in

Shkodra nderon Migjenin në 100 vjetor të lindjes

Universiteti i Shkodrës në bashkëpunim me bashkinë e këtij qyteti, po organizon në qytetin verior një sërë veprimtarish në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së poetit

Tiranë, 10 tetor 2011 – “Migjeni i shekujve” titullohej konferenca shkencore e organizuar nga Universiteti i Shkodrës në bashkëpunim me bashkinë e këtij qyteti me rastin e aktiviteteve që po zhvillohen në qytetin verior në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së poetit.

Në prani të një auditori të zgjedhur intelektualësh, mes të cilëve edhe pjesëtarë e të afërm të familjes së poetit Millosh Gjergj Nikolla, rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Prof. Dr. Artan Haxhi, foli për vlerat që përmban në vetvete Migjeni, i cili mësë shumti i këndoi qytetit të Shkodrës dhe veriut në përgjithësi, ku kaloi shumicën e viteve të jetës së tij të shkurtër.

Disa nga temat e seances plenare, ishin ato të mbajtura nga Kristaq Jorgo, “Lindja e Migjenit në kulturën shqiptare”, nga Shaban Sinani, “Teksti biblik në letersinë e Migjenit”, Alfred Çapaliku, “Prozë-poezia-Një refren i qytetit tim”, Fadil Kraja, “Migjeni pa paraardhës dhe pa pasardhës”, Tomorr Osmani, “Disa konsiderata rreth gjuhës së Migjenit”, Rezarta Draçini, “Qemal Draçini për Migjenin”, Fatbardha Hoxha, “Mozaiku i magjishëm migjenian në perspektivën e sotme të leximit” etj.
Me interes të veçantë është pritur fjala e mbesës së Migjenit, Angjelina Ceka, e cila përcolli në emër të të afërmve të poetit të madh, përshëndetjet më të përzemërta për organizatorët.

Me 13 tetor të këtij viti mbushen 100 vjet nga lindja e Millosh Gjergj Nikollës, Migjeni, që ka lënë gjurmë të thella, jo vetëm në Shkodër ku lindi, por në tërë trojet shqiptare. Ndonëse u nda nga jeta në moshën 27-vjeçare, shkrimet e botuara në revistat “Iliria”, “Bota e re” dhe shumë organe të tjera, libri “Vargje të lira”, poezitë “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”, “Shpirtënit shtegtarë” etj, e kanë bërë atë të pavdekshëm.

Në shenjë respekti ndaj kësaj figure shumëplanëshe, pushteti lokal në bashkëpunim me teatrin “Migjeni”, emrin e të cilit mban ky institucion, kanë përgatitur një sërë aktivitetesh.

Konfindustria shqiptare hap zyrë në Torino

Pëson avari avioni i presidentit Topi