Enada e Gerd Vaso, Aneda Lusha, Enxhi Shima dhe një nxënëse e Lola Fejzos do të jenë sonte mes artistëve të ftuar në spektaklin dedikuar një prej tenorëve më të famshëm italianë. Në Rai Uno, në orën 21:10
Romë, 26 qershor 2015 – Sonte, në orën 21:10, kthehet në Rai 1 spektakli i përvitshëm në kujtim të tenorit të famshëm napoletan, Enrico Caruso.
Janë të shumtë artistët pjesëmarrës. Veç këngëtarëve Tullio De Piscopo dhe Nuova Compagnia di Canto Popolare, Enzo Gragnaniello dhe Serena Rossi,Patty Pravo,Attilio Fontana Suor Cristina, Manuela Villa, Marco Armani, Mauro Lusini, Deborah Iurato, Floriana Monici, Leda Battisti, dhe aktorëve Enzo Decaro e Gloria Guida, protagonistë të spektaklit do të jenë edhe disa balerinë shqiptarë.
“Se Io Fossi un Angelo” e kënduar nga Deborah Iurato, do të shoqërohet nga balerinët e mirënjohur Enada e Gerd Vaso me koreografi të Mvula Sungani-t.
Në të gjitha koreografitë e spektaklit, si edhe në siglën e hapjes së tij marrin pjesë edhe dy ballerina nga Shkolla e Baletit e Tiranës, Aneda Lusha dhe Enxhi Shima. Mes balerinëve pjesëmarrës është përzgjedhur edhe nxënësja Michela Moretti e shkollës Nasco Danza në Porto San Giorgio, me mësuese baleti Lola Fejzon.
Fotot nga provat, të Joe Artid Fejzos