Do të presin në Romë pelegrinët gjatë Vitit të Shenjtë. Mund të paraqesin kërkesë edhe imigrantë e brezat e dytë, brenda 17 dhjetorit
Romë, 12 dhjetor 2015 – Për Jubileun e Mëshirës që nisi dje me hapjen nga Papa Françesku të Portës së Shenjtë në Shën Pjetër pritet të mbërrijnë në Romë mëse 30 milionë pelegrinë.
Për t’i pritur do të angazhohen edhe djem e vajza të Shërbimit Civil Kombëtar. Para pak ditësh është shpallur një konkurs për rekrutimin e 644 vullnetarëve për 34 projekte asistence dhe promovimi kulturor që kanë të bëjnë me Jubileun. Projektet janë të gjitha në Romë e angazhimi i të rinjve do të zgjasë një vit, për një pagë mujore 433,80 euroshe.
Si për të gjitha konkurset e Shërbimit Civil, mund të paraqesin kërkesë të rinj me moshë 18-28 vjeç, pa dallim gjinie italianë, komunitarë dhe jokomunitarë, e për këta të fundit kërkohet që të jenë me qëndrim të rregullt në Itali. Kjo do të thotë që është i hapur edhe për imigrantë e bij imigrantësh.
Kriteret e pjesëmarrjes, lista e projekteve dhe formularët që duhen përdorur për aplikim gjenden të gjitha në portalin internet të Zyrës së Shërbimit Civil Kombëtar. Kërkesat duhen paraqitur pranë enteve që realizojnë projektet brenda orës 14.00 të të enjtes 17 dhjetor.