in

Shoqatat e studentëve

Janë të panumërta shoqatat studentore shqiptare, në të gjithë cepat e Italisë, që synojnë të grupojnë në emër të bashkësisë së interesave, e të origjinës komunitetin e dendur të studentëve shqiptarë. Prania e konsiderueshme e tyre është edhe një rrjedhojë logjike e numrit të madh të studentëve shqiptarë në Itali, ndërsa denduria e tyre edhe brenda një ambienti të vetëm, bën që shoqërizimi i studentëve t’i ngjajë pak a shumë mënyrës së të grupuarit nëpër shoqata edhe të emigrantëve të stabilizuar: shumë shoqata, dhe komunitete copëzuara e grupuara nëpër disa prej tyre.

Por ndryshe nga sa thuhet në përgjithësi për komunitetin shqiptar të emigrantëve, studentët shqiptarë thyejnë rregullat e të mosbërit komunitet duke treguar krejt të kundërtën e asaj që sociologët kanë nënvizuar për bashkëkombësit e tyre që i kanë mbyllur llogaritë me bankat e shkollës. Kjo sepse të tilla janë rrethanat për studentët, pak më shumë se adoleshentë, të gjendur shpesh për herë të parë jashtë shtetit, në kaosin e botës universitare italiane. Lufta për mbijetesë, në një sistem universitar tejet individualist ku studenti pavarësisht nga kombësia e cilësia është i braktisur me veten, e për më tepër në një realitet urban me infrastruktura që nuk lehtësojnë aspak të qenit student e aq më pak të qenit student i huaj bëjnë që studentët shqiptarë të tregojnë të tjera prirje, më kohezive, më solidare, më shoqëruese.

Rëndom në peizazhin universitar italian gjenden grupe monoetnike shqiptarësh që kalojnë kohën e lirë së bashku, përpara një kafeje të gjatë, apo thjesht në stolat e rastit duke përtypur përditshmërinë e vështirë të përbashkët. Në këtë kontekst shoqatat e shumta lindin vetiu si shprehje e një nevoje të përbashkët për solidaritet të ndërsjellë, dhe ndihmë konkrete për tu orientuar në një sistem që veçanërisht për studentët e rinj, të sapoardhur e të vetmuar është një xhungël burokratike vështirë e deshifrueshme. Kështu shoqatat shqiptare ekzistojnë e janë të shumta për arsye konkrete të një nevoje të përbashkët të komunitetit studentor shqiptar.

Por një pjesë e mirë e tyre, sipas mundësive ekonomike, janë shndërruar jo vetëm në pika referimi dhe grupimi për studentët shqiptarë, por edhe në vektorë të promovimit të kulturës shqiptare, duke u dhënë fjalën sa studentëve në Itali, aq edhe artit e kulturës të sjellë nga Shqipëria për tu prezantuar komuniteteve të tjera një copë të Shqipërisë, gjithmonë nën trysninë e një ambienti që mungesën e informacionit për fqinjin jug-lindor e ka mbushur me një sërë stereotipash e difindecash provinciale të dëmshme për të dyja komunitetet të cilave u takon të japin e të marrin me apo pa dashje brenda të njëjtit ambient.

Kështu shoqatat studentore shqiptare janë diçka më shumë se sa organizueset e që afishojnë postera për festat e nëntorit, e ditën e verës, apo vizitat e rastësishme nëpër diskotekat qytetëse të filan dj nga Tirana. Edhe pse të shumta, e për pasojë të penalizuara në dukshmëri, ato kryejnë funksione tejet të dobishme për komunitetin e studentëve shqiptarë. E madje përtej shoqërizimit ndër-shqiptar në emër të halleve të përbashkëta, e detyrës së lartë të promovimit vullnetar të kulturës shqiptare, ato mund të shërbejnë për shumë më tepër, nëse Tirana zyrtare kujtohet për to dhe tregohet aq e arsyeshme sa të kuptojë rëndësinë e tyre potenciale për të ashtuquajturin procesin e mbledhjes së trurit (brain gain). Tek e fundit ishte pikërisht një iniciativë e disa shoqatave studentore ajo që para pak viteve publicizoi problemin e trurit shqiptar nëpër botë, ende të pambledhur e vështirë të mbledhshëm vetëm me simpoziumet mondane që fillojnë e mbarojnë në Tiranë.

Përhumbja numerike dhe copëzimi herë i natyrshëm, e herë i stisur për shkaqe subjektive në konkurrencën e elitave themeluese, është një hap i kalueshëm nëpërmjet organizmit në rrjete të mëdha që mund tu japin më shumë dukshmëri në sytë e Tiranës, dhe më shumë aftësi për tu koordinuar. Meqenëse studentët shqiptarë priren të krijojnë komunitet, dhe edhe kur nuk anëtarësohen veprimtaritë e shoqatave janë për ta një pikë referimi, mjafton pak për t’i shndërruar shoqatat në një vektor lidhës ndërmjet Tiranës që dëshiron të mbledhë trurin, dhe studentëve shqiptarë të çoroditur që në prag diplomimi e gjejnë veten mes dy zjarresh të pavendosur për të qëndruar apo për tu kthyer.

Marjola Rukaj, Bota Shqiptare

 

Italia, vendi i pikëve

Studentët e Bolonjës të mbledhur rreth një shoqate