in

Shkarkimi i Kreshnik Spahiut. Miratohet ngritja e Komisionit hetimor

Komisioni parlamentar i Ligjeve miraton ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin nga detyra e nënkryetarit të KLD-së. Deputetët e PS-së largohen: “Nuk bëhemi pjesë e kësaj farse”. Spahiu i pranishëm në sallë: “Po shkelni kushtetutën. Nuk më shkarkon Parlamenti!”

Tiranë, 18 janar 2012 – Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot me vetëm votat e maxhorancës kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për punën e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), Kreshnik Spahiu që akuzohet se “ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin e drejtësisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur”.

Kërkesa e deputetëve demokratë mori votat e maxhorancës, pasi deputetët e opozitës braktisën sallën para votimit, ndërsa punimet e sotme të komisionit të ligjeve u shoqëruan me debate të forta.  “Ne nuk bëhemi pjesë e kësaj farse”, janë shprehur deputetët e opozitës, ndërsa kryetari Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali u është drejtuar me fjalët: “Jeni bërë deputetët e Spahiut?”.

Spahiu, i pranishëm në mbledhje, e ka cilësuar të paligjshme iniciativën e deputetëve demokratë për shkarkimin e tij. “Shkarkimi im nuk parashikohet me Kushtetutë. Në të nuk parashikohet as shkarkimi i anëtarëve të tjerë të KLD-së. U bë një kohë e gjatë që po më bëhet presion, por unë nuk do largohem nga presionet”, tha Spahiu që e konsideroi kërkesën për shkarkim si “një sulm të pastër politik”. Më pas, Spahiu është larguar nga mbledhja me kërkesë të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali.

Nisma e demokratëve parashikon hartimin e një raporti nga Komisioni i Ligjeve, i cili më pas do t’i dërgohet Parlamentit, ku do të vendoset për ngritjen ose jo të një komisioni hetimor.

Sipas kërkesës së demokratëve, komisioni hetimor do të ketë tre javë kohë për të verifikuar shkeljet e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
 

Fan Noli në fe

Oscar Berti. Një italian në Vlorë për Flamurtarin