in

Pasaportat shqiptare. Sërish probleme në kufi për të lindurit në Greqi

Shkrimi vetëm në gjuhën shqipe të toponimeve greke në pasaportat biometrike, vazhdon t’u hapë telashe emigrantëve në Greqi. Këtë radhë pala greke “bën lëshim” e lejon kthimin e të gjithëve deri më 5 shtator

Romë, 13 gusht 2013 – Që kur shqiptarët janë pajisur me pasaportën e re biometrike, sa herë fluksi i hyrje-daljeve në kurifin Greqi-Shqipëri rritet, lindin probleme. Madje arrihet deri aty sa pala greke nuk lejon kalimin e fëmijëve të emigrantëve shqiptare që kanë lindur në Greqi, pasi vendlindja e tyre nuk është shkruar në mënyrë korrekte në pasaportë. E njëjta gjë edhe këtë verë, qoftë në Kapshticë, qoftë në Kakavijë, aq sa shumë emigrantë kanë qenë të detyruar të mos shkojnë në Shqipëri për pushime.

Së fundi, pa i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi, është zgjedhur sërish rruga e ndërhyrjes për një “amnisti”, një lëshim nga pala greke: “Autoritetet greke, nëpërmjet Ambasadës sonë në Athinë, kanë komunikuar se do të lejohet kalimi në kufi i fëmijëve të emigrantëve shqiptare që kanë lindur në Greqi, deri në datën 05 shtator 2013. Ky vendim është i vlefshëm për të gjithë, pa dallim vendlindje dhe zbatohet në të gjitha pikat e kalimit tonë kufitar me Greqinë”. Kështu ka lajmëruar më 12 gusht ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Praktikisht, emigrantët që punojnë dhe jetojnë në shtetin fqinj grek, me problemit të toponimeve, mund të vizitojnë të afërmit e tyre apo të kalojnë pushimet në Shqipëri vetëm kur arrihet një marrëveshje e përkohshme mes dy palëve. Siç ishte për shembull marrëveshja e nënshkruar për zgjedhjet e 23 qershorit, falë të cilës emigrantët  shkuan në vendlindje për të votuar e më pas u kthyen atje ku punonin.

Pasaporta është vërtet dokument i shtetit shqiptar, por është edhe i vetmi që njihet jashtë territorit të Shqipërisë, ndaj duhet të plotësojë parametrat e parashikuara për dokumente me vlefshmëri ndërkombëtare. Nëse mbi to do të shkruhej vetëm “Republika e Shqipërisë” nuk do ta njihte njeri, ndaj edhe përkthehet “Republic of Albania”. Por nuk përkthehet ajo çfarë shkruhet nën zërin “vendlindja/place of birth”. E kur kjo është shqiptare nuk prish punë, por kur kjo është e huaj e për rrjedhojë origjinali mund të mos korrespondojë me mënyrën e shqiptimit e të shkrimit në shqip lindin problemet. Problemi është i kapërcyeshëm për sa kohë në regjistrat e Zyrave të Gjendjes Civile e më pas edhe në pasaportë shkruajnë emrat e qyteteve siç janë në certifikatat e lindjes (pa i shqipëruar) për shembull, Firenze (dhe jo Firence), Venezia (dhe jo Venecia), New York (dhe jo Nju Jork). Gjë që nuk është e mundur kur vendlindja është në Greqi, sepse në origjinal këta emra janë të shkruara në germa greke e jo latine. Në dokumente si pasaporta për Greqinë nuk mund të shkruhet as vetëm Selanik, apo Kostur, apo Korfuz, që janë emrat në gjuhën shqipe të këtyre vendeve, e që Greqia nuk i njeh.

Si duhen shkruar? Problemin e ka zgjidhur Organizata e Kombeve të Bashkuara me një nga Konferencat për Standardizimin e Emrave Gjeografikë. OKB rekomandon përdorimin e Katalogut të emrave gjeografikë të vendeve të ndryshme, të miratuar në New York, në vitin 1998. Sipas këtij katalogu, në dokumente zyrtare, apo harta gjeografike, të gjithë emrat e Greqisë duhet të shkruhen siç shqiptohen në gjuhën greke, por të konvertuar me germa latine: Thessaloniki për Selanikun, Kastoria për Kosturin, Florina për Follorinën, Kerkira për Korfuzin, etj. Kështu duhet t’i shkruajë edhe Shqipëria, që e ka të zgjidhur çështjen për qytete si Athina, Katerini, Larisa, Patra etj, të cilat fatmirësisht edhe në shqip shkruhen ashtu siç e kërkon katalogu i New Yorkut.

Me pak fjalë, që çështja të zgjidhet njëherë e mirë nevojitet që Shqipëria të ndryshojë sistemin e shkrimit të vendlindjes, duke zbatuar konventat ndërkombëtare, jo për të plotësuar tekat e grekëve, por sepse ashtu duhet, e për të mos u hapur telashe qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë jashtë.

Herët a vonë do të bëhet. Të shpresojmë që të mos detyrohen emigrantët të ndërrojnë pasaportë, e të paguajnë sërish çmimin e saj të kripur.

Keti Biçoku

 

Deutsche Welle: “Shqipëria po mbytet nga plehrat”

Berat. Rrëzohet një helikopter, plagoset piloti italian