Ndeshja ndaj Italisë na e tregoi forcën e Spanjës, nivelin e jashtëzakonshëm teknik e taktik. E njëjta Spanjë do të luajë sonte në “Loro Boriçi”. Për herë të parë në vitet e fundit, pranohet hapur, e jo me gjysmë goje, se humbja është te dera. Mjafton që ajo të mos jetë poshtëruese
Përfaqësuesja shqiptare e futbollit ndeshet këtë mbrëmje me përfaqësuesen spanjolle, në një prej sfidave më të vështira, në mos më e vështira, që prej uljes në stol të italianit De Biasi.
Ish-kampionët e botës dhe të Europës e kanë mbizotëruar futbollin gjatë dekadës së fundit, edhe pse në dy aktivitetet e fundit, në Botërorin e Brazilit dhe në Europianin e Francës, janë paraqitur zhgënjyeshëm, duke u larguar para kohe.
Më tepër se një kurbë në rënie, ka qenë me shumë mundësi një lodhje prej rutinës së fitoreve, një tejngopje me sukseset e një zbrazje nga objektivat e përmbushur tashmë. Me ndërrimin e drejtuesit teknik, Spanja duket se është ringjallur tërësisht. Janë larguar ca lojtarë me cikël të përfunduar, e janë afruar ca të tjerë, të uritur për trofe.
Ndeshja ndaj Italisë na e tregoi forcën e Spanjës, nivelin e jashtëzakonshëm teknik e taktik, edhe pse italianët mund të kishin fituar minutat e fundit. Një Spanjë gati e papërballueshme në pjesën më të madhe të lojës, që ia doli ta mbyllte në gjysmëfushën e saj Italinë.
E njëjta Spanjë do të luajë sonte në “Loro Boriçi”. Për herë të parë në vitet e fundit, që prej hovit të përfaqësueses kuqezi, pranohet hapur, e jo me gjysmë goje, se humbja është te dera. Mjafton që ajo të mos jetë poshtëruese. Mjafton që ajo të mos i ngjajë asaj të Kosovës vetëm pak ditë më parë.
Ky dorëzim i përgjithshëm ngjet për herë të parë në historinë e re të futbollit së përfaqësueses. Në dy vitet e fundit asnjëherë nuk është parathënë humbja, nuk është pranuar ajo.
Dhe jo me pa të drejtë. Veç formës aktuale të Spanjës, janë dhe statistikat mes dy ekipeve, të cilat i kujton dhe UEFA. Janë aty pesë ndeshjet e humbura, 24 golat e pësuar, një humbje tepër e thellë më tepër se dy dekada të shkuara.
Por sjell në vëmendje gjithashtu UEFA dhe një të dhënë kuptimplote: Spanja nuk mundet prej 55 ndeshjesh në kualifikueset e një botërori!
Prandaj kjo është sfida e De Biasit, kjo është sfida e vërtetë e tij!
Një sfidë që një tjetër italian, Ventura, thuajse e humbi ditë më parë, e prandaj sot nuk ndalojnë kritikat ndaj tij.
Përfaqësuesja mund të humbasë, por gjithçka varet nga mënyra si do shkojnë gjërat.
De Biasi luan me reputacionin e tij, me bindjet e tij. Ai nuk do assesi të humbasë, por varet si do kërkojë ta shmangë humbjen.
Të nesërmen e presin me një mal kritikash nëse do të humbasë, duke rinisur ciklin e pakuptimtë të paralajmërimit të largimit të tij! Siç bënë edhe pas Francës! Duke harruar se veç tij, vështirë ta kishte çuar dikush tjetër Shqipërinë në Europian! A thua se një teknik më i mirë është pas portës!
Në ia daltë, lum si ai! Një pikë, mjafton një pikë për të thyer tabunë ndaj Spanjës. Fitorja…? Duket gati e pamundur. Por, natyrisht, tejet e mirëpritur.
Sfida, përsëri, është e De Biasit. Për ta fituar dhe këtë, siç ka fituar dhe shumë të tjera.
Na mbetet të shpresojmë që De Biasi t’ia dalë, që përfaqësuesja t’ia dalë!
Botuar në Tesheshi.com