga 14-16 orë në ditë. Me dallimin që kapitalizmi e bënte në emër të pasurimit, pa e fshehur asnjëherë qëllimin e vet që ishte pasurimi material. Ndërsa komunizmi e bënte në emër të drejtësisë shoqërore, të dashurisë, vëllazërimit, solidaritetit. Dhe padrejtësia e rëndë e ushtruar me këtë moto shkatërroi shpirtin e personave.

Zoti Staino, kur lind një diktaturë sipas jush, kur lind stalinizmi?

Kam arritur në përfundimin që stalinizmi lind në çastin kur dikush thotë se ka ndodhur kjo e kjo tjetra, por që më mirë të mos merret vesh pasi të tjerët mund të nxjerrin përfundime të gabuara, ndaj më mirë të fshehim të vërtetën. Ja ky është fillimi i stalinizmit. Kur unë bëj një karikaturë, më ka ndodhur në të shkuarën, që ndonjë të më ketë thënë: “kjo karikatura është e vërtetë por bën mirë të mos e bësh sepse nuk është me vend, nuk është me vend politikisht”. Atëherë nxehem dhe vendos ta bëj patjetër pasi nuk ekziston oportunitet politik në informacion. Informacioni duhet të jetë i lirë dhe i plotë. Nëse ndodh një gjë dhe e mbaj të fshehur sepse oportunizmi politik më këshillon kështu, kjo nuk është tjetër veç fillimi i stalinizmit.

Stalinizmi në Shqipëri, ndryshe nga ai në vendet e tjera, shihej, prekej me dorë. Po një perëndimor që besonte në teorinë marksiste ç’përshtypje i bënte?

Stalinizmi ishte i dukshëm i prekshëm, por fshihej sepse siç e thashë ishim aq të përfshirë nga dëshira për të para diçka që u përgjigjej parimeve për të cilat kishim lindur sa minimizonim të gjitha sinjalet që na vinin si stalinizëm. Ndokush edhe i ka favorizuar. Unë kujtoj me dhimbje Myftar Viganin – kam qarë më pas për të – një person shumë të dashur që ishte shoqëruesi ynë gjatë vizitave të para. Ishte njeri i thjeshtë, që ç’nuk ka kaluar, u bë martir i një shoqërie. Nuk ndihej shumë komunist, si të thuash, i pëlqente të rrinte në shoqëri, lumturohej me pak. Ne arrinim në Shqipëri të veshur mirë, me të mira materiale që atij i mungonin ndaj kënaqej shumë kur dikush i dhuronte një palë çorape apo këmishën. I pranonte dhuratat e falënderonte me zemër, natyrisht duke thyer një rregull të hekurt të regjimit, që detyronte të gjithë popullin shqiptar të mos pranonte asnjë dhuratë nga perëndimorët, pasi çdo shqiptar duhet të tregonte që i mjaftonte ajo që kishte, nuk i mungonte gjë. Një ditë një nga anëtarët e delegacionit, njëfarë Menegatti e denoncoi. Shkoi nga shqiptarët dhe u tha: “E dini që shoqëruesi ynë Myftar Vigani, ju bën me turp, sepse pranon dhurata nga persona të delegacionit, duke dhënë përshtypjen se keni nevojë?”. Natyrisht Myftari u zhduk, nuk na shoqëroi më. Dhe më vjen turp e keq se qe një maskarallëk i bërë nga një italian i grupit tonë…

A e vinit re që në Shqipëri përveç kultit të Stalinit, ishte lartuar një një tjetër kult, ai i diktatorit Enver Hoxha?

Kulti i Enver Hoxhës ishte në nivel të paimagjinueshëm. Siç ju thashë kur shkoja në Shqipëri më duhej të hiqja mjekrën, dhe e keni parasysh që menjëherë më pas lëkura nën mjekër del disi e zbehtë dhe e fryrë. Kur mbërrija në Shqipëri më thoshin që i ngjaja Enver Hoxhës, ishte kompliment i madh. Në fakt kujtoj njëherë kur kam qenë në maternitetin e Tiranës, të gjitha doktoreshat m’u afruan e buzagaz më thoshin “Ah! Sa shumë i ngjan Enver Hoxhës!”

Njëherë edhe e “përdora” ngjashmërinë me Enverin. Na çuan në Elbasan për të parë kombinatin metalurgjik, që ishte krenaria e industrisë shqiptare. Në restorant kërkova të provoja tavën e kosit e më thanë: “Nuk e parashikon menyja por po të duash shko në kuzhinë dhe fol me kuzhinierin. Meqë i ngjan Enver Hoxhës, zor se ta prish qejfin”. Shkova në kuzhinë duke qeshur e duke besuar se po talleshin me mua, por kuzhinieri me të më parë mbeti gojëhapur: “Ua! Po ti qenke kopje shoku Ener!”. Kur e pyeta nëse na e përgatiste atë pjatë ma ktheu: “Natyrisht! Për shokun Enver, tavën me kos e ç’t’i dojë zemra!”. E me këtë dua të them që kulti i Enver Hoxhës ishte aq i fuqishëm sa i transmetohet edhe atyre që ngjanin me të.

Si njohës nga afër i diktaturës, a mund të thoni sot se regjimi komunist në Shqipëri ka qenë një ndër më të egrit e Evropës Lindore?

Këtë nuk e di. Nga ç’kam lexuar edhe në Rumani, Bullgari e në vetë Bashkimin Sovjetik kanë hequr goxha. Nuk jam në gjendje të bëj një bilanc edhe për faktin që kur diskutohet për vuajtje është vështirë të matet shkalla e vuajtjes. E në vendet komuniste ka pasur shumë vuajtje e padrejtësi që më shkaktojnë dhimbje edhe vetëm t’i mendoj sepse me vetëdije apo pa vetëdije kemi përgjegjësi edhe ne për gjithë këto gjëra të tmerrshme. Ndoshta po të kishim më pak dëshirë për mbrojtjen e ideve e më shumë dëshirë shkencore për të kuptuar vërtet realitetin, mund të kishim denoncuar kohë më parë këtë gjë, apo të paktën të mbështesnim veprimtarinë e partisë komuniste italiane, që në këtë aspekt ka qenë mjaft e guximshme. Me Berlinguerin, diti të largohet dhe të denoncojë padrejtësitë e shumta.

Natyrisht Shqipërinë e njoha nga afër, por nuk ka qenë realiteti që kam dashur më shumë. Si gjithë brezi im, jam dashuruar me revolucionin në Kubë, që ka qenë i vetmi revolucion që kemi parë drejtpërdrejt. Sigurisht ishte i egër, për mënyrën si asgjësoheshin kundërshtarët, si shkeleshin të drejtat e njeriut, si shtypej çdo formë disidence, si justifikoheshin aksionet absurde me motivime politike. E si mund të masësh shkallën e dhunës? Unë e kam tepër të vështirë.

Zoti Staino, pse dështoi komunizmi në gjithë vendet ku u përpoq të ndërtohej?

Unë besoj se dështoi sepse në realitet padrejtësitë e mëdha të bazuara mbi gënjeshtra duhet të bien herët e vonë, siç ra fashizmi, nazizmi. Jam më i prirë të kuptoj arsyet e fashizmit e të nazizmit sepse lindin nga vullneti i keq, i mallkuar i një grupi të vogël për të shfrytëzuar dhe pasur privilegje nga shtypja e popullit. Ky është fashizmi e nazizmi. E për të bërë këtë nuk e fshehin, e thonë hapur: “Ne jemi racë e epërme, duhet të ngremë një botë të epërme e për këtë kemi nevojë të shfrytëzojmë e të zhdukim të gjithë ata që na pengojnë në realizimin e kësaj ideje”. Është një egërsi e hapur.

Në socializëm nuk është kështu, e njëjta egërsi dhe të njëjtat objektiva interesash të një grupi fshihen pas sloganesh solidariteti. E konsideroj një fat të madh rënien e sistemeve komuniste, por mendoj se dëmet e shkaktuara ende nuk kanë sosur, përkundrazi dëmet e komunizmit do të kushtëzojnë akoma për shumë kohë zhvillimin e shoqërisë në mbarë botën. E them këtë duke pasur parasysh Kinën, Bashkimin Sovjetik, të gjitha ato forca politike në Evropën e sotme që besojnë akoma në komunizëm, që e mbajnë si element karakterizues të ideve të tyre. Mendoj se duhet të rimendojmë thellë gjithçka, pikërisht në emër të atyre vlerave që, përmes komunizmit, dëshironim të vinim në jetë.

Staino, më shumë se një disenjator

Njihet gjerësisht si babai i Bobo-s, personazhit të vinjetave që është shndërruar në zërin kritik të së majtës italiane. Por Sergio Staino është shumë më tepër se një vinjetist i thjeshtë. I diplomuar në arkitekturë, Staino ka bashkëpunuar me gazetat më të rëndësishme italiane, dhe është themelues i gazetës satirike Tango. Në vitet ’80 bashkëpunon me televizionin me emisionet e famshme të Drive In-it, ndërsa më 1993- në RAI drejton “Cielito Lindo” duke i paraprirë asaj që do të bëhej Zelig. Bashkëpunon me teatro të ndryshëm, për një kohë të gjatë ka qenë drejtor artistik i Teatrit Puccini të Firences dhe i veprimtarisë së madhe Estate Fiorentina. Është njëkohësisht regjisor i dy filmave artistikë “Cavalli si nasce” dhe “Non chiamarmi Omar”.

Lexo edhe: Sergio Staino: “Kur vizitonim Shqipërinë socialiste me grupet marksiste”/1

 

 

 

 

Sergio Staino: “Kur vizitonim Shqipërinë socialiste me grupet marksiste”

Shqiptarët arratisen sërish me çarçafë