in

Shija e turizmit bio në Shqipëri

Turistja nuk e mohon se fjalët që kishte dëgjuar në Zvicër për Shqipërinë nuk ishin fort të këndshme. Por tani që e vizitoi, ka prenotuar një udhëtim të ri për vitin e ardhshëm.
“Jemi infektuar nga virusi me emrin Shqipëri. Do të na pëlqente të qëndronim sa më gjatë këtu” thotë një prej studiuesve zviceranë që kanë vizituar fermat bio

Durrës, 12 shtator 2012 – “Jemi infektuar nga virusi me emrin Shqipëri. Do të na pëlqente të qëndronim sa më gjatë këtu”. Martin Lichtenhalm është një nga studiuesit BIO që kanë mbërritur në vendin tonë nga Zvicra. Janë 20 specialistë, që përfaqësojnë kantone të ndryshme dhe që e konsiderojnë Shqipërinë ‘një zbulim të madh’.

Ata kanë zhvilluar një tur alternativ dhe ndalesat e grupit kanë qenë fermat dhe njësitë e përpunimit BIO në rrethet e Tiranës, Durrësit, Lushnjes, Vlorës dhe Përmetit, pa lënë pas dore Gjirokastrën dhe Sarandën.

Jolanda Krummenacher nuk e mohon se fjalët që kishte dëgjuar në Zvicër për Shqipërinë nuk ishin fort të këndshme. Ditën e fundit të qëndrimit të saj në vendin tonë ajo nuk ka më asnjë dyshim. Thjesht ka prenotuar tashmë një udhëtim tjetër për vitin e ardhshëm.

“Do të vij me bashkëshortin dhe do të lëvizim nëpër Shqipëri me biçikleta” – thotë Jolanda për ATSh-në.

Itinerar BIO nëpër Shqipëri

Itinerari i turistëve nga Zvicra mund të quhet pa hezitim një itinerar BIO dhe programin e ka përgatitur Shoqata e Marketingut në Tiranë. Udhëtimi i tyre ndryshon nga ai i turistëve të tjerë, shumica e të cilëve ulen në restorante. Në Durrës ata kanë ndaluar në vreshtin BIO të Enver Dukës, ndërsa në Hamallaj kanë vizituar serat e Fatmir Kallbaqit, ku përveç perimeve, janë mbjellë edhe luleshtrydhe.

Bashkë me vizitat në fermat BIO, turistët-specialistë nga Zvicra janë ulur në tavolina të përgatitura me ushqime fshati.

“Pjata të mrekullueshme – thotë Peter Kuchler. Gjithçka është përgatitur nga të zotët e shtëpisë, por më shumë se gjithçka na bën përshtypje që shërbimi ofrohet me gjithë zemër në një mjedis të mrekullueshëm”.

Peter mëson me këtë rast edhe fjalën tonë të bukur: mikpritje, të cilën ia mëson me shumë durim Mira Kthupi, përkthyesja e grupit.

Dreka e fundit para kthimit në Zvicër është shtruar në fermën e Lindita dhe Hajdar Kuçit, në Marikaj. Tavolinat e mbushura plot dhe të vendosura nën hijen e pemëve, në digën e liqenit të vogël artificial nuk janë një gjë e re në këto anë.

Prof. Enver Isufi, drejtori i shkathët i institutit BIO, me qendër në Durrës thotë se numri i vizitorëve në këtë fermë ka arritur në 520 të tillë.

“Vijnë nga vende të ndryshme të Evropës dhe dashurohen me këto mjedise-tregon Enveri, duke shtuar: Njëlloj siç dashurohen edhe pas rakisë së përgatitur me rrush BIO”. Nuk është mëkat të dehesh, kur je në një mjedis të tillë. I ka ndodhur kryetarit të komisionit të bujqësisë në Bundestagun gjerman.

Suzana Lichtenhahn nuk pushon së kënduari këngë të anëve të saj, ku përzihen gjuhët franceze, gjermane dhe italiane. Në tavolinë qeshin të gjithë, kur përmendet ndeshja mes kombëtares së Zvicrës dhe Shqipërisë: Ne po përgatitemi edhe për një gjuhë të pestë zyrtare: shqipen-thotë Suzana: Jo vetëm sepse ka shumë shqiptarë, veçanërisht nga Kosova në Zvicër, por edhe sepse na pëlqen që të flasim dhe të këndojmë në gjuhën tuaj.

Këtu njerëzit ndjehen të gjithë njëlloj. Prejardhja fshatare që na bashkon të gjithëve e bën edhe më të këndshëm qëndrimin dhe shëtitjen nëpër fermën e Hajdar Kuçit. 50 metra mes shkurreve mesdhetare, në kodrinën ku është mbjellur një hektar vreshtë e re, udhëtimi përfundon në pemishte, edhe kjo e trajtuar BIO.

Edhe këtu gjërat nuk janë të përkryera.

Prof. Enveri thotë se 4-5 shtëpiza prej druri, që turistët të ndalonin më shumë se një ditë, do të ishin mjaft të mira. Një dyqan i vogël me produkte BIO do t’i shërbente shumë mirë promovimit të specialiteteve dhe në të njëjtën linjë do të qëndronte edhe një muze i vogël etnografik, me orenditë dhe veglat e përdorura nga familjet fshatare të zonës. Prof. Enveri është I bindur se fëmijët do të ishin mjaft të kënaqur nëse do të kishin një kënd lodrash të gjithin për vehte.

Ja si e ka zgjidhur prof. Abdulla Kapidani, i cili e la Tiranën për t’u kthyer në vendlindje.

Oborri dhe serat e tij në Borake janë të mbushura me lule të të gjitha llojeve. Një shëtitje mes ngjyrave dhe aromave më të këndshme, shumë pranë rrugës Tiranë – Durrës.

Harta e shtëpive të agriturizmit po përhapet gjithashtu me shpejtësi. Nga projekti i promovuar prej Agjencisë “Tauleda”, banesat e agriturizmit sot i gjen në gjirin e Lalzit, në Draç apo në Katundin e Ri. Një pasuri ndryshe, pak e njohur, por që tërheq një kategori turistësh mjaft të interesuar.

Tasim Besho, një nga promovuesit e agroturizmit, citon një profesore të Universitetit të Ankonës, e cila pas disa ditëve në një shtëpi në Draç  thoshte: “Duke jetuar për pak ditë në fshat, ne bëjmë një udhëtim të shkurtër në kujtesën e prindërve tanë”.

Ja pse vlerësohet mjelja e lopës në orët e para të ditës, gjuetia me grep në bregdet, apo gatimi me perimet e kopshtit BIO.

Gëzim Kabashi, ATSh

Sanatoria Udhëzuesi i Stranieriinitalia.it (i përditësuar)

Regolarizzazione. Il sito truffa non è più online