in

Shqipëria bën sikur punon, Evropa bën sikur nuk dëgjon

Rruga e Dibrës, as majtas as djathtas, në vendnumëro

Toka e kuqe ka ndryshuar dhe po ndryshon. Ajo është gati t’i bashkohet Evropës së madhe. Këto dhe të tjera parulla po të kësaj natyre, kanë një kohë relativisht të gjatë që po torturojnë shqiptarët. Qeveria dhe opozita e saj shtyjnë njëra-tjetrën për të marrë atë “OK” të shumëdëshiruar, por mesa duket (të paktën deri tani) ata po trokasin në dyert e kyçura të Evropës që shtiret si e shurdhër.

Rruga e Dibrës
Shqipëria bën sikur punon, ndërsa Evropa (tashmë e lodhur dhe e zhgënjyer nga toka e kuqe) bën sikur nuk dëgjon. Në realitet Evropa jo vetëm që dëgjon, por shikon dhe vrojton mjaftë mirë. Shikon dhe “admiron” projektet e ngritura në fushatat zgjedhore. “Lavdëron” premtimet e politikanëve realë dhe të atyre potencialë të cilët ëndërrojnë të ngjiten në majat më të larta më fjalë të qëndisura mjaft bukur, saqë edhe i madhi Dante Alighieri do t’i kishte pasur zili.

Evropa. Kjo dinake e vjetër dhe kokëfortë po ndjek me shumë kujdes “realizimin” e tyre që në një kohë rekord kthehen sinonim i mashtrimit ose i dështimit total.  Nuk mund të bëhet, ose le të themi që: Shqipëria për të mirën e sajë nuk duhet të bëhet pjesë e BE-së pa brekë dhe me këpucë të grisura.

Nuk mjaftojnë disa ndërtesa të vjetra të lyera me bojëra qesharake vetëm në zonat më të dukshme të kryeqytetit, nuk mjaftojnë katër rrugë të ndërtuara mirë dhe me trotuare të bukura (jo funksionale) që të shpien në zemrën e tij, e cila rrethohet me rrugë të prishura ose pa rrugë fare.

Mjafton të kalosh në Rrugën e Dibrës e cila është një ndër rrugët e vetëpagëzuara. Dikur, aty ishte pikënisja e rrugës së vjetër për në Dibër, nga Qafa e Tujanit.

Përgjatë saj, vitet e fundit financues (privatë) shqiptarë dhe të huaj kanë investuar shuma marramendëse duke nxjerrë në pah bukurinë dhe karakteristikat e një Kryeqyteti bashkëkohor i cili ndërtohet  karshi Malit të Dajtit në vitet 2000.

Përballë Vilës GOLD,  një flamur shqiptarë valëvitet pranë mikut të tij amerikan. Flamujt, janë simbolet e “Snack Bar New Jersey” ose më mirë i njohur si “Bari i Amerikanit” i cili ka investuar në Rrugën e Dibrës dhe ka ndërtuar një ambient tepër të bukur që edhe vetë amerikanët e ëndërrojnë ta kenë.

Një realitet tepër i trishtuar në këtë rrugë prezantohet kur shikohen qendrat luksoze të biznesit shqiptarë dhe të huaj, hotelet apo ndërtesat e mrekullueshme siç është për shembull Kompleksi Halili, etj. Të gjitha këto të rrethuara nga një pafundësi telash të lidhur në shtyllat e rrënuara dhe të rrezikshme për kalimtarët. 

Gjatë ditës kjo rrugë është e mbipopulluar jo vetëm nga banorët e saj por edhe nga njerëz që hyjnë e dalin nga pazari i ri, si dhe ai i tregut të madh. Ata pak trotuare që ekzistojnë janë ndërtuar që në kohën kur komunistët e donin dhe e mirëmbanin Kryeqytetin e tokës së kuqe. Tani trotuaret jo vetëm që janë rrënuar por deri natën vonë janë të bllokuara nga tavolinat e bareve dhe kafeneve që, sipas Kryebashkiakut Basha, janë vendosur në mënyre abuzive dhe duhet të hiqen. Ide kjo shumë e bukur dhe për t’u lavdëruar.

Ndërsa gjatë natës rruga kthehet në një diçka akoma më të frikshme. Njerëzit nuk munden të vrapojnë as atëherë kur sulmohen nga qentë e uritur të cilët janë endacakë sepse padronët e tyre i kanë braktisur ose kanë lindur në rrugë. Ata duhet t’u ruhen gropave dhe pusetave të hapura, apo të lëvizin me kujdesin më të madh, nga frika se mos bien në grackën e telave të varur në të dyja anët e rrugës që ngjasojnë me rrjetat e merimangave të zeza që hasen vetëm në xhungël, apo nëpër filma horror.

Shpeshherë copat e pllakave të thyera shërbejnë si mjet rrethanorë për tu mbrojtur nga sulmet e qenve të inatosur të cilët i kanë shpëtuar pushkatimit çnjerëzorë të bashkisë. Në vendet e Bashkimit Evropian, ku Shqipëria ëndërron të bëhet pjesë e saj, dënohen ata që braktisin apo vrasin kafshët. Çdo Bashki ka fonde të caktuara për të strehuar kafshët e braktisura dhe endacake e jo më t’i vrasin ata vetë. Ky veprim kaq i ulët dhe çnjerëzor bëhej në kohën kur Bashkia e Tiranës ishte në duart e Edi Ramës. Basha është ndryshe, nuk do të veprojë si Rama, të paktën kështu iu ka premtuar, dhe jo vetëm banorëve të Rrugës së Dibrës)

Kryebashkiaku Basha është akoma i ri në detyrë, kështu që banorët dhe kalimtarët e kësaj rruge duhet të kenë durim. Ndërkohë, banorët le të luten që shirat të vonojnë reshjet e tyre. Ata pa drita se pa drita do të ngelen si shumë herë të tjera, si në dimër po ashtu edhe gjatë verës. Të paktën të evitojnë baltën.

Krejt natyrshëm lind pyetja, edhe sa kohë duhet të presin banorët e kësaj zone që Basha të mbajë premtimet e bëra gjatë fushatës së tij? Një bust mesatarisht i vogël i strukur rrëzë një druri mbi 25 metra i lartë me siguri e ka përgjigjen e duhur, por nuk flet dot. Ai nuk njihet nga shqiptarët për fjalimet e tij të bukura por për trimërinë e tij. Breza të tërë e njohën Vojo Kushin si hero të popullit i cili dha jetën e tij për mbrojtjen e tokës së kuqe. Tashmë, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të heshtë nën hijen e shëmtuar të drurit të lartë. Vetëm në heshtje do të mundet të shpëtojë nga duart e atyre që e quajnë të “KUQ” dhe sipas tyre, meriton të vdesë përsëri.

Nëse busti i Vojo Kushit mbrohet me fanatizmin më të madh nga pronari i lokalit ngjitur, druri i lartë, pikë reference në Tiranë dhe një simbol natyror i asaj ç’ka mbetur nga e ashtuquajtura Tirana e vjetër është lidhur ngushtë me fatin e Rrugës së Dibrës. Që të dyja janë lënë në mëshirë të fatit. Rruga është krejt e shkatërruar ndërsa druri i lartë, Selvia, i zhveshur dhe i masakruar, po vdes.

“Sa popull impulsiv, sa të padurueshëm që janë shqiptarët! Sidomos banorët e Tiranës” – mundet të thonë “gojët e liga”. Ju kryeqytetas në realitet pritët të djathtën për vite me radhë, pastaj të majtën për 12 vjet, tani erdhi përsëri e djathta. Pastaj, ajo nuk është e vetmja rrugë kryesore e kryeqytetit shqiptar e cila është lënë krejtësisht në mëshirën e fatit. Prisni sa të mbarojnë prishjet e atyre çka Rama kishte ndërtuar në qendër apo rreth saj. Sigurisht që nuk ishin ndërtuar me paret e të majtës as me paret e të djathtës, por me paret tuaja. Tirana, madje e gjithë Shqipëria, do të ndërtohet dhe zhvillohet më së miri. Duhet vetëm durim, sepse nuk shkohet në Evropë si “ai” në dasmë, thotë një fjalë e bukur popullore.

Janni Luan Cajku

I dëbuar nga Italia. Si mund të vij sërish?

Deti i hapur i Katër i Radës – Intervistë me gazetarin Alessandro Leogrande