Arrestohet në Faenza dhe ridënohet me 4 muaj 33-vjeçari Armand Tarellari
Romë, 12 tetor 2011 – Brenda pak ditësh, rasti i dytë i thyerjes së arrestit shtëpiak nga shqiptarë për të cilët gjykatësi ka vendosur të rrijë mbyllur në shtëpi.
Më i fundit në Faenze, të dielën pasdite. Pasditen e të dielës karabinierët, gjatë shërbimit të kontrollit të territorit kanë arrestuar për ‘arratisje’ 33-vjeçarin Armand Tarellari, resident në Faenza. Tarellari duhet të ishte në arrest shtëpie por është kapur para një restoranti.
Pasi e mbajnë në paraburgim një natë, mëngjesin e të hënës e nxjerrin përsëri në gjyq në Ravenna, ku e dënojnë me katër muaj. Sërish me arrest shtëpie.
Të premten e shkuar, më 8 tetor, një ngjarje e ngjashme ka ndodhur në Pistoia. Karabinierët gjatë perlustrimit të rrugëve, kanë ndaluar një 22 vjeçar shqiptar dhe kanë kryer menjëherë një verifikim në qendrën operative dhe kanë zbuluar se 22-vjeçari po vuante masën e arrestit të shtëpisë. Veç kësaj, në atë orë të ditës duhej të ishte në punë pasi, për një ri-integrim më të mirë në shoqëri, ishte autorizuar të punonte nga ora 7.30 e mëngjesit deri në darkë.