Reagim ekstrem i Kryedioqezës katolike të Shkodrës, Sapës dhe Lezhës ndaj katolikëve shqiptarë që kryejnë vrasje apo marrin gjak.
Tiranë, 18 shtator 2012 -Viktimat e gjakmarrjes nuk kanë të sosur. Duket se organet e drejtësisë, qeveria e parlamenti nuk po e trajtojnë gjakmarrjen me vemendjen e duhur e fenomeni po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në kronikat e kohëve të fundit.
Shtrirja e gjakmarrjes më së shumti në veri të Shqipërisë ku përqendrohet komuniteti katolik, si dhe rritja e rasteve të vrasjeve për gjak, kanë shtyrë Kishën Katolike të reagojë. Kryedioqeza e Shkodrës, Sapës dhe Lezhës ka vendosur të nxjerrë një dekret me të cilin të shkishërojë të gjitë ata që vrasin. Shpallja e dekretit pritet të bëhet gjatë pasdites, në orën 18.30 në kishën katedrale të qytetit të Shkodrës.
“Dekreti është për të gjithë ata që vrasin apo marrin gjak”, thuhet në njoftimin për shtyp, ku përmenden rastet e ndodhura së fundmi që nuk kanë kursyer as fëmijët.
Pak ditë më parë, një 49-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri pranë banesës së tij në fshatin Dukagjin të qarkut të Shkodrës. Autoritetet e policisë njoftuan se viktima ishte shtetasi Marash Tonaj. Lena Pjolli është vetëdorëzuar në komisariatin e Shkodrës, ku ka deklaruar se e kishte kryer ajo krimin për hakmarrje. Vëllai i Tonajt në vitin 2003 dyshohet se ka vrarë prindërit e 34-vjeçares. Nik Tonaj akuzohet për ekzekutimin me automatik të 63-vjeçarit Nikë Pjolli dhe bashkëshortes së tij Sula Pjolli, për një vijë uji.
Ndërsa në fund të muajit gusht, po në qytetin e Shkodrës, atë e bir u qëlluan me breshëri automatiku. Për pasojë mbeti i vdekur në vend 46-vjeçari Frederik Marku nga Mirdita, ndërsa i biri, 22-vjeçari Jurgen Marku mbeti i plagosur.
Si autori ashtu dhe viktima dy orë para ngjarjes kishin qenë të shoqëruar në polici për një grindje që kishin pasur një ditë më parë.
Një javë para kësaj ngjarjeje, në fshatin Bardhaj të rrethit të Shkodrës, dy vëllezër u qëlluan dhe njëri prej tyre ndërroi jetë, pas një prite në oborrin e shtëpisë, përsëri për arsye gjakmarrjeje.