in

Shanset e Samitit të Diasporës

Samiti është ndoshta rasti i fundit që i jepet Shtetit për të ngritur ura bashkëpunimi organik e të frytshëm me bijtë e tij jashtë. Nëse fjalët e bukura nuk do të pasohen nga nisma e akte konkrete për t’i vënë ato në jetë, prej tij do të mbetet vetëm një zhgënjim i madh

 

Mëse njëmijë persona nga 41 vende të botës iu përgjigjën thirrjes së qeverisë shqiptare për të marrë pjesë në Samitin e parë të Diasporës të mbajtur në Tiranë fundjavëne shkuar. Pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve paguan vetë udhëtimin dhe qëndrimin në Tiranë për të dëgjuar ç’kish për t’u thënë atdheu, që për të parën herë në këta 25 vjet nga eksodi i parë i madh, u kujtua të bashkëbisedojë me një të tretën e qytetarëve të tij (në mos më shumë) që jetojnë jashtë.

Me vonesë vërtet, por edhe me pompozitet. Jo një mbledhje të thjeshtë po një Samit treditësh, të hapur për të gjithë shqiptarët jashtë shtetit, ata të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Preshevës.

Të premten më 18 nëntor, pritja në Pallatin e Brigadave, ku kryeministri Edi Rama, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe presidenti i Kosovës Hashim thaçi u dhanë mirëseardhjen shqiptarëve të ardhur nga e gjithë bota.

E shtuna ishte dita e ballafaqimeve të organizuara në panele të ndryshme, të mbajtur disa njëherësh, për të diskutuar mbi prurjet e rëndësinë e diasporës në kulturë, turizëm, ekonomi, për rëndësinë e mbrojtjes së gjuhës, marrëdhëniet me përfaqësitë konsullore dhe zhvillimin e këtyre të fundit, për të rrëfyer histori suksesi shqiptarësh jashtë etj.

Për të mbërritur pasdite në një ballafaqim të drejtpërdrejtë me kryeministrin Rama: në hollin e Pallatit të Kongreseve, pa moderator e përballë qindra personave ai u është përgjigjur pyetjeve të këtyre të fundit. Nga ato klasiket, e natyrisht aspak të reja, mbi të drejtën e pjesëmarrjes në votime nga ku jetojnë, më shumë mbështetje për mësimin e gjuhës e kulturës shqiptare apo marrëveshjet dypalëshe, veçanërisht me Italinë e Greqinë, mbi mbrojtjen sociale dhe pensionet, mbi marrëdhëniet me konsullatat, deri te të tjera specifike apo më të reja, por gjithsesi çështje shumë të ndiera si mbi raportet jo të mira me Greqinë apo për ato më të ndera me Serbinë, apo përse shumë vazhdojnë të largohen nga Shqipëria e atyre që duan të kthehen ua shkëshillojnë një gjë të tillë e shumë të tjera.

E shtuna u mbyll me një koncert në TOB ndërsa e diela ishte dita e turizmit kulturor: mund të vizitoheshin në mënyrë të organizuar muzeume monumente e vende historike të kryeqytetit por është në Durrës, Krujë, Berat e Shkodër.

Së fundi mbrëmja gala që mbylli tre ditët e samitit, në të cilën qeveria nderoi me Shqiponjën e artë, vlerësim i lartë që jep kryeministri i Shqipërisë, 15 personalite e organizata nga diaspora. Gjatë mbrëmjes, së pasuruar me disa pjesë artistike, kontribut i shqiptarëve jashtë e brenda vendit, përshëndetën kryetari i Kuvendit Ilir Meta, nënkryetari Shpëtim Idrizi e në fund mbrëmjen e mbylli kryeministri Rama duke falenderuar të pranishmit për interesin e treguar për iniciativën e për të dhënë përfundimet e para të tre ditëve.

Çfarë do të mbetet nga e gjithë kjo? Një zhgënjim i madh nëse fjalët e bukura të thëna gjatë Samitit nuk do të pasohen nga nisma e akte konkrete për t’i vënë në jetë. Shqiptarët nga e gjithë bota treguan interes për nismën e qeverisë, aq sa kapërcyen, me praninë e tyre të shumtë, edhe pritshmërinë e organizatorëve. Nga qeveria pritet po aq interes për kauzat e atyre që jetojnë jashtë. Nëse kjo ndodh, Samiti – edhe pse si i parë kishte probleme e mangësi – mund të jetë një fillim i mbarë.

Mes gjërave të kryera e të renditura në Samit, mund të përmendet padyshim shtimi i shërbimeve konsullore dhe përmirësimi i tyre në vazhdimësi. Përveç certifikatave të Gjendjes Civile që prej një viti mund të merren drejtpërdrejt në Konsullata, kryeministri paralajmëroi vënien gradualisht në funksion të të ashtuquajturës “konsullatë digjitale”, falë të cilës pjesa më e madhe e shërbimeve konsullore do të mund të kërkohen online e dokumenti i kërkuar do të mbërrijë në shtëpi me postë.

Mes premtimeve, ai i regjistrimit sa më shpejt i të gjithë shqiptarëve jashtë Shqipërisë. “Nuk do të fle i qetë deri sa të kemi regjistruar edhe shqiptarin e fundit në botë”, fjalët e kryeministrit. Por nga ana tjetër premtimi përmban në vetvete pranimin e mosmbajtjes së një tjetër premtimi të bërë tre vjet më parë. Ndryshe nga ç’ishte thënë gjatë fushatës së shkuar zgjedhore (edhe nga vetë PS), edhe në zgjedhjet e ardhshme, diaspora nuk do të mund të votojë nga ku jeton, por vetëm duke u kthyer pranë komunave shqiptare kujetonte para se të linte Shqipërinë. Sa e bëjnë këtë gjë? Deri tani pakkush, ndonjë nga Italia, Greqia e ndonjë vend tjetër evropian. E vetëm pse ndonjë parti, në këmbim të votës, u ka vënë në dispozicion bileta avioni apo disa autobusë.

Në përgjithësi, qeveria premton që dialogu, ballafaqimi e bashkëpunimi mes Shtetit e diasporës i nisur me Samitin e parë të ketë vazhdimësi. Duke bërë të mundur që, duke analizuar çfarë u tha në panelet e ndryshme e në pyetje-përgjigjet me kryeministrin të gjehen pikënisje të përbashkëta e të vlefshme mbi të cilat të punohet së bashku për të mbërritur në një Samit të dytë (duke uruar që të ketë një periodikisht, siç premtoi Kryeministri) me një bilanc të asaj që është bërë e të mos niset gjithçka nga fillimi. Deri tani, takimet e mëparshme me shqiptarë jashtë vendit, kryesisht në periudha parazgjedhore, janë karakterizuar nga përsëritja qoftë e çështjeve të nxehta të emigrantëve qoftë e diskutimeve retorike dhe e premtimeve (të harruara shumë shpejt) të politikanëve të radhës.

Pastë Samiti këmbën e mbarë! E urojnë të gjithë ata që, edhe pse jetojnë larg, janë të lidhur me Shqipërinë nga mijëra fije të padukshme që nisen më shumë nga zemra se nga koka.

Keti Biçoku

 

Cremona. Humbet jetën në punë 43-vjeçari shqiptar

Itali-Shqipëri në Palermo. Të kaltrit u tremben kuqezinjve